Integrimi
Një histori mbi Zvicrën dhe shqiptarët, e shkruar duke ngjitur alpet
Enver Robelli, bashkautor: "Ky libër nuk është thjesht një libër mbi ecjet. Është diçka më shumë: është historia e Zvicrës e shkruar nga dy autorë shqiptarë"
Të shtunën që shkoi është promovuar në Cyrih libri “Si e zbuluam Zvicrën duke ecur. Një shtegtim nëpër alpe dhe histori”, i autorëve: Enver Robelli e Omer Xhemali.
Promovimi ka mbledhur një numër të madh dashamirësh të librit, nga Zvicra e më gjerë, përfshirë këtu edhe përfaqësues diplomatikë të Kosovës dhe Shqipërisë në Zvicër, pastaj njerëz nga sfera e biznesit, kulturës etj. Në mesin e të ftuarve ishte edhe akademiku i shquar, kritiku dhe studiuesi i njohur letrar, Dr. Ali Aliu, anëtar i tri akademive të shkencave dhe të arteve: Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë, i cili ka mbajtur një fjalë mbi librin e promovuar.
Promovimin e ka drejtuar Arela Statovci, aktiviste e njohur në skenën politike dhe shoqërore të Zvicrës gjermane, e cila ka bërë fillimisht një hyrje të prezantimit të librit dhe të autorëve.
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi, duke marrë i pari fjalën në këtë aktivitet, ka folur për librin e promovuar si “një libër i hapur”, për faktin se, ndryshe nga librat tjerë, që lindin nga përsiatjet e autorëve, në vetmi, ai ka dalë si rezultat i rrugëtimeve që autorët kanë realizuar së bashku, maleve të Zvicrës. Latifi ka thënë tutje se ky libër do të duhej të inspironte lexuesit për të eksploruar jo vetëm bukuritë e Zvicrës por edhe ato të Kosovës, Shqipërisë dhe trojeve tjera shqiptare. Ai ka apeluar te bashkatdhetarët që të organizojnë sa më shumë aktivitete të tilla kulturore sikur ky i fundit, për të kultivuar vlerat kulturore nga atdheu dhe për të shënjuar ekzistencën tonë këtu.
Bashkautori i librit, kardiokirurgu i njohur, dr. Omer Xhemali, aktualisht drejtor i Kardiokirurgjisë në Spitalin Universitar të Cyrihut, ka folur rreth përvojave të tij të ngjitjeve maleve të Zvicrës, të cilat i ka quajtur pasurim të përvojës së tij jetësore dhe mundësi për relaksim. Por, më shumë se kaq, ai ka vlerësuar kohën që ka kaluar në këto shtegtime për mundësinë që i ka dhënë për të shkëmbyer mendime mbi çështje nga më të ndryshmet, me Enver Robellin dhe me shoqëruesit tjerë.
Akademiku Dr. Ali Aliu, i cili kishte ardhur enkas nga Prishtina për këtë promovim, fillimisht ka vlerësuar lart librin, të cilin e kishte lexuar në dorëshkrim, dhe autorët e tij. “Është një libër krejt i veçantë, i shkruar nga dy autorë, të cilët, të dy në lëmenjtë e tyre kanë arritur majat. Arritjet e tyre flasin për vetëbesimin, që është një domosdo për realizimin e qëllimeve jo vetëm personale por edhe si komb. Është pikërisht vetëbesimi që na është pamundësuar e mohuar nga ata që nuk na kanë dashur”, ka thënë më tutje dr. Aliu.
Ai është ndalur tutje te vlerësimi i profilit prej publicisti e shkrimtari të Enver Robellit, të cilin e përcillte prej rreth njëzet vitesh. I kishte lënë përshtypje në veçanti libri i tij pararendës “Rrëfime të shkurtra për një ditë të gjatë”, në të cilin autori, me një kulturë të gjerë dhe me gjuhë të mprehtë ka skicuar portrete emrash të njohur nga letërsia, kultura dhe politika botërore, duke u ndalur në elemente pikante dhe tërheqëse nga jeta e tyre.
Akademiku Aliu ka folur edhe për ambiciet dhe synimet historike të shqiptarëve drejt vlerave perëndimore, të cilat Zvicra i përmbledh mbase në mënyrën më të përkryer.
Bashkautori i librit, Enver Robelli, i ka përshkruar kështu rrethanat e lindjes së librit, në fjalën e mbajtur në promovim. “Kur filluam të ecnim me Omer Xhemalin nëpër bjeshkët e Zvicrës para afërsisht 10 vitesh, nuk e menduam se një ditë shtatori të vitit 2024 do të gjendemi këtu para jush – me një libër prej gati 400 faqesh dhe të pasuruar me 1001 përvoja…”.
Ndërkaq, ecjet i kanë shërbyer atij edhe për të mësuar shumë rreth Zvicrës dhe shqiptarëve në Zvicër. “Kemi mësuar shumë gjatë ecjeve në dekadën e fundit. Andaj ky libër nuk është thjesht një libër mbi ecjet. Është diçka më shumë: është historia e Zvicrës e shkruar nga dy autorë shqiptarë. Para rreth 60 vitesh në Zvicër erdhën gastarbajterët e parë nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare të Jugosllavisë së atëhershme. Nuk ishin aq të mirëpritur… Por gjërat kanë ndryshuar shumë sidomos në dy dekadat e fundit. Mund të ndodhë që një ditë ta nisni në komunën tuaj me një pyetje mbi faturën e tatimeve. Dhe në anën tjetër të tavolinës detajet do t’ua shpjegojë një shqiptar. Pastaj shkoni në postë për të dorëzuar një letër dhe ndokush me mbiemrin Berisha apo Gashi do t’ju pyes: “A-Post oder B-Post?”, ka përshkruar Robelli evoluimin e pozitës dhe imazhit të shqiptarëve në Zvicër.
Duke folur për atë që kishin synuar autorët, duke shkruar këtë libër, ai shprehet”: “Një ambicie tjetër e librit është të heq pluhurin dhe të nxjerr në sipërfaqe disa histori shqiptare të Zvicrës. Këtu do ta gjeni aktorin Aleksandër Moisiun, priftin Lazër Shantoja, kryeministrin e Shqipërisë Fan Nolin, poetin Andon Zako Çajupi, albanologun Franz Baron Nopcsa, fisnikun Konstantin Araniti, i cili në Mesjetë ishte komandant i Gardës Zvicerane në Vatikan…”.
Fjalën e tij Robelli e ka përmbyllur me njoftimin për themelimin e shtëpisë së re botuese “Dora d`Istria”, e cila ka botuar pikërisht librin që po promovohej, që ishte libri i parë i saj.
“Çfarë fati do të ketë shtëpia botuese “Dora D’Istria”? Fati i saj është në duart e lexuesve dhe lexueseve shqiptarë – sidomos në mërgatë. Kushedi, ndoshta shfaqet në të ardhmen edhe ndonjë filantrop që lexon libra”, ka përfunduar ai fjalën e tij.
Moderimin e këtij aktiviteti promovues e ka bërë Arbela Statovci ndërsa Ridvan Murati e Mybera Berisha, kanë lexuar pjesë nga libri.
Të ngjashme
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu Më 10 dhjetor 2024, në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë...
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
-
Sot, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok”
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
Jeta në Zvicër
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës. Të mërkurën, ajo i kërkoi...
-
Kantoni i Gjenevës shqyrton mundësinë e pushimit para lindjes
-
Gjeneva shtyn afatin e pagesës pas rritjes masive të taksës së makinave
-
Gjykata Federale e njeh obezitetin si paaftësi në kushte të caktuara
-
Zvicra, kampion evropian në transportin hekurudhor