Lajme
Mall e dhimbje në përkujtimin e Dr. Sami Dalipit nga miqtë dhe kolegët
Akademia përkujtimore në Langenthal të Bernës është organizuar nga Lidhja Shqiptare në Botë dhe Lidhja e Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës
Tre muaj më parë pushoi së rrahuri zemra e mjekut dhe humanistit të çmuar të komunitetit shqiptar të Zvicrës, psikiatrit e psikoterapeutit, Dr. Sami Dalipi. Kjo datë bëri bashkë në Langenthal (BE) miqtë e tij të shumtë, të organizuar nga Lidhja Shqiptare në Botë dhe Lidhja e Mjekëve Shqiptarë të Zvicrës për të mbajtur një akademi përkujtimore kushtuar Dr. Samiut.
Dr. Gazmend Haliti, në cilësinë e përfaqësuesit të LMSHZ-së, ka drejtuar këtë komemoracion të përshkuar nga dhembja për humbjen e mikut, kolegut, familjarit Dr. Sami Dalipi. Të gjitha vdekjet janë të rënda për të afërmit e të ndjerit, por janë disa vdekje që lënë më shumë boshllëk pas vetes. E tillë ishte ndarja nga jeta e Dr. Dalipit, ishte vlerësimi i të gjithë atyre që morën fjalën dhe përmes lotëve kujtuan figurën e të ndjerit.
Për kryetarin e LMSHZ-së, Mentor Bilalin, vdekja e Dr. Samiut ishte një humbje e pakompensueshme, jo vetëm për familjen, por edhe për miqtë e tij që i kishte të shumtë dhe nga të gjitha shtresat e kategoritë. Ai me këtë rast veçoi afërsinë dhe thjeshtësinë që e karakterizonte të ndjerin si personalitet, për pozitivitetin dhe gatishmërinë e tij për të kaluar me humor e përzemërsi edhe situatat e ndërlikuara jetësore.
Ndërsa Nazmi Jakurti, kryetar i Lidhjes së Shqiptarëve në Botë dhe mik shumëvjeçar i Dalipit, në një fjalë të zgjeruar ka bërë portretizimin e mikut të tij, duke prekur shumë lëmenj në të cilët ai kishte lënë gjurmët e tij të çmuara. Ai ka folur për Samiun si mjek, si njeri, si mik, si publicist dhe si njeri me shpirt artisti.
“Ndarja e tij e hershme nga jeta, para tre muajsh, la pas një boshllëk të pazëvendësueshëm, jo vetëm në familje, jo vetëm në fushën e mjekësisë, por edhe në zemrat e të gjithë atyre që patën privilegjin ta njihnin (…). Dr. Sami Dalipi ishte më shumë se një psikiatër i aftë dhe i përkushtuar. Ai ishte një njeri i dashuruar me dijen dhe kërkimin shkencor, gjithmonë në kërkim të kuptimit më të thellë, të mendjes njerëzore dhe të shpirtit të njeriut.
Jakurti ka vënë në pah interesimet e gjera të Dr. Samiut në fusha që nuk i takonin profesionit të tij të ngushtë, mjekësisë. Ai pra ishte një njeri i pasionuar pas letërsisë, arteve në përgjithësi dhe muzikës dhe vallëzimit, në veçanti.
“Si ngushëllim për familjen, miqtë, kolegët e Samiut, por edhe për veten time, e them me bindje të plotë që Sami Dalipi e shijoi jetën në kuptimin e plotë të fjalës, ai ishte i përmbushur si në profesion, ashtu edhe në jetën private. Përkrah punës me shumë sukses si psikiatër dhe psikoterapeut, ai ndiqte pasionet e tij të shumta: lexonte, shkruante, udhëtonte, këndonte, vallëzonte, qeshte dhe na bënte për të qeshur…”, ka thënë veç tjerash Nazmi Jakurti në fjalën e tij.
Zëvendësambasadorja e Republikës së Kosovës në Zvicër, Shukrije Ramadani, ka ngushëlluar familjarët në emrin e Ambasadës dhe në emrin e saj personal. Ajo, duke vlerësuar lart personalitetin e Dr. Dalipit, në vazhdim ka evokuar kujtime nga njohja e saj e hershme me të, që nga shkolla e mesme në Gjilan, në fund të viteve `70 të shekullit të kaluar. Sipas saj, Samiun gjithmonë e ka karakterizuar sinqeriteti, empatia dhe afërsia e gatishmëria për të ndihmuar të gjithë ata që kishin nevojë.
Edhe sekretari i parë i Ambasadës së Shqipërisë në Zvicër, Valon Gashi, ka zgjedhur fjalët më të mira për Dr, Sami Dalipin, si personalitet i spikatur i komunitetit shqiptar të Zvicrës, por edhe si i njohur i tij nga rrethi familjar. Ai ka vlerësuar lart profesionalizmin dhe humanizmin e të ndjerit.
Publicisti dhe gazetari Enver Robelli, si mik shumëvjeçar dhe familjar i Dr. Dalipit, ka folur për pasionet dhe shpirtin artistik të mikut të tij duke evokuar, përmes lotësh, udhëtimet që kanë bërë bashkë deri në kohët e fundit. Ai ka spikatur humorin e hollë dhe gjithnjë pozitiv që e ka karakterizuar dr. Dalipin, i cili në këtë mënyrë ka përballuar sfidat jo të lehta shëndetësore të tij.
Këngëtari dhe kitaristi Valon Islamaj ka krijuar një atmosferë emocionale me dy këngët e tij të ndjera, përmbajtja dhe teksti i të cilave korrespondonte me dhimbjen, aq të pranishme në këtë homazh.
Në përmbyllje, e bija e Dr. Sami Dalipit, Laura, ka falënderuar pjesëmarrësit dhe të gjithë miqtë e të njohurit e babait të saj për ngushëllimet dhe përkujtimin që kishin organizuar për të.
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Më shumë se 640,000 fishekë snajperësh zviceranë thuhet se kanë shkuar në Ukrainë Municione snajperi nga kompania zvicerane P Defence thuhet se kanë mbërritur në Ukrainë në korrik 2023...
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero”
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha