Lajme

Kur do të kemi edhe ne një deputet në Parlamentin austriak?

Prej shumë vjetësh, në të gjitha zgjedhje parlamentare, ka shumë shqiptarë që garojnë për ulëse në parlament. Mirëpo, deri më tani, pa sukses. Ende nuk kemi një emër shqiptar që përfaqëson nevojat e komunitetit tonë në parlamentin e shtetit austriak

Rëndësia që ka pjesëmarrja e komunitetit shqiptar në jetën politike në Austri është e padiskutueshme. Por, nisur nga fakti se komuniteti shqiptar në Austri ende nuk ka arritur të ketë një deputet në parlamentin e këtushëm, revista Albinfo.at ka trajtuar pikërisht këtë temë, duke folur mbi çalimin dhe  përvojën e disa kandidatëve që kanë pasur gjatë zgjedhjeve të mëhershme.

Aktivisti Januz Saliuka, i cili për 30 vjet merret me aktivitete të ndryshme, duke ndihmuar dhe kontribuar në integrimin e shqiptarëve të Austrisë, përkatësisht atyre të Vjenës, ka folur për arsyet e moszgjedhjes së një deputeti shqiptar në Parlamentin austriak.

“Unë mendoj se është një zgjim i vonshëm që ne si komunitet të merremi me politikën që zhvillohet në atë vend. Kjo s’ është aspak e çuditshme, pasi që jemi shteti i fundit që përjetoi luftën e fundit në Ballkan. Kështu që më shumë jemi marrë me politikën ditore të vendlindjes apo prejardhjes, se sa me ato në vendet ku jetojmë. E më mirë do të ishte e kundërta, që ne të angazhohemi në politikën e vendeve ku jetojmë dhe të krijojmë lobime pune, përkrahje të vendit të prejardhjes”.

Saliuka thekson se si komunitet, kur ka një kandidat shqiptar, nuk mendon fare se çfarë do të sjellë ai deputet që përfaqëson komunitetin dhe sa do të ishte, mes tjerash, edhe zëdhënës për nevojat e shqiptarëve.

Pjesëmarrje e ulët në zgjedhje e shqiptarëve me të drejtë vote

Nga ana tjetër, Adriana Sherifi, e cila njihet në Linz si udhëheqëse e disa shoqatave shqiptare, aktiviste e dalluar për të drejtat e të huajve, sidomos e grave në Austri dhe që më parë ka kandiduar nga radhët e Partisë Soical–Demokrate (SPÖ), mendon se ka disa faktorë që ndikojnë në këtë situatë.

“Së pari, përfaqësimi politik kërkon mobilizim të madh dhe përkrahje të gjerë nga komuniteti, por shpeshherë shqiptarët në Austri nuk janë të mirorganizuar në mënyrë të mjaftueshme për të arritur këtë qëllim. Së dyti, pjesëmarrja në votime nga ana e komunitetit tonë është shpesh e ulët. Shumë shqiptarë që kanë të drejtë vote ndoshta nuk janë plotësisht të përfshirë në proceset politike ose nuk shohin përfaqësim të drejtpërdrejtë të interesave të tyre. Dhe, së treti, partitë kryesore austriake nuk kanë qenë gjithmonë të gatshme për të investuar në kandidatët nga komunitetet minoritare, përfshirë shqiptarët, që të sigurojnë mbështetje të gjerë në popullatë”, shprehet ajo.

Po ashtu edhe Drita Cacaj, një figurë e njohur e komunitetit shqiptar në Austri, si dhe anëtare e partisë ÖVP, ndan të njëjtin mendim, që sipas saj, mossuksesi i kandidatëve shqiptarë për moszgjidhje qëndron për shkak se mungojnë disa faktorë.

“Faktorët kryesorë janë interesimi, koordinimi dhe lobimi jo i duhur dhe esenciale mendoj që na duhet një udhëheqje më e mirë e dinjitoze”, thotë ajo.

Përkrahja nga komuniteti, vetëm deklarative

Vlen të theksohet se Januz Saliuka, ashtu sikurse Adriana Sherifi dhe Drita Cacaj kanë qenë kandidatë në zgjedhjet austriake për vite, mirëpo nuk janë zgjedhur për disa arsye që, sipas tyre, janë të natyrave të ndryshme.

