Futboll

Cilët flamuj lejohen në ndeshjen Zvicër-Serbi

Federata serbe jep njoftim

Me shumë interesim po pritet ndeshja mes Serbisë dhe Zvicrës që i takon Grupit 4 të Ligës A të Ligës së Kombeve. Ndeshja zhvillohet të shtunën, nga ora 20:45, në Leskovc, përcjell albinfo.ch.

Përfaqësuesja e Zvicrës, që për kapiten e ka Granit Xhakën, është mbledhur të hënën, njëjtë si përfaqësueset e tjera evropiane. Zvicra nuk planifikon stërvitje në Leskovc.

Të premten, prej orës 11:00, helvetikët ushtrojnë në St. Gallen, ndërsa në ora 16:00 udhëtojnë për në Nish. Në ora 19:15, në Leskovc, Zvicra mban konferencë për shtyp, në të cilën do të jenë përzgjedhësi Murat Yakin dhe një lojtar. Por gjasat që të jetë kapiteni Xhaka nuk janë shumë të mëdha, për shkak të kaluarës së tij në ndeshjet me Serbinë. Xhaka e Xherdan Shaqiri kanë udhëhequr Zvicrën në fitoret spektakulare ndaj Serbisë në dy Botërorët e fundit. Dhe janë goxha të urryer nga tifozët serbë edhe për mënyrën se si festuan.

Federata e Futbollit e Serbisë ka njoftuar për masa të rrepta sigurie në ndeshjen ndaj Zvicrës. Ndër të tjera, Federata serbe ka njoftuar se do të lejohet vetëm hyrja me “simbole shtetërore” dhe ato të Federatës. Pra, është bërë e qartë që nuk lejohen flamuj provokues ndaj Kosovës, për shkak të dënimeve që do të vinin nga UEFA. Për flamuj provokues ndaj Kosovës e shqiptarëve Federata serbe është dënuar së fundi në “Euro 2024”, por edhe shumë herë më parë.

Sipas njoftimit të Federatës serbe, biletat janë të personalizuara dhe hyrja do të lejohet vetëm me dokument identifikues.

“Federata e Futbollit e Serbisë është nën monitorim të veçantë të UEFA-s, prandaj apelojmë që të gjithë akterët e ngjarjes bashkërisht të marrin pjesë në ndalimin e çfarëdo prishje të rendit e qetësisë, sidomos për gjuajtjen e gjësendeve në fushën e lojës dhe thirrjet e palejuara”, shkruan në njoftimin e Federatës serbe.

Selektori i Serbisë, Dragan Stojkoviq, ka thënë të enjten se nuk pret provokime në ndeshje. Ai e vlerësoi lart Xhakën si lojtar.

“Besoj se njerëzit e dinë të kaluarën dhe provokimet. Apeloj që ndeshja të jetë korrekte. Në mënyrën se si ekipet duhet të luajnë. Që sjelljet në tribuna dhe të tifozëve të jenë në nivel të lartë. Ato gjëra duhet të harrohen dhe të fokusohemi në futboll. Nuk frikësohem. Kjo është absolutisht absurde. Xhaka është lojtar i madh dhe e di këtë. Vërtet e çmoj. Për shumë vjet shfaq nivel botëror. Mendoj se nuk do të ketë ndonjë problem”, ka theksuar Stojkoviq.

Te Zvicra janë munduar të mos iu kushtojnë shumë rëndësi tensioneve eventuale. Drejtori i Përfaqësueses, Pierluigi Tami, ka thënë se fokusi do të jetë në ndeshje dhe te fitimi i tri pikëve. Natyrisht çdo gjë do të sillet rreth Xhakës. Andi Zeqiri është tjetër lojtar shqiptar te Zvicra.

“Ne nuk duam të nënçmojmë çështjen apo të qëndrojmë të heshtur lidhur me të”, ka thënë Tami, duke shtuar se nuk mund të kontrollojnë ndikimin nga jashtë apo nga pala serbe. Ai ka thënë se po shqyrtohet një bisedë me Xhakën para ndeshjes në Leskovcin e vogël.

“Ne jemi të fokusuar në sport dhe nuk duam të shpenzojmë energji të panevojshme”, ka shtuar Tami.

Zvicra nuk ka planifikuar masa shtesë të sigurisë për udhëtimin në Serbi. Ekipin do ta shoqërojnë, si zakonisht, tre deri në pesë pjesëtarë të sigurisë.