Të tjera
Mbresa udhëtimesh: Një vizitë Selanikut të Greqisë
Një prej objektivave të radhës për ta vizituar, për të cilën tashmë kisha ndarë kohën, ishte Selaniku.
Më 27.09.2024, pasdite, kisha caktuar nisjen me veturë drejt Shkupit, për të vijuar drejt Selanikut. Ishte një mot i mirë, shumë i përshtatshëm për udhëtim, procedurat e kalimit të kufirit si në dalje të Kosovës, ashtu edhe të Maqedonisë ishin pa pritje, kështu që ishte mbrëmje kur hymë në territorin grek dhe vijuam rrugën për të mbërritur rreth orës 20.45 në sheshin “Aristoteli”, në qendër të Selanikut.
E shtunë, 28.09.2024. Mot me diell, i ngrohtë, temperatura verore, mbi 28 gradë Celsius. Kafenë e mëngjesit e pimë në një prej restoranteve në sheshin “Aristoteli”, i mbushur nga vizitorë të shumtë. Këtu aktualizova “guidën” turistike të vendeve që kisha planifikuar t’i vizitoja.
Dhe, jorastësisht, i provokuar nga historia, objektiv të parë për ta vizituar e kisha zgjedhur statujën e ish-kryeministrit grek, Eleftherios Venezelos (1864-1936), i cili ka “merita të veçanta” diplomatike në zgjerimin e shtetit grek me tokat shqiptare, me Çamërinë, pra në dëm të shtetit shqiptar.
Kisha lexuar për këtë personalitet politik, i cili me dinakëri diplomatike dhe me përfitime nga dobësitë e brendshme shqiptare kishte arritur ta bindte faktorin ndërkombëtar për të shtrembëruar historinë shqiptare, veçanërisht të asaj çame. Dihet se çështja çame dhe përgjithësisht çështja e minoritetit shqiptar në Greqi kishte lindur me vendimin e Konferencës së Londrës më 1913, e cila e shkëputi këtë trevë shqiptare dhe ia aneksoi Greqisë. Që atëherë kishte nisur një presion i vazhdueshëm, një politikë sistematike greke dhe e forcave të ndryshme ultranacionaliste për shkombëtarizimin e kësaj treve, duke përdorur të gjitha mënyrat:si tatimet e rënda, grabitjen e tokës, përjashtimin e popullsisë nga pjesëmarrja në administratën shtetërore, ndalimin edhunshëm të arsimit në gjuhën amtare, madje edhe në shkollat fillore, pastaj duke burgosur, dënuar e përdorur dhunë deri në masakra të përgjakshme, thjesht duke mohuar të drejtën historike të autoktonisë çame. Derisa edhe vetë historiani grek Tukididi, që ka shkruar për Luftën e Peloponezit, kishte pranuar se kur forcat athinase u futën në gjirin e Ambrakisë kishin takuar një popullsi lokale që nuk fliste greqisht, e që i referohej popullsisë çame… U largova nga ky shesh duke bërë përpjekje që ta lë prapa kujtesës atë realitet të dhembshëm të historisë sonë kombëtare…
Si një adhurues i historisë dhe arkeologjisë, gjithashtu vendet antike i kisha përzgjedhur që t’i vizitoja gjithashtu.
Qendra arkeologjike Forumi Romak ishte objektivi i radhës, ku gjurmë themelesh dhe muresh me harqe dhe shumëformëshe po ruheshin që nga koha romake, për të dëshmuar fuqinë e Perandorisë Romake dhe ekspansionin e saj të pafund. Mbijetesakohore e këtyre gjurmëve historike të mahniste, sado që nuk shihej ndonjë ndërhyrje e veçantë e shtetit grek për ruajtjen e tyre…
Harku i Galeriusit, një mbetje arkeologjike interesante nga koha antike, i ndërtuar në vitin 305 pas Krishtit për të festuar një fitore mbi persianët.
E vetmja mbetje në këmbë ishin 2 shtylla origjinale dhe një hark, i zbukuruar me skena beteje, por që flisnin shumë për atë kohë dhe zgjonin kureshtjen e shumë vizitorëve nga e gjithë bota.
Në anën perëndimore të kompleksit gjendet Rotunda, një nga monumentet më të vjetra të qytetit, e ndërtuar fillimisht si një mauzoleum për perandorin Galerius. Gjatë kohëve ajo ishte shndërruar në kishë, më vonë edhe në xhami, e tani ruante madhështinë e saj si një objekt shumë i veçantë, tërheqës për shumë vizitorë. Gjurmë të këtyre rrënojave gjenden edhe në anën lindore të qytetit, deri afër bregdetit, si vazhdimësi e të njëjtit kompleks, të cilat dëshmojnë përmasat e pallatit të këtij perandori, ngase Pallati Galerius ishte një pallat i lashtë romak, i vendosur në sheshin Navarinou të Selanikut, një qendër e shprehjes artistike, me rrugë interesante plot shfaqje dhe me një atmosferë të gjallë dhe kreative në sfondin urban të qytetit.
Jo larg ndodhet monumenti më ikonik i qytetit, Kulla e bardhë, një nga objektet më të lehta për t’u vizituar në Selanik. E ndërtuar në vitin 1535, me një lartësi prej 35 metrash, kulla ruan edhe sot tiparet e saj të kohës dhe nga lartësia e saj të mahnitin pamje spektakulare të qytetit. Kjo kullë ishte përdorur si burg gjatë pushtimit osman, ku shumë të burgosur ishin torturuar dhe ekzekutuar, prandaj kulla mori pseudonimin “Kulla e gjakut”ose “Kulla e kuqe”. Ajo ishte riemëruar “Kulla e bardhë” më 1890, pasi një i burgosur e kishte lyer tërësisht në të bardhë në këmbim të lirisë së tij…
Nga kulla, në platonë skaj bregdetit në veri ndodhet monumenti i Aleksandrit të Madh, pastaj instalacioni “Çadrat”, një skulpturë moderne dhe shumë tërheqëse për vizitorët, por që nuk më bëri ndonjë përshtypje të veçantë, me gjithë simbolikën e qëlluar, për të vijuar drejt objektivit qendror që kisha: shtëpisë së patriotit tonë të madh, Hasan Prishtina, në rrugën “Vasilissis Olgas”.
Një objekt i mirëmbajtur, por pa asnjë shenjë të së kaluarës së saj, sikur nuk përmbushte pritjet dhe nuk frymëzonte ndjesitë nacionaliste, prandaj edhe u largova i dëshpëruar për mungesën e gjurmëve të historisë sonë kombëtare dhe nga pafuqia e shtetit shqiptar që të rikthejë gjurmët shqiptare të këtij objekti…
Kishte edhe shumëçka për t’u vizituar në Selanik, ashtu si rendi dhe mikpritja e restoranteve, bashkë me cilësinë e shërbimeve dhe shijen e ushqimeve të bënin të ndiheshe mirë dhe tamam me ndjeshmërinë e një turisti.
Selaniku ka kohë që është një destinacion i preferuar për vizitorët, e tash mund të gjykoj se e arsyeton jehonën e mediave si një vend atraktiv, ngase ka ndërthurje të trashëgimisë historike dhe pasurisë kulturore aktuale me interes për t’u vizituar, derisa afërsia gjeografike e bën të lehtë qasjen rrugëve tokësore.
Autor: Muhamet Reçica
Të tjera nga Të tjera
E-Diaspora
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali E.D., një 41-vjeçar me origjinë shqiptare, banues në Azzano San Paolo, ka ndërruar jetë pas një...
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
-
Haziri: Diaspora nuk është determinuese e rezultatit të zgjedhjeve
Jeta në Zvicër
-
Nga 1 janari do të mund të ndryshohen në çdo moment disa modele të sigurimit shëndetësor Të mërkurën, Këshilli Federal vendosi hyrjen në fuqi të urdhëresës përkatëse për 1 janar 2025, ashgu...
-
Çmimet e pronave zvicerane nuk tregojnë shenja rënie
-
Shtatë gjëra që thjesht nuk mund t’i mbani sekret në Zvicër
-
Ulja e kostos dhe emigracioni: Sfidat me të cilat do të përballet Zvicra në vitin 2025
-
Shumica e zviceranëve nuk i pëlqejnë masat shtrënguese të qeverisë së tyre