Gjuha

Viti i ri shkollor i nxënësve të shkollave shqipe në Zvicër nisi me ekskursion

Mësuesit Qefsere dhe Vaxhid Sejdiu, të ndihmuar edhe nga prindërit e shkollave shqipe ku ata punojnë dhe veprojnë në Regensdorf, Affoltern, Dällikon, Rümlang, Fahrweid Neuenhof, Spreitenbach, Wetzikon, Rüti, Volketswil, Schwerzenbach, Uster dhe në Pfäffikon, realizuan një shëtitje në Conny Land, në Lipperswil, të kantonit të Thurgau-t. Ishte një ditë e bukur, një ditë festive. Buzëqeshjet e fëmijëve, gëzimin dhe kënaqësinë që përjetuan në këtë shëtitje besoj se gjatë do ta mbajnë mend. E gjithë kjo ishte meritë e mësuesve të këtyre pikave shkollore si dhe  prindërve, të cilët i shoqëruan nxënësit në këtë aktivitet shkollor, si Mrika Limoni, Vlora Hasanaj, Sherif Dakaj, Ramiz Hasani, si dhe Iba e Nehat Bulica. Po ashtu një mirënjohje e veçantë për donatorët, të cilët e ndihmuan materialisht realizimin e këtij aktiviteti: Merita Rifati, Shqipe dhe Florim Hajdari dhe pronari i firmës “Durmo Tours”, z. Ismail Behluli.

Nisja ishte qysh në orën 8 të mëngjesit nga pika shkollore në Spreitenbach, duke i tubuar me radhë nxënësit sipas shkollave, me qëllim që sa më shpejt të arrijnë në vendin e caktuar. Rruga deri në Conny – Land të Liperswil-it dukej e shkurtër, sepse gjatë gjithë kohës nxënësit qeshnin, këndonin dhe argëtoheshin në mënyra të ndryshme. Ajo që shihej dukshëm ishte gëzimi i këtyre fëmijëve për të qenë së bashku, në një aktivitet të lirë.

Edhe pse nxënësit ishin nga pika të ndryshme shkollore, apo thënë konkretisht edhe prej dy kantoneve (kantonit të Argau-t dhe të kantonit të St. Cyrih-ut), si dhe pothuajse nga të gjitha trojet shqiptare në atdhe, nuk vërehej ndonjë ndryshim mes tyre. Shihej qartë një afërsi, të gjithë flisnin një gjuhë, këndonin shqip dhe natyrisht i gëzoheshin shëtitjes me të cilën fillonin edhe vitin  e ri shkollor, duke i risjellë në bisedën e tyre edhe kujtimet nga pushimet verore në vendlindje.

Ishte kënaqësi të shohësh shtatëdhjetë e tre nxënës, të cilët edhe pse jetojnë larg atdheut, gjatë tërë vitit mundohen ta mësojnë sa më mirë gjuhën shqipe. Angazhimi i tyre në mësim, në manifestimet shkollore, dëshmon qartë se kjo shëtitje është një dhuratë e bukur për ta.

Prandaj, Alea H., Tana, Lina L., Nora, Arianita, Ariani, Aurisa, Elsa, Eni, Riani, Eduani, Gent K, Flori K, Melodi, Ajla, Lina S., Era, Rina, Shera, Erina, Jara, Gent H, Flori K., Diari, Dijar S., Rona, Nejla, Fiona, Lindi, Noriku, Edioni, Altini, Eljona, Anika, Rumesa, Erina, Anesa, Dijar Sh., Flokarta, Endriti, Learti, Arti, Dua, Ideali, Amra, Agoni, Alea R., Ariani B., Riduani, Bleroni, Aroni, Vlera, Medina, Dritoni, Nafija, Arjan Th., Luiza, Rejana, Eliesa, Lijana, Jora, Tara, Agita, Agim, Kasemi, Neriti, Gent H., Eroni, Ardina, Alisha, Lorini, Katalea, Anila etj., kanë një kërkesë për të gjithë fëmijët shqiptarë, që edhe ata t`i ndjekin mësimet në shkollën shqipe, sepse pa gjuhën shqipe nuk ka kuptim e ardhmja e fëmijëve shqiptarë.

Një gjë e kemi thënë në të gjitha takimet tona me prindërit shqiptarë si dhe me përfaqësuesit e institucioneve tona të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut si dhe ato vendore zvicerane se dallimi në mes atyre, që i ndjekin mësimet në gjuhën shqipe dhe atyre të cilët rrinë duarkryq larg shkronjave të alfabetit shqip pa dyshim është shumë i madh.

Vlen të përmendet se në këtë vit shkollor nxënësit e shkollave shqipe janë pajisur me kohë edhe me tekstet shkollore të niveli të dytë, kështu që mund të themi se nxënësit e nivelit të parë (klasa I-III) dhe nivelit të dytë (klasat IV-VI) janë furnizuar me kohë me tekstet shkollore dhe i pret beteja e radhës. Një vit gjithë përkushtim dhe angazhim, që ta mësojnë sa më mirë gjuhën amtare. E kemi thënë në të gjitha rastet se ruajtja e gjuhës amtare të fëmijët shqiptarë është obligim i të gjithëve, prandaj këtë rrugëtim medoemos duhet ta bëjmë së bashku.

Dhe në fund duke i falënderuar të gjithë ata të cilët ishin pjesë e kësaj shëtitje të shkollave shqipe mbesim me shpresë se për të gjithë të tjerët, të cilët për hir të moshës nga klasa I-III apo IV nuk arritën të vijnë me ne do të jemi së bashku në shëtitjet  e radhës si dhe në manifestimet shkollore. Një gjë më dihet edhe publikisht se të gjithë së bashku do të jemi në turneu e futbollit të shkollave shqipe në Zvicër më 22 shtator 2024, në Niederlenz të kantonit të Argau-t. Suksese, nxënës, buzëqeshjet tuaja janë “rreze dielli” në jetën e mërgimtarit.