Lajme

Anila Morina: “Do të bart denjësisht zërin e shqiptarëve në Parlamentin austriak”

Anila Morina është një kandidate shqiptare që po garon në zgjedhjet e 29 shtatorit për parlamentin austriak. Duke qenë se ka kaluar vetë në sfidat e integrimit në shoqërinë austriake, ajo ka parë rëndësinë që politika luan në këtë aspekt dhe iu bashkua asaj. Anila është anëtare e Partisë Popullore Austriake (ÖVP).

Anila Morina, e lindur dhe e rritur në Tiranë, pasi përfundoi studimet për Matematikë, migroi në Austri si azilkërkuese, më 1997. Duke pasur prioritet edukimin, arriti që pas një kohe të punësohet si profesoreshë e matematikës në Shkollën e Lartë Teknike, në Leonding. Ajo ka vite që është pjesë e ÖVP-së dhe sot kërkon votën e bashkatdhetarëve shqiptarë për të përfaqësuar qytetin e Linz-it në Parlamentin austriak.

“Kjo është hera e parë që kandidoj në zgjedhjet parlamentare, por interesimi për politikën ka qenë gjithmonë një pjesë e rëndësishme e jetës sime”, thotë ajo për albinfo.at.
Angazhimi i saj në politikë ka filluar nga përvoja personale dhe profesionale. Anila ka parë nga afër sfidat e integrimit dhe rëndësinë e politikes në këtë proces. Kjo e ka motivuar të kontribuojë më shumë për të mirën e përbashkët. “Bashkëpunimi im me ÖVP ka qenë një zgjedhje e natyrshme për mua, pasi jam ndier e përfaqësuar nga vlerat dhe politikat që promovon kjo parti, veçanërisht në fushën e arsimit dhe integrimit”, shprehet në vazhdim ajo.

Fokusi i Anilës: Integrim, si dhe barazi sociale dhe ekonomike


Dëshira për të përmirësuar sistemin arsimor dhe për të krijuar kushte më të mira për integrim në Austri, bën pjesë ndër arsyet pse Anila ka vendosur të kandidojë në zgjedhjet e shtatorit.

“Motivimi im për të kandiduar vjen nga dëshira si grua, nënë dhe mësuese për të bërë një ndryshim  në jetën e njerëzve, veçanërisht në fushën e arsimit dhe integrimit. Duke qenë se kam përjetuar vetë sfidat e integrimit dhe kam punuar gjatë gjithë jetës sime për të ndihmuar të rinjtë të arrijnë sukses në arsim dhe në jetë, e di se sa e rëndësishme është të angazhohem dhe  të jem një zë për ata që nuk janë te përfaqësuar mjaftueshëm në politik”, thotë ajo.
Qëllimi i saj gjatë fushatës ishte takimi me qytetarë të shumtë për të përmirësuar mirëqenien e tyre duke krijuar barazi sociale dhe ekonomike.

“Fushatën time zgjedhore e zhvilloj duke u fokusuar në komunikim  të drejtpërdrejtë me votuesit. Jam e përqendruar në takime me komunitetin dhe diskutime me qytetarët për të dëgjuar shqetësimet dhe nevojat e tyre. Pikat kryesore të fushatës sime përfshijnë përmirësimin e sistemit arsimor, promovimin e integrimit dhe barazinë sociale dhe ekonomike. Unë besoj se përmes këtyre pikave mund të bëjmë një ndryshim të madh në jetën e njerëzve. Unë dua të jem zëri i të gjithë atyre që kërkojnë mundësi të barabarta, veçanërisht në fushën e arsimit dhe integrimit. Dua që zëri i të gjithë atyre që nuk janë ndier të përfaqësuar më parë të dëgjohet dhe të këtë një ndikim në vendimet e ardhshme të politikes”, ka pohuar për albinfo.at Anila.

Kur shtjellon programin zgjedhor, Anila thekson se prioritet i ÖVP-së është përmirësimi i sistemit arsimor, rritja e sigurisë, dhe fuqizimi i familjes.

“Programi im fokusohet në përputhje me prioritetet kryesore të ÖVP-së. ÖVP-ja thekson rëndësinë e arritjeve personale dhe profesionale (Leistung), sigurisë (Sicherheit), dhe mbështetjen për familjet (Familie). Së pari, dua të përmirësoj sistemin arsimor, duke siguruar që çdo fëmijë të ketë mundësi të barabarta për sukses, që përputhet me vlerën e arritjeve personale dhe profesionale( *Leistung*). Së dyti, do të angazhohem për rritjen e sigurisë duke përfshirë edhe ndihmën për integrimin e plotë në shoqërinë austriake (*Sicherheit*). Dhe, së treti, mbështetja për familjet është thelbësore për mua; do të punoj për politika që mbështesin dhe fuqizojnë familjet në çdo aspekt të jetës së tyre (*Familie*)”, ka shtuar ajo.

Përkrahje e madhe e shqiptarëve

Anila ka thënë se ajo ka marrë përkrahje të madhe nga komuniteti shqiptar për kandidaturën e saj. Ajo është shprehur optimiste se do ta fitojë besimin e tyre dhe do të arrijë të jetë zëri që i përfaqëson në parlament.

“Jam shumë optimiste dhe e vendosur për këtë kandidaturë. Unë besoj se përvoja ime, angazhimi dhe mbështetja nga komuniteti im do të më ndihmojnë të arrij këtë qëllim dhe të përfaqësoj denjësisht zërin e shqiptarëve dhe të gjithë atyre që besojnë në vlera të përbashkëta. Mendoj se do të kem një mbështetje të fuqishme nga komuniteti shqiptar në Austri, sepse kam ndarë përvoja të ngjashme që nga ardhja ime këtu, në vitin 1997. Unë i kuptoj nga përvoja personale sfidat me të cilat ky komunitet është përballur dhe jam përkushtuar të ndihmoj çdo njeri që ka pasur nevojë. Mendoj se duhet të më votojnë, sepse unë jam një zë i fuqishëm për ta dhe do të punoj pa u lodhur për të mbrojtur interesat e tyre dhe për të siguruar që ata të kenë mundësi të barabarta dhe një përfaqësim të drejtë në shoqëri”, ka thënë ajo.

Anila teksa kërkon votën e qytetarëve, thotë se “së bashku mund të krijojmë një shoqëri më të drejtë, ku secili ka mundësi të barabarta për sukses”.