Lajme

Përmbytjet në Europën Qendrore, autoritetet paralajmërojnë: Më e keqja s’ka ardhur ende

Numri i të vdekurve nga shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbytjet në Europën Qendrore dhe Lindore është rritur në të paktën 16, me disa të tjerë të zhdukur, pasi autoritetet raportuan vdekje në Republikën Çeke, Poloni dhe Austri dhe paralajmëruan se më e keqja nuk ka ardhur ende, përcjell albinfo.ch.

Numri i viktimave në Poloni u rrit në pesë, pasi një kirurg që kthehej nga puna u mbyt në qytetin jugperëndimor të Nysa, ku spitali u evakuua dhe pacientët u shpëtuan me gomone. Katër persona të tjerë kishin vdekur në qytetet jugore të Bielsko-Biała dhe Lądek-Zdrój, thanë zjarrfikësit.

Në Austri, media lokale raportoi se dy burra të moshës 70 dhe 80 vjeç u mbytën pasi u bllokuan nga përmbytja e ujit në shtëpitë e tyre në qytetet Böheimkirchen dhe Sierndorf, të dy në Austri.

Shefi i policisë çeke, Martin Vondrášek, i tha radios lokale se një grua ishte mbytur në një përrua që vërshoi pranë Bruntalit, një qytet me rreth 15,000 banorë në veri-lindje të vendit, ndërsa shtatë persona të tjerë ishin ende të pagjetur.

Qindra-mijëra njerëz u evakuuan nga shtëpitë e tyre në një zonë të Austrisë, Republikës Çeke, Hungarisë, Rumanisë dhe Sllovakisë pasi stuhia Boris shkaktoi përmbytjet më të këqija të regjistruara në rajon për më shumë se dy dekada.

Uji i përmbytjeve shpërtheu diga, përmbyti rrugë, ndërpreu energjinë elektrike dhe në disa vende zhyti lagje të tëra.