Lajme

Kujtim Ahmeti pret mbështetjen e shqiptarëve në zgjedhjet për Parlamentin e Kantonit Aargau

Me këtë rast ai kërkon mbështetjen e qytetarëve zviceranë, por një mbështetje të madhe pret edhe nga bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Kantonin Aargau

Shqiptarët, sikurse dhe popujt e tjerë, janë pjesë integrale në gjithë botën, duke u bërë pjesë e politikës në vendet ku ata jetojnë. I tillë është rasti edhe me Kujtim Ahmetin, i cili prej shumë vjetësh jeton në kantonin e Aargaut, në Zvicër.

Kujtimi është kandidat për Këshillin (Parlamentin) e Aargaut, nën siglën e koalicionit “PS – Partia Socialdemokrate dhe JUSO”. Zgjedhjet për këtë këshill do të zhvillohen më 20 tetor të këtij viti, shkruan albinfo.ch. Me këtë rast ai kërkon mbështetjen e qytetarëve zviceranë, por një mbështetje të madhe pret edhe nga bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Kantonin Aargau, në Zvicër.

Kujtim Ahmeti është i lindur në vitin 1979. Ai është specialist i kualifikuar i infermierisë, me diplomë master në gerontologji. “Politika ime bazohet në të ardhmen dhe besimin. Unë luftoj me vendosmëri kundër gjuhës së urrejtjes dhe nxitjes së frikës. Unë jam i pasionuar për mirëqenien e të gjithëve”, thotë Kujtimi, i pyetur nga mediat zvicerane në prag të zgjedhjeve.

Ndërsa pyetjes se çfarë do të ndërmerrte nëse do të zgjidhej në Parlamentin e kantonit, ai përgjigjet: “Nisma ime e parë në Këshillin e Madh do të synonte promovimin e punës me kohë të pjesshme dhe modeleve fleksibël të punës. Nga kjo do të përfitonin familjet, prindërit e vetëm dhe punëtorët e moshuar, do të përmirësohej ekuilibri punë-jetë dhe në të njëjtën kohë do të zbutej mungesa e punëtorëve të kualifikuar”.

Shqiptarët me të drejtë vote në Zvicër dhe që jetojnë në Kantonin e Aargau-t mund të votojnë të dielën, më 20 tetor 2024, për Kujtim Ahmetin  (Kand.-Nr.: 02.03).