Lajme

BE: 10 miliardë euro për vendet e goditura nga përmbytjet

BE-ja vë në dispozicion 10 miliardë euro për vendet e goditura nga përmbytjet. Gjermania i ka ofruar Polonisë ushtarë për të ndihmuar në zonat e prekura nga përmbytjet e rënda, përcjell albinfo.ch.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, njoftoi se BE-ja do të vërë në dispozicion një fond prej 10 miliardë eurosh për të mbështetur vendet anëtare të prekura nga përmbytjet shkatërrimtare të shkaktuara nga stuhia Boris.

“Ne mund të vëmë fillimisht 10 miliardë euro në dispozicion nga fondet e kohezionit për vendet që janë prekur. Ky është reagim urgjent”, tha Von der Leyen në qytetin polak të Vroclov, ku u takua me liderët e katër vendeve të goditura nga përmbytjet.

Von der Leyen u shpreh e prekur thellë nga përmasat e dëmeve në rajonet e prekura dhe tha “m’u thye zemra kur pashë shkatërrimet prej përmbytjeve”.

Gjermania i ofron ndihmë ushtarake Polonisë

Gjermania i ofroi Polonisë ushtarë për të ndihmuar në zonat e prekura nga përmbytjet e rënda. Ministria e Mbrojtjes i tha agjencisë gjermane të lajmeve DPA se kryeministri polak, Donald Tusk, e ka pranuar ndihmën nga Gjermania.

Donald Tusk tha për mediat polake: “Nëse shihni ushtarë gjermanë, ju lutemi mos u frikësoni. Ata vijnë për ndihmë. Pra mos kini dyshime”, tha Tusk.

Komentet e tij lidheshin me pushtimin e Polonisë nga Gjermania naziste në vitin 1939, të cilat kanë shkaktuar ndjenjat antigjermane që janë ende të pranishme në Poloni edhe sot.

Polonia është përballur me përmbytje të mëdha, veçanërisht në jugperëndim, dhe ka dërguar atje aktualisht rreth 16,000 ushtarë për të ndihmuar në zonat e prekura. /DW