Kosova
Parashikohet dimër i pasigurtë energjetik në Kosovë
Kosova, edhe gjatë dimrit të sivjetshëm, pavarësisht si do të jetë ai, më i butë, apo shumë i acartë, do të ketë mungesë të energjisë elektrike. Kjo e dhënë paralajmëruese nuk është e re, as e panjohur nga konsumatorët, as nga zyrtarët kompetentë për të siguruar rrymën e nevojshme për qytetarët e këtij vendi. Dihet, pra, nga të gjithë se kapacitetet eksistuese të prodhimit të rrymës në vend, nuk mund t’i plotësojnë nevojat e shtuara të konsumit ditor për energji elektrike në Kosovë.
Termocentralet e stërvjetruara të vendit, edhe po të punonin në mënyrë perfekte dhe pa asnjë ndërprerje, nuk mund të arrijnë sasinë e kërkuar në rritje të rrymës gjatë ditëve të ftohta, kur, siç na kanë treguar dimrat e deritashëm, konsumi gjatë pikut dhe në raste ka shkuar edhe në 1280-1300 megavat/orë. Më konkretisht, sistemi elektroenergjetik i vendit dhe njëkohësisht konsumatorët kosovarë i bartin pasojat e rënda egërsisht të shfaqura, të përjetuara jo pak herë në këto vitet e pasluftës, e sidomos gjatë fundvitit 2021 dhe fillimvitin 2022, kur edhe Kosovën, sikundër shumicën e vendeve të botës e kishte kapluar kriza e ashpër energjetike, reduktimet e gjata dhe shpenzimi i qindra miliona eurove për ta importuar energjinë me çmime rekorde të shtrenjta. Dhe, praktikisht në çdo dimër me temperatura të ulëta dhe me të ditë të acarta, mund ta përsëritin këtë gjendje në Kosovë. Sepse, kapacitetet e blloqeve të stërvjetëruara, por akoma, kushtimisht, aktive në termocentralet e Kosovës (dy blloqet e Kosovës B dhe tri blloqet e Kosovës A- A3, A4 dhe A5, prej të cilave tash e një kohë të gjatë në prodhim vazhdimisht gjenden vetëm dy, ose A3 dhe A5), janë diku rreth 780 megavatë-orë.
Blloqet e termocentraleve Kosova B bashkarisht kanë kapacitet mbi 600 megavatë në gjenerator, ndërsa në rrjet kapaciteti i tyre është 520 megavatë. Secili bllok, pra ka kapacitetin në rrjet 260 megavatorë. Në anën tjetër, Kosova A, në dy-tre vjetët e fundit ka operuar me dy blloqe (në të shumtën me A3 dhe me A5). A4 thuaja në të shumtën ka qenë jashtë prodhimit edhe kur ka qenë teknikisht i gatshëm për të prodhuar). A3 dhe A5, kanë kapacitet bashkarisht diku 260 megavatësh, ose secila nga 130. Këto janë kapacitetet aktuale në termocentralet Kosova A, tashmë e stër-stërvjetëruar dhe në Kosovën B- të vjetëruar shumë. B-ja, siç dihet, ka nisur prodhimin më 1979.
Kësaj sasie të energjisë elektrike, duhet shtuar, po të ketë erë dhe ujë të mjaftueshëm, edhe nja 150 megavat-orë të energjisë së rinovueshme. Sasia e energjisë së gjelbër në këta numra është arritur pas nisjes së prodhimit në parkun e energjisë me erë në Shalë të Bajgorës, me kapacitet 105 megavatësh dhe në atë të Kitkës së Kamenicës (30-40 megavatë) dhe të prodhimit të disa minihidrocentraleve që janë në operim në vendin tonë.
Megjithëkëtë, Kosova prapë do të ketë mungesë të rrymës dhe kjo mungesë do të ndihet sidomos në stinën e dimrit, kur shtohet ndjeshëm konsumi i energjisë elektrike në Kosovë, përkatësisht kur di të tejkalojë lehtësisht 1200 megavatëshin. Kjo situatë elektroenergjetike e përshkruar sipër është e paraparë për rrethanat e funksionimit thuaja ideal të stabilimenteve aktuale të të gjitha blloqeve të termocentraleve kosovare, për gatishmërinë teknike të të cilave, ç’është e vërteta, KEK-u po bënë goxha punë të madhe. Edhe sivjet ka kryer remonte të shumta të planifikuara për të freskuar stabilimentet e termocentraleve dhe për ta siguruar gatishmërinë teknike për një punë kontinuele dhe sa më afatgjate të tyre. Edhe gjatë kësaj vere për 35 ditë të plota janë kryer punë remontuese të planifikuara në bllokun B1 (i riaktivizuar pas 35 ditësh më 18 gusht 2024), ndërsa nga 28 gushti është dërguar në remontim, poashtu të planifikuar prej 35 ditësh B2-shi.
