Kosova

Shqipëria do të bëjë një hap historik në procesin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian

Mësohet se Shqipëria do të bëjë më 15 tetor një hap historik në procesin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke hapur kapitullin e parë në këto negociata, përcjell albinfo.ch.

Në fakt kjo shënon nisjen e negociatave, pasi Konferenca e parë ndërqeveritare e zhvilluar para dy vjetësh shënoi vetëm nisjen e procesit të “screeningut”. 

Ani pse i kishte përmbushur kriteret teknike, ishte bllokuar nga ana e Greqisë. Për të lëvizur në secilin hap në procesin e zgjerimit është i domosdoshëm pajtimi i të gjitha vendeve anëtare. Siç mëson KOHA, javën e shkuar Greqia kishte hequr kundërshtimin e saj dhe pas kësaj ishte arritur pajtimi i të gjitha vendeve anëtare të BE-së në grupin punues për zgjerim.

Ndërkohë, presidenca hungareze e BE-së, e cila edhe e ka rolin e udhëheqjes së procesit negociues, i ka njoftuar vendet anëtare, si dhe Shqipërinë, për hapjen e këtij kapitulli më datën 15 tetor në një Konferencë ndërqeveritare me Shqipërinë.  

“Konferenca ndërqeveritare” quhen takimet mes përfaqësuesve të vendeve anëtare të BE-së në njërën anë dhe vendit kandidat, nga ana tjetër.  Të dyja palët formalisht paraqesin pozitën e tyre negociuese dhe pastaj hapet kapitulli përkatës.

Hungaria, në cilësinë e kryesuesit të radhës, ka njoftuar se Shqipëria “në mënyrë të kënaqshme i ka përmbushur kushtet për të hapur këtë klaster”. 

Sipas metodologjisë së re të zgjerimit, të miratuar me kërkesë të Francës dhe Holandës, klasteri për “fundamentalet”, që ka të bëjë me drejtësinë e sundimin e ligjit. BE-ja e konsideron këtë si kapitull kryesor dhe avancimi në këtë kapitull dikton edhe avancimin në kapitujt tjerë. Gjithsej janë 35 kapituj në procesin e negociatave. 

Hapja e kapitullit të parë me Republikën e Shqipërisë do të shënojë edhe ndarjen e rrugës me Republikën e Maqedonisë së Veriut. Edhe pse procesi i zgjerimit është i bazuar në “meritat individuale të kandidatëve” ky është dhe proces politik prandaj shpesh është dashur që një vend të presë vendin tjetër. Për një kohë të gjatë vendimet në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut janë marrë në të njëjtën kohë. Por tash është vlerësuar se Qeveria e Maqedonisë së Veriut nuk ka dhënë as shenja se është e gatshme t’i përmbushë disa kushte në raportet e saja fqinjësore me Bullgarinë që kanë të bëjnë edhe me pozitën e pakicës bullgare në Maqedoninë e Veriut. Për më tepër janë vënë në pikëpyetje edhe disa vendime të mëhershme që Shkupi i kishte miratuar si kusht për avancim në BE. Pasi në Bullgari së shpejti pritet të zhvillohen zgjedhjet është vështirë të besohet se në këto rrethana Sofja do ta heqë kundërshtimin e saj.

Maqedonia e Veriut është vendi i parë i rajonit të Ballkanit Perëndimor që kishte nisur rrugëtimin drejt BE-së, madje edhe para Kroacisë. Kroacia tash e 11 vjet është vend anëtar i BE-së ndërsa Maqedonia e Veriut praktikisht as nuk i ka nisur negociatat.  Disa vite ishte bllokuar nga Greqia për shkak të mospajtimeve rreth çështjes së emrit. Kur ishte hequr kjo pengesë, pasi vendi ndërroi emrin në “Maqedonia e Veriut” u paraqit bllokada nga Bullgaria. Dhe kjo mbetet pengesë në rrugëtimin e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së.  

Në BE thonë se tash Shqipëria, nëse vazhdon përmbushjen e kushteve, mund të hapë edhe kapituj tjerë. Rasti i radhës pritet të jetë dhjetori i këtij viti kur Shqipëria do të mund të hapte kapituj tjerë negociues në procesin e anëtarësimit në BE.