Lajme
Lidhjet e partive serbe me partinë e ekstremit të djathtë në Austri
Internacionale e djathtë globale. Kështu i përshkruan Vedran Xhihiq, ligjërues në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Vjenës, lidhjet e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe të Aleancës së Social-demokratëve të Pavarur (SNSD) të presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, me Partinë e Lirisë në Austri (FPO) të ekstremit të djathtë.
Kjo e fundit, e njohur për islamofobi dhe politika kundër imigrantëve, fitoi shumicën e votave në zgjedhjet parlamentare në Austri, të mbajtura më 29 shtator.
Megjithatë, me 29 për qind të votave të fituara, partia e udhëhequr nga Herbert Kickl nuk do të mund ta formojë qeverinë e vetme.
Udhëheqësi i FPO-së, Herbert Kickl, flet para mbështetësve pas fitores në zgjedhje. Vjenë, 29 shtator 2024.
Delegacioni i FPO-së në vizitë në Serbi
Disa javë para zgjedhjeve, një delegacion i FPO-së – parti e themeluar në mesin e viteve 1950 nga nacional-socialistët e atëhershëm – u prit në Beograd nga zyrtarë të lartë serbë.
Zyrtarët austriakë, të udhëhequr nga eurodeputeti Harald Vilimsky, u takuan më 4 shtator me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Presidenca e Serbisë nuk nxori ndonjë njoftim pas takimit, ndërsa Vilimsky postoi një fotografi në profilin e tij në Instagram, ku shihet duke shtrënguar duart me Vuçiqin.
Poshtë fotografisë shkruan se “kishte shkëmbim të shkëlqyeshëm të ideve”.
“Serbët nuk janë vetëm një pjesë shumë e vlefshme e familjes evropiane të kombeve, por edhe miqtë tanë të vërtetë dhe shpresojmë, së shpejti, motor i aleancës evropiane të reformave”, tha Vilimsky.
Millica Gjurgjeviq Stamenkovski, si kryetare e Zavetnicit, u takua në Bundestag me presidentin e AfD-së, Tino Chrupalla, në nëntorin e vitit 2023.
Në të njëjtën ditë, ai u takua edhe me kryetaren e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila, ashtu si edhe Vuçiq, mbështet Partinë Përparimtare Serbe që mban pushtetin në Serbi.
Bërnabiq tha pas takimit se delegacioni i FPO-së “shprehu dëshirë për thellimin e bashkëpunimit me Serbinë” dhe “pritshmëri për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore me vendin tonë”.
Duke i marrë për shkas këto takime, Radio Evropa e Lirë pyeti Presidencën serbe dhe kabinetin e Bërnabiqit se ku do të bazohet bashkëpunimi me FPO-në dhe nëse përfaqësuesit e Serbisë shohin ndonjë problem në faktin se partia austriake pozicionohet në spektrin ekstrem të djathtë, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
Vilimsky tha në një intervistë për gazetën serbe “Veçernje Novosti” se me Vuçiqin ka biseduar për atë se “si mund të bashkohen”.
“Të krijojmë një aleancë për t’i ndalur sulmet e politikanëve të spektrit të majtë ndaj Serbisë dhe Hungarisë dhe për t’i thelluar marrëdhëniet që po i kultivojmë tani”, tha ai.
Që sa kohë zgjat bashkëpunimi mes Qeverisë serbe dhe së djathtës austriake?
Xhihiq thotë se bashkëpunimi i SNS-së dhe SNSD-së me Partinë e Lirisë daton që nga vitet e mëparshme dhe shton se afërsia ideologjike e këtyre partive mund të bazohet në disa pika qendrore.
Një prej tyre, sipas tij, është vëzhgimi shumë konservator i kombit si një komunitet i lidhur me gjak dhe i kërcënuar nga “elitat globale, demokracia liberale dhe multikulturalizmi”.
“Pra, kemi zhvillimin e një internacionaleje të djathtë globale, siç ishte internacionalja socialiste dikur, e cila lidhet nga Amerika përmes Evropës në Rusi e kështu me radhë”, thotë Xhihiq.
Sipas tij, presidenti i Serbisë, Vuçiq, e kupton se erërat politike në Evropë janë duke fryrë gjithnjë e më shumë nga e djathta.
