Kosova

Gjermania për CEFTA-n: Tani Kosova përfaqësohet ashtu siç duhet

Lajm të mirë për Kosovën e ka cilësuar ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, zbllokimin e CEFTA-s.

Në një postim në platformën X, Rohde ka thënëse tani e tutje Kosova do të përfaqësohet nga zyrtarët e saj, ashtu siç duhet, e jo nga UNMIK-u.

“Vërtet një lajm i mirë për Kosovën dhe gjithë rajonin: CEFTA është zhbllokuar dhe tani e tutje, Kosova do të përfaqësohet nga zyrtarët e saj, ashtu siç duhet, e jo nga UNMIK-u. Një hap i madh përpara për përfaqësim dhe pjesëmarrje të barabartë në këtë organ rajonal”, ka shkruar Rohde, përcjell Albinfo.ch.

Ndërkaq, edhe Emisari i Gjermanisë për Ballkanin, Manuel Sarrazin, ka thënë se është lajm i mirë që në takimin e CEFTA-s u miratuan me sukses 11 vendime.

Përmes platformës X, Sarrazin ka shkruar për takimin që u mbajt sot në kuadër të CEFTA-s, ku Kosova u përfaqësua nga Rozeta Hajdari, ministre e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë (MINT).

“Lajm i mirë! Organet në CEFTA sapo vendosën ndryshimin e Rregullores së punës dhe gjithashtu miratuan me sukses 11 vendime”, ka shkruar ai./Albinfo.ch