Kosova

Haradinaj nga Berna për zgjedhjet e 9 shkurtit: Diaspora do të jetë krah i fortë i ndryshimit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë një tubimi në Bernë, ka deklaruar se diaspora do të jetë krah i fortë i ndryshimit që do të ndodh pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Ai ka zhvilluar takim me bashkëatdhetarët në Bernë, tubim të cilin e ka quajtur madhështor dhe u shpreh se u është drejtuar vëllezërve e motrave në Zvicër, duke i shikuar secilin sy më sy dhe duke u garantuar përkushtim e shërbim ndaj atdheut, transmeton albinfo.ch.

Postimi i tij i plotë:

Në një tubim madhështor në Bernë të Zvicrës, mes vëllezërve e motrave tona, bashkëbiseduam hapur për sfidat që i ka Kosova dhe nevojat e saj në këto rrethana jo të lehta. Para tyre e elaborova hapur situatën e tanishme, situatë që përcillet me brengosje nga secili shqiptar kudo që është.

Rrugëtimi momental i Kosovës është i gabuar, ai duhet të marrë kahje tjetër. Kosova duhet të marrë disa hapa të vërtetë për të ecur përpara. Vizioni i Aleancës dhe partnerët e saj në koalicion, Kosovën e rikthen në perspektivën e saj për anëtarësim në NATO, zhvillim ekonomik e për ta bërë vend të jetueshëm e jo të braktisur. Anëtarësimi në NATO është frymëmarrje e lirë për secilin qytetar dhe hapi i cili e siguron lirinë tonë.

Aleanca del para qytetarëve të saj me një moto të thjeshtë e të kuptueshme; “Per një Kosovë ndryshe”. Për një Kosovë, për të cilën është punuar ndër breza dhe janë burgosur dhe e kanë dhënë jetën mijëra luftëtarë e patriotë.

Vizioni ynë i shprehur në program për ta patur një Kosovë ndryshe, një Kosovë më të plotë, më sovrane, më të fortë, më demokratike e më të zhvilluar, qëndron mbi 4 shtylla:

  1. Anëtarësimi urgjent i Kosovës në Nato;
  2. Zhvillimi i hovshëm Ekonomik;
  3. Përmbyllja e Dialogut me Serbinë me njohje reciproke dhe integrim në BE;
  4. Kosova shtet i jetueshëm e jo i braktisur.

Ju drejtova vëllezërve e motrave në Zvicër, duke i shikuar secilin sy më sy dhe i garantova një përkushtim e shërbim ndaj Atdheut.

Diaspora do të jetë krah i fortë i ndryshimit që do të ndodh më 9 shkurt. Jemi bashkë për Kosovën ndryshe!