Të pyetur nga revista Albinfo.at se cilat ka qenë përvojat e tyre me komunitetin shqiptar dhe sa kanë pasur përkrahjen e tyre, Saliuka shrehet: “Po, isha kandidat në disa zgjedhje, si ato të landit, ashtu edhe nacionale. Mund të them se jam njohës i mirë i komunitetit, pasi që i përcjell zhvillimet dhe aktivitetet në dyzetvjeçarin e fundit si pjesëmarrës aktiv”.

Ai tregon se përkrahja deklarative ishte në nivel të lartë, por pjesëmarrja në zgjedhje e shqiptarëve në Austri është ende në fazën “fëmijërore”.

“Ne kemi një gjeneratë të tërë që ka kaluar nga një sistem monizmi në sistem demokratik, apo nga lufta në paqe, kështu që është dashur kohë që të mësohemi me kuptimin e zgjedhjeve demokratike dhe rëndësinë e tyre në zhvillimet politike të Austrisë”, shprehet ai.

Gjithashtu edhe Drita Cacaj tregon se ka qenë kandidate në të dy nivelet, mirëpo suksesi ka munguar.

“Arsyet i atribuoj se nuk kishte vullnet, as interesim dhe nuk kuptohet akoma rëndësia se çfarë do të thotë të kemi përfaqësues në nivel shtetëror. Përkrahja ka qenë shumë e vogël, që të mos them fare nga komuniteti ynë, këtë e them me keqardhje”, tregon ajo.

Nga ana tjetër, Adriana Sherifi e sheh më ndryshe angazhimin politik të shqiptarëve në Austri.

“Përvoja ime me komunitetin shqiptar ka qenë pozitive dhe sfiduese njëkohësisht. Kam kandiduar në nivelin komunal në Linz dhe, edhe pse isha e radhitur më poshtë në listë, arrita të marr më shumë vota sesa shumë nga kandidatët austriakë. Kjo tregon se kam pasur mbështetje nga individë të përkushtuar të komunitetit tonë dhe nga ata që besonin në vizionin tim. Por, gjithashtu, është e qartë se ka nevojë për më shumë organizim dhe përfshirje nga komuniteti, që të rrisim ndjeshëm përfaqësimin tonë. Shqiptarët në Austri janë një komunitet me shumë potencial, por shpesh mungon ndërlidhja dhe bashkëpunimi për të avancuar agjendat tona politike. Gjithsesi, ndjehem krenare që kam arritur të tërheq vëmendjen e komunitetit tanë, në Linz”, shprehet ajo.

Partitë politike që garojnë në zgjedhjet nacionale të Austrisë janë të interesuara për votën e shqiptarëve

Saliuka ka folur edhe mbi qasjen e komunitetit shqiptar për të pasur një deputet në parlament dhe e sheh gati të pamundur pikërisht për një arsye të fortë.

“Në Austri, secila parti e dëshiron votën e shqiptarëve që jetojnë aty dhe kur votat shpërndahen në të gjitha këto parti garuese, natyrisht që asnjë kandidati shqiptar nuk do t’i mjaftojnë për t’u zgjedhur”, tregon ai.

Ndërkohë, Adriana Sherifi tregon disa mënyra se si duhet t’i qasen kandidatët komunitetit shqiptar, për të pasur një deputet në Parlament.

“Duhet të forcojmë unitetin tonë dhe të ndërtojmë një ndjenjë të përbashkët të qëllimit dhe mbështetjes. Kjo përfshin angazhimin e të rinjve, edukimin e tyre mbi proceset politike, si dhe inkurajimin e tyre për të votuar dhe për të marrë pjesë aktive në çështjet publike. Gjithashtu, duhet të krijojmë platforma, ku mund të diskutojmë haptazi dhe të koordinojmë veprimet tona në nivel kombëtar. Është e rëndësishme që shqiptarët të shohin një ndërlidhje mes përfaqësimit politik dhe përmirësimit të kushteve të tyre të jetesës, kështu që duhet të mbështesim ata kandidatë që janë të përkushtuar dhe që punojnë për interesin e komunitetit”, shprehet ajo.

Ndryshe nga Ardiana, Drita Cacaj mendon se duhet të kemi një udhëheqësi të re, me persona dinjitozë e punëtorë, që e kuptojnë rëndësinë e kuptimit të unifikimit për t’u përfaqësuar në politikat që i mungojnë komunitetit shqiptar.