Kriza në Ukrainë

Finlanda do të vendosë bazën kyçe të NATO-s pranë kufirit me Rusinë

Më pak se 200 kilometra nga kufiri i saj me Rusinë, Finlanda do të vendosë një bazë kyçe të NATO-s, teksa ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se me këtë rast vendi po i dërgon një mesazh fqinjit të saj lindor, transmeton albinfo.ch.

Ministri finlandez i Mbrojtjes, Antti Hakkanen ka deklaruar se selia e re e NATO-s për njësinë e komandës tokësore të Evropës Veriore do të jetë në Mikkeli, një nga qytetet më të afërta me kufirin 1,340 kilometra të Finlandës me Rusinë.

“Finlanda po i dërgon një mesazh Rusisë se ne jemi një anëtare e plotë e NATO-s dhe se NATO ka një rol shumë të fortë edhe në mbrojtjen e Finlandës. Duke kombinuar vendndodhjet, ne arrijmë sinergjinë më të mirë të mundshme midis menaxhimit të mbrojtjes kombëtare dhe menaxhimit të mbrojtjes së NATO-s”, tha Hakkanen në një konferencë për shtyp.

Tutje ai ka thënë se selia do të përbëhet nga disa dhjetëra njerëz nga vende të ndryshme të NATO-s.