Lajme

Rama u rikthehet takimeve me diasporën

Ashtu siç e kishte paralajmëruar në muajin qershor, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do t’i rikthehet turit të takimeve me diasporën, në nisje të sezonit të vjeshtës, përcjell albinfo.ch.

Turi nuk do të rinisë në Europë, aty ku u ndërpre, për shkak se Rama anuloi takimin me shqiptarët e Gjermanisë, por në Shtetet e Bashkuara. New York-u është përzgjedhur nga kryesocialisti për të zhvilluar takimin me shqiptarët e Amerikës, që do të mbahet më 26 tetor.

Ky do të jetë i pari takim i socialistëve me komunitetin shqiptar në SHBA dhe i treti i turit të diasporës, që nisi me Athinën dhe vijoi me Milanon në muajin maj të këtij viti.

Sipas njoftimit që iu është shpërndarë përfaqësuesve të komunitetit shqiptar në SHBA, takimi do të zhvillohet “në New York, në adresën Gotham Hall, 1356 Broadway”.

Kujtojmë se për shkak të zgjedhjeve europiane në muajin qershor, Rama anuloi takimin në Frankfurt dhe menjëherë pas tij, edhe udhëtimin në Londër, i ndikuar nga situata kaotike e politikës britanike që çoi vendin në zgjedhje të parakohshme.

Kryeministri është shprehur se fokusi i takimeve të tij me shqiptarët e diasporës është forcimi i lidhjeve me bashkatdhetarët që jetojnë e punojnë në vende të ndryshme, por me ligjin që u lejon emigrantëve të votojnë me postë në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës, këto takime marrin rëndësi të veçantë për PS që kërkon mandatin e katërt për të qeverisur vendin.

Në këto zgjedhje, diaspora shqiptare do të votojë aty ku jeton dhe për të realizuar fushatën elektorale të socialistëve në mërgim, kryeministri ia ka besuar detyrën ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.