Ndërkaq, në rast të ndodhjes së ndonjë të papriture eventuale, ndonjë defekti teknik të paparashikuar, që te termocentralet e stërvjetëruara mund të ndodhë në çdo çast, mungesat e energjisë elektrike bëhen ndjeshëm më të mëdha, shpërfaqen pasojat evidente të kësaj mungese, sikundër që shumëfishohen edhe vështirësitë rreth sigurimit (importit) të rrymës me çmime stratosferike. Në këto rrethana, Kosova do e pres edhe dimrin e sivjetshëm energjetik, që do të vie shpejtë. Brenda 2-3, muajsh, ndoshta edhe brenda më pak kohësh, do të arrijnë muajt e ftohtë në Kosovën tonë kontinentale, ndërkohë që përveç premtimeve, retorikës dhe fjalamanisë refren për “ëndrrat energjetike”, nuk doli një person as nga qeveria, as nga mjediset e tjera zyrtare, që ta thotë një të dhënë konkrete se çka është bërë, apo cilat nga masat e mundshme janë ndërmarrë për ta zbutur mungesën e rrymës në Kosovë gjatë sezonit të sivjetshëm të dimrit. Askush nga zyrtarët nuk e thanë asnjë fjalë të vetme se çka ka ndërmarrë shteti për të pasur kosovarët rrymë gjatë dimrit të sivjetshëm, dhe se si do të sigurohet sasia e rrymës që mungon nga prodhimi i kapaciteteve vendore të energjisë elektrike.
Duhet thënë se edhe në arritjen e caqeve për burime të ripërtëritshme, së paku deri sivjet, Kosova deri më tash ka shënuar rezultate tepër modeste dhe me ndikim fare të pavërejtshëm në stabilizimin e sistemit elektroenergjetik të vendit. Kur e themi këtë, kemi parasysh krahasimet me rezultatet e arritura në fushën e energjisë së gjelbër në shumë shtete të varfëra dhe të vogla edhe përtej Kosovës. Ndërkohë që as që bëhet fjalë krahasimi eventual me shtetet e zhvilluara. Ekzistimi i dy-tre kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtëritshme me 100-120 megavat-orë secili, do të ishte një zgjidhje premtuese. Por, këto kapacitete për t’i pasur, duhet të ishin nisur kaherë së ndërtuari ato.
Sipas inxhinierëve të KEK-ut, konsumi i Kosovës në muajt e acartë tejkalon ndjeshëm sasinë që mund të prodhojnë termocentralet ekzistuese në kushtet normale të punës. Sipas tyre, në rast të rënies së ndonjë blloku nga prodhimi për shkak të ndonjë defekti teknik, do të thellohet mungesa e rrymës. Ata, gjendjen e pritshme energjetike gjatë dimrit e ilustrojnë me gjendjen aktuale, kur për shkaqe të remontit 35 ditësh në bllokun B2, dhe temperaturave enorme të larta të këtyre ditëve, Kosova kushtëzohet të importojë një sasi goxha të kushtueshme të rrymës. Po ndodhë kjo gjatë verës, ndërsa, dihet dhe nuk ka diskutim se gjatë muajve të dimrit, kur produkti energji elektrike e importuar do të ketë çmimet enorme të larta dhe frikësuese. Dihet në dimrat e dy-tre viteve më parë, çmimet e rrymës kishin shkuar madje nga 600 deri në 1000 euro për një MËh. Dhe po e përsërisim, shifrat dhe të dhënat e sipërpërdorura në këtë tekst, po ua tregojnë në mënyrën më trasparente, edhe konsumatorëve të energjisë elektrike edhe zyrtarëve, se Kosova nuk ka energji elektrike të mjaftueshme për nevojat e konsumit të vet dhe nuk do të ketë as gjatë dimrit që vjen.
Dhe sipas të gjitha zhvillimeve të deritashme, shpresa për të zbutur mungesën e rrymës edhe në këtë dimër mbetet te mbajtja e një dimri të butë. Dimrat me shumë pak ditë të acarta dhe me më shumë ditë me temperatura të pranueshme, që mbajtën në dy vjetët e fundit (2022-2023 dhe 2023-2024), kanë favorizuar në njëfarë mënyre edhe prodhuesit e energjisë elektrike, edhe shpërndarësit, e edhe furnizuesit e Kosovës me energji elektrike. Ky fakt flet goxha bindshëm se këta dimra i kanë shkuar për shtati tërë sistemit elektroenergjetik të vendit. Thjeshtë, është konsumuar më pak energji elektrike për ngrohje në Kosovë (ngrohja me rrymë është shpenzuesi absolutisht më i madh në konsumin e Kosovës), dhe kështu, në shumicën e ditëve, në këta dy dimra, të gjitha hallkat e sistemit elektroenergjetik të vendit janë kursyer jo pak edhe nga problemet e shumta që janë pasojë e kërkesave të mëdha për rrymë gjatë temperaturave të acarta: janë kursyer nga shpenzimi i shumave marramendëse për të importuar më shumë energji elektrike nga prodhuesi dhe furnizuesi, pavarësisht se KEDS/KESCO jo në pak raste kanë paraqitur goxha gjendje alarmuese nga mungesa e rrymës së prodhuar në vend, respektivisht nga shpenzimet për import të kushtëzuar të energjisë elektrike.
Një mundësi tjetër, po ashtu reale për zbutjen e gjendjes elektroenergjetike në dimrin që vjen, mbetet kursimi sa më i madh i mundshëm nga konsumatorët, si dhe gjetja sa më e lirë e energjisë së importuar që do t’i mungojë vendit. Dhe, mundësia më reale dhe e pritshme do të jetë te ekzistimi i konditave të këmbimit të energjisë ndërmjet KEK-ut dhe KESH-it, