Kosova

Kosova dhe Gjermania diskutojnë çështje sociale

Delegacioni nga Komisioni i Punës dhe Çështjeve Sociale nga Parlamenti Gjerman, që ka nisur një vizitë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, po mban takimin e parë në Prishtinë me Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale dhe Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Takimi synon të gjejë mënyra bashkëpunimi ndërmjet të dyja vendeve, të cilat kanë bashkëpunim të ngushtë në fushën e shëndetësisë. Ikja dhe largimi i infermierëve dhe mjekëve në shtetet e BE-së, sidomos në Gjermani, ishte çështje diskutimi mes dy delegacioneve. Anelika Glückner, deputete gjermane, tha se kjo vizitë në rajon do të ndikojë që të njohin sa më shumë nevojat për përmirësim të jetës sociale-shëndetësore të vendeve përkatëse.

“Për ne është më interes që të lidhim sa më shumë marrëveshje, duke pasur parasysh situatat në të dyja vendet. Kemi marrëveshje me Indinë dhe vende të tjera nga Azia”, tha Glückner.

Deputetja e LVV-së, Fatmire Kollçaku, që është edhe kryetare e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi në Kuvendin e Kosovës, vlerësoi mundësinë e bashkëpunimit në funksionalizimin e ndërmarrjeve sociale.

“Qeveria po subvencionon qytetarët në pajisje efiçiente dhe po bëjmë ndryshime të mëdha në pjesën e legjislativit për të përmirësuar jetën sociale në Kosovë. Kosova dhe Gjermania kanë një bashkëpunim të madh në fushën e shëndetësisë, dëshira jonë mbetet që mjekët tanë të përfitojnë nga avancimet në mjekësi në shtetin tuaj dhe këto përvoja t’i sjellin në vendin e tyre. Pra, qëllimi ynë është që ata të kthehen në Kosovë dhe të kontribuojnë në vendin tonë. Sigurisht për ne është më rëndësi të dimë për mirëqenien e gjithë kosovarëve në Gjermani, jo vetëm për ata që janë atje me kontrata pune, por edhe kosovarët që kanë shtetësi gjermane”, tha Kollçaku.