“Synimi i tij përfundimtar është – siç e shohim tashmë dhe e dimë nga praktika politike serbe – të qëndrojë në pushtet sa më gjatë që është e mundur, ta zvogëlojë sasinë e kritikave nga Perëndimi, të mbulojë apo kamuflojë gjithçka që ndodh në Serbi në lidhje me sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve, interesat ekonomike. Dhe, për këtë, ai kërkon dhe ka nevojë për aleatë”, thotë Xhihiq.
Marrëdhëniet me Rusinë dhe presidentin rus, Vladimir Putin, janë gjithashtu diçka që ndajnë SNS-ja, SNSD-ja dhe FPO-ja, sipas tij.
“Edhe Partia e Lirisë e Austrisë, në një kohë, ka pasur marrëveshje të veçantë për bashkëpunim me partinë e Putinit në Rusi. Kështu që liderët e Partisë së Lirisë, në mesin e tyre edhe Herbert Kickl, kanë vizituar Moskën”, thotë Xhihiq.
Ai shton se Kremlini, nga ana tjetër, e mbështet të djathtën evropiane përmes fushatës së tij të dezinformimit.
Lidhja serbe
Përkrahja e Partisë së Lirisë për Serbinë, sa i përket çështjes së Kosovës, nuk është befasi, marrë parasysh se diaspora serbe në Austri përfaqëson një pjesë të konsiderueshme të elektoratit të FPO-së, për të cilën ka shkruar edhe gazeta britanike “Economist”.
Sipas Xhihiqit, ky është një aspekt ku shohin interes edhe zyrtarët e FPO-së.
“Prej vitesh, kemi grupe aktive të qytetarëve nga Serbia, nga Republika Sërpska, të cilët janë aktivë në Partinë e Lirisë, të cilët i promovojnë ato vlera dhe përpiqen të mbledhin sa më shumë vota nga serbët në Austri, pasi një numër i madh i tyre posedon shtetësi austriake dhe mund të votojë”, thotë Xhihiq.
Një lidhje e rëndësishme mes partisë së djathtë austriake dhe skenës politike serbe është edhe Konstantin Dobrilloviq.
Dobrilloviq ishte në listën e FPO-së në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, në mes të këtij viti.
Në një intervistë për Euronews-in në prag të zgjedhjeve për PE-në, Dobrilloviq tha se ai përfaqëson të ashtuquajturin patriotizëm të shëndetshëm, i cili është shtyllë e politikës së FPO-së, si dhe “kthimin e çdo shteti anëtar të BE-së, para së gjithash, kah nevojat e qytetarëve të vet”.
Siç mund të shihet edhe në fotografi, ai ishte në mesin e të pranishmëve në takimet e delegacionit të FPO-së në Beograd, në muajin shtator.
Por, ky nuk ishte takimi i vetëm i Dobrilloviqit me zyrtarët lokalë serbë në gjashtë vjetët e fundit.
Në shkurt të vitit 2018, ai u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa me kryeministrin aktual të Serbisë dhe kryetarin e SNS-së, Millosh Vuçeviq, u takua në mars të vitit 2024, kur Vuçeviq ishte në postin e ministrit të Mbrojtjes.
“Një bisedë përmbajtjesore me Konstantin Dobrilloviqin, kandidatin e Partisë së Lirisë së Austrisë në zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Evropian”, shkroi Vuçeviq në Instagram pas atij takimi.
REL-i e kontaktoi Dobrilloviqin përmes Instagramit, për ta pyetur për kontaktet që ka me politikanët në Serbi, por, deri në publikimin e këtij artikulli, ai nuk u përgjigj.
Dodik dhe FPO-ja
Përveçse politikanë nga Serbia, Dobrilloviq takoi edhe presidentin e Republikës Sërpska, Millorad Dodik, dhe liderin e Frontit Demokratik pro-rus, Andrija Mandiq, i cili aktualisht është kryetar i Kuvendit të Malit të Zi.
Dodik, prej kohësh, ka marrëdhënie të ngushta me Partinë e Lirisë.
Më konkretisht, ai kishte marrëdhënie të mira me Heinz-Kristian Strachen, ish-udhëheqësin e kësaj partie dhe zëvendëskancelarin austriak nga viti 2017 deri në vitin 2019.
Në vitin 2015, partia e Dodikut publikoi një fotografi të tij dhe Straches në rrjetet sociale, bashkë me citatin e Dodikut se “serbët që jetojnë në Vjenë, duhet ta mbështesin FPO-në, sepse është mirë për serbët në Austri”.
Në vitin 2018, Strache mori një çmim nga Dodiku për, siç u tha, “merita të veçanta në zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve politike midis Republikës Sërpska dhe Austrisë”.
Strache dha dorëheqje si zëvendëskancelar në Qeverinë austriake dhe u përjashtua nga partia e tij, pas një video-skandali nga viti 2017, ku ai shihej duke i ofruar kontrata shtetërore gjoja një financuesi rus.
Dodik e cilësoi videon si “kurdisje” dhe tha se do ta vazhdojë bashkëpunimin me FPO-në.
Kur Partia e Lirisë fitoi më shumë vende në Parlamentin Evropian në krahasim me partitë e tjera austriake, Dodik i dërgoi një mesazh të shkurtër urimi përmes platformës X.
Megjithatë, Dodik nuk e komentoi suksesin e së djathtës ekstreme austriake në zgjedhjet parlamentare.
Lidhjet e Partisë së Lirisë me Rusinë
Ndryshe nga qëndrimi zyrtar i shtetit austriak, FPO-ja kundërshton sanksionet e vendosura nga BE-ja kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Në këtë aspekt, Vilimsky e sheh aleate Serbinë, tha ai në një intervistë për gazetën serbe “Novosti”.
Serbia, përndryshe, refuzon t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë, edhe pse në Kombet e Bashkuara e dënoi pushtimin e Ukrainës.
Megjithatë, fokusi i partisë së Vilimskyt është kryesisht te çështja e imigrantëve, sidomos atyre nga vendet e Lindjes së Mesme.
FPO-ja shprehet me vendosmëri kundër imigrantëve nga vendet islamike, duke thënë se një qëndrim i tillë ruan “paqen sociale dhe identitetin kulturor të Austrisë”.
Pikëpamje të ngjashme shpreh edhe Vilimsky në rrjetet sociale.
Ai i komentoi protestat shumëditore të komunitetit kurd në Paris, të cilat u shndërruan në trazira në rrugë, në fund të vitit 2022.
“Sa qytete të tjera duhet të digjen përpara se i fundit të kuptojë se ne importojmë dhunë dhe përbuzje të shoqërisë në Evropë, e madje edhe e financojmë atë këtu”, shkroi ai më 2 janar të vitit 2023.
Në shtator të vitit 2022, ai tha se “kufijtë e Austrisë janë të rrethuar” si gjatë valës së madhe të refugjatëve më 2015, por se mediat, sipas tij, nuk raportojnë për një gjë të tillë.
“Turmat hyjnë në heshtje. Qeveria austriake dhe BE-ja po shemben përgjatë gjithë vijës kufitare. Mbyllini kufijtë! Tani!”, shkroi Vilimsky në X.
Qëndrime të ngjashme edhe për Kosovën
Delegacioni i FPO-së që vizitoi Beogradin në shtator, përfshinte edhe Maximilian Kraussin.
Ky politikan e nisi karrierën e tij në krahun e rinisë të Partisë së Lirisë.
Krauss, siç deklaroi në një intervistë për gazetën serbe “Politika”, ka dorëzuar së voni në Parlamentin e Vjenës një propozim për një rezolutë që e konteston pavarësinë e Kosovës.
“Në kërkesën tonë, ne e kemi bërë të qartë se Kosova nuk është shtet. Edhe pse Austria e ka njohur, atje nuk ka sundim të ligjit. Prandaj, nuk ka nevojë të negociohet me të për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, tha Krauss në intervistën e publikuar më 29 shtator – në ditën e zgjedhjeve në Austri.
Gjithashtu, ish-lideri i FPO-së, Strache, tha se e sheh veten si “mik të Serbisë” dhe se e kupton qëndrimin kundër të Serbisë ndaj Kosovës, e cila shpalli pavarësinë në vitin 2008/REL
E-Diaspora
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali E.D., një 41-vjeçar me origjinë shqiptare, banues në Azzano San Paolo, ka ndërruar jetë pas një...
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
-
Haziri: Diaspora nuk është determinuese e rezultatit të zgjedhjeve
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Dardanët presin përkrahjen e bashkatdhetarëve Kombëtarja e Kosovës, në Zvicër...
-
Nga 1 janari do të mund të ndryshohen në çdo moment disa modele të sigurimit shëndetësor
-
Çmimet e pronave zvicerane nuk tregojnë shenja rënie
-
Shtatë gjëra që thjesht nuk mund t’i mbani sekret në Zvicër
-
Ulja e kostos dhe emigracioni: Sfidat me të cilat do të përballet Zvicra në vitin 2025