Kriza në Ukrainë

SHBA dhuron ndihmë ushtarake në vlerë të rreth tetë miliardë dollarëve për Ukrainën

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të dërgojnë rreth tetë miliardë dollarë ndihmë ushtarake në Ukrainë.

Gjatë vizitës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, në SHBA, do të bëhet i ditur plani i plotë, transmeton albinfo.ch.

Administrata e presidentit aktual amerikan, Joe Biden, po ushtron presion ndaj anëtarëve të Kongresit amerikan që të lëshojnë rreth 5.6 miliardë dollarë ndihmë direkte për ushtrinë ukrainase para fundit të muajit shtator, raporton Reuters.

Zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se Shtëpia e Bardhë synon të njoftojë Kongresin se do të fillojë të shpallë tërheqjen e 5.6 miliardë dollarëve nga rezervat ushtarake amerikane, teksa përmbajtja e asaj pakete ende nuk është përpunuar plotësisht.

Një tjetër njoftim i planifikuar për të enjten do të jenë 2.4 miliardë dollarë ndihmë përmes programit të Iniciativës për Sigurinë e Ukrainës, i cili lejon administratën të blejë armë për Ukrainën nga kompanitë në vend që t’i marrë ato nga rezervat amerikane. Kjo ndihmë do të përfshijë municione, armë anti-drone dhe materiale për të mbështetur prodhimin e municioneve në Ukrainë, tha një zyrtar amerikan.