Lajme

Thyhet xhamia shqiptare në Grenchen: Vidhen para dhe dëmtohet prona

Përveç vjedhjes së disa mijëra frangave, hajdutët kanë shkaktuar dëme të shumta në objekt. Në kërkim të plaçkës, ata kanë shkatërruar të gjitha bravat

Të shtunën mbrëma, është thyer Xhamia Ebu Hanife në Grenchen. Persona të panjohur kanë shkaktuar dëme të shumta materiale, transmeton albinfo.ch. Janë thyer dritaret dhe dyert dhe janë vjedhur para.

Pamjet e kamerave të vëzhgimit tregojnë tre persona të maskuar. “Ata ishin, si duket, profesionistë”, thotë Emir Abazi, anëtar bordi i komunitetit fetar islamik shqiptar, për “Grenchner Tagblatt”. Ai është tronditur nga depërtimi i fundjavës së kaluar: “Nuk e di se çfarë mund ta shtyjë dikë drejt këtij akti”.

Përveç vjedhjes së disa mijëra frangave, hajdutët kanë shkaktuar dëme të shumta në objekt, përcjell albinfo.ch. Në kërkim të plaçkës, të dyshuarit e panjohur shkatërruan të gjitha bravat dhe madje boshatisën dy aparate zjarri në dhomat e ndërtesës.

Për momentin nuk dihet shuma e dëmeve materiale të shkaktuara. Policia kantonale e Solothurnitpo zhvillon hetimet. Pas këtij rasti të plaçkitjes, xhamia është kontrolluar për të vendosur një sistem alarmi.