Integrimi
Don Marjan Marku: Të promovohet dialogu ndërfetar dhe ndërkulturor
Në mesin e trembëdhjetë kandidatëve për postin vakant të ipeshkvit të St. Gallenit është edhe prifti shqiptar, kanoniku i parë i zgjedhur si i huaj, Don Marjan Marku
Rreth një muaj më parë, gjegjësisht më 9 gusht, ipeshkëvi i St. Gallenit, Markus Büchel, i ka ofruar Papës dorëheqjen e tij. Ky hap kushtëzon organin drejtues të ipeshkëvisë, “Kapitullin e Katedrales” që brenda një afati të caktuar të zgjedhë pasardhësin e tij.
Siç ka shkruar tashmë Albinfo.ch, janë trembëdhjetë kandidatë për postin vakant dhe në mesin e tyre është edhe prifti shqiptar nga Kosova, kanoniku (anëtar i Kapitullit të Katedrales) i pari i zgjedhur si i huaj në këtë kapitull, Don Marjan Marku.
Lidhur me zgjedhjen e pritshme, media e Kishës së St. Gallenit ka intervistuar të 13 kandidatët. Albinfo.ch ka bërë një përmbledhje të intervistës së realizuar me Don Marjan Markun, me titulli në origjinal “Pohimi i Zotit i jep jetës kuptim”.
I pyetur për “stacionet” më të rëndësishme në jetën e tij, prifti shqiptar përgjigjet duke filluar nga fëmijëria e kaluar në Kosovë, gjegjësisht në Binçë të Vitisë e tutje. “Vij nga një familje fetare me shumë ndikim, në të cilën kam kaluar një fëmijëri të mrekullueshme me dy vëllezërit e mi. Paraardhësit e mi të brezit të katërt, si nga ana e babait, ashtu edhe nga ana e nënës, ishin më të gatshëm të vdisnin sesa të ndryshonin fenë e tyre (Martirët e Karadakut, V.J.).
Shkollën fillore e kam kryer në vendlindje, në Kosovë, gjimnazin klasik në Suboticë, studimet filozofike dhe teologjike në Sarajevë të Bosnjë-Hercegovinës dhe kam arritur gradën akademike “Master i Teologjisë” në Fakultetin Teologjik Katolik të Universitetit të Vjenës.
Momenti më përcaktues në jetën time ishte vendimi për t’u bërë prift. Ky vendim më ka forcuar gjithmonë për ta vënë thirrjen time në shërbim të Hyjit dhe të afërmve të mi. (…).
Momenti tjetër formues apo vendimtar ishte vendimi i inkardinimit në dioqezën e St. Gallenit.
I lutur që ta përshkruajë veten me disa fjali, Don Marjani flet për bindjet e tij fetare dhe morale.
“Nëpërmjet prindërve të mi mësova të respektoj ata që më rrethojnë dhe të jem i dobishëm. Prandaj, ndihmesa dhe aftësitë sociale janë ndër pikat e mia të forta. Ndjej se sjellja ime është e drejtë, jam shumë i drejtpërdrejtë dhe ndonjëherë, edhe kritik. I vlerësoj bisedat e thelluara, si dhe momentet e heshtjes dhe reflektimit.
Rreth asaj se çfarë i duhet më urgjentisht kishës– sot dhe në të ardhmen, prifti shqiptar thotë se ka disa fusha që mund të konsiderohen urgjente:
- Përballë një shoqërie në ndryshim dhe një bote gjithnjë e më të laicizuar, kisha duhet të gjejë mënyra kreative dhe efektive për të përhapur ungjillin dhe për t’i tërhequr njerëzit në besim, të vazhdojë të punojë fort për të rifituar besimin e besimtarëve, të zbatojë politika dhe procedura strikte për të parandaluar abuzimin dhe për të mbështetur të prekurit. Është e rëndësishme të promovohet dialogu ndërmjet besimeve, kulturave dhe mënyrave të ndryshme të jetesës dhe të forcohet uniteti mes besimtarëve. (…).
Duke ecur përpara, kishës do t’i duhet të vazhdojë të jetë e ndërgjegjshme se si trajton çështje të tilla si rolet në kishë, teknologjia, globalizimi, drejtësia sociale dhe mbrojtja e mjedisit, në mënyrë që të mbetet relevante dhe efektive.
Rreth asaj se çfarë nuk duhet lënë anash në kishë, i intervistuari përgjigjet se cilat janë, sipas tij, elementët e domosdoshëm. Kisha Katolike i kushton shumë vlerë Shkrimeve të Shenjta, si dhe transmetimit të mësimeve dhe praktikave të transmetuara nga Apostujt dhe Kisha e hershme.
- Sakramentet janë rituale të shenjta që përcjellin hirin hyjnor. Ato janë shenja të dukshme që përcjellin realitete të padukshme, si prania e Zotit mes njerëzve dhe dashurisë së tij. Ato janë një shprehje e dashurisë së Zotit dhe e afërsisë së tij të vazhdueshme me popullin e tij. Uniteti dhe bashkimi i besimtarëve, të udhëhequr nga ipeshkvit në bashkësi me Papën.
Ju duhet të rindërtoni/forconi besimin e njerëzve në kishë: çfarë masash po merrni? Kjo është pyetja e radhës, të cilës Don Marjani i përgjigjet: Promovimi i transparencës dhe llogaridhënies; marrja e përgjegjësisë për sjellje të pahijshme; Mësimi i vlerave si dhembshuria, drejtësia dhe bamirësia. (…).
Pyetjes se cilat janë pesë aftësitë që duhet të ketë një ipeshkëv sot, ai i jep këtë përgjigje: Të jetë në gjendje të udhëheqë dhe të organizojë në mënyrë efektive. Kjo përfshin aftësinë për të marrë vendime, për të menaxhuar burimet dhe për të komunikuar vizionin e kishës; Të jetë i ndjeshëm dhe i dhembshur për të njohur dhe për t’iu përgjigjur në mënyrë të përshtatshme nevojave të besimtarëve të tij; të sjellë me vete aftësi ndërkulturore; Të jetë në gjendje të komunikojë qartë dhe bindshëm etj.
Çfarë shqetësimesh do të diskutonit me Papa Françeskun gjatë një darke, është pyetja e radhës?
Do të diskutoja me të tema të ndryshme, si: Mënyra se si kisha mund të arrijë dhe të mbështesë më mirë të rinjtë dhe rëndësinë e vlerave familjare në shoqërinë e sotme; Sfidat e të drejtave të njeriut dhe drejtësisë sociale; rëndësinë e dialogut ndërfetar për paqen botërore dhe promovimin e tolerancës dhe mirëkuptimit ndërmjet besimeve të ndryshme, etj. (…).
Është interesante përgjigjja e Don Marjan Markut në pyetjen se cila është gjëja më e ‘çmendur’ që ka bërë ndonjëherë? “Ndërrimin e dioqezës e konsideroj si gjënë më të “çmendur” në jetën time, por jam i kënaqur që nuk jam zhgënjyer”, thotë ai.
Ndërsa i pyetur se cili është personi që ka ushtruar ndikimin më te madh tek ai, anëtari i Kapitullit të katedrales dhe njëherësh i komisionit për zgjedhjen e ipeshkvit (që në të njëjtën kohë është edhe vetë kandidat), përgjigjet: Gjyshja dhe prindërit e mi më mësuan të lutem dhe më dhanë fenë katolike dhe shpirtërore. Shembulli i tyre ndikoi shumë tek unë. Shën Nënë Tereza; thjeshtësia e jetës së saj. Vepra e saj nga Ungjilli, e cila mund të tregohej me pesë gishta: “Ti ma bëre mua”. (Mateu 25:40).
Dhe, në fund, rreth asaj se cili është vendi më i bukur për Don Marjanin, nuk ka dilema. “Vendi më i bukur për mua është vendlindja ime, Binça, në Kosovë, e ndjekur menjëherë nga Roma.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali E.D., një 41-vjeçar me origjinë shqiptare, banues në Azzano San Paolo, ka ndërruar jetë pas një...
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
-
Haziri: Diaspora nuk është determinuese e rezultatit të zgjedhjeve
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Dardanët presin përkrahjen e bashkatdhetarëve Kombëtarja e Kosovës, në Zvicër...
-
Nga 1 janari do të mund të ndryshohen në çdo moment disa modele të sigurimit shëndetësor
-
Çmimet e pronave zvicerane nuk tregojnë shenja rënie
-
Shtatë gjëra që thjesht nuk mund t’i mbani sekret në Zvicër
-
Ulja e kostos dhe emigracioni: Sfidat me të cilat do të përballet Zvicra në vitin 2025