Kosova

Kryeministri i Kosovës kushtëzon kthimin në dialog me dorëzimin e Radoiçiqit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Serbia dorëzimin e Milan Radoiçiqit, i cili mori përgjegjësinë për sulmin e armatosur të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë, për t’u kthyer në dialog.

Në një intervistë për “Bloomberg”, Kurti ka kërkuar nga Bashkimi Evropian të ushtrojë më shumë presion mbi Beogradin për të ndihmuar në lehtësimin e tensioneve me marrëveshjen për normalizim.

“Duhej të ndodhte dje. Unë besoj se është e mundur”, ka thënë ai, transmeton albinfo.ch.

Tutje ai ka theksuar se kritikat e BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për trajtimin që po i bën komunitetit serb janë të tepërta.

“Ata janë shumë të shqetësuar. Sa herë që ndërmarrim veprime, ka zëra alarmues për përshkallëzimin e mundshëm, por ja ku jemi — Kosova është më e mirë se kurrë më parë”, ka deklaruar ai.

“Përshtypja ime është se pikërisht për shkak se ne jemi të suksesshëm, Beogradi është më nervoz dhe rrjedhimisht më agresiv”, ka thënë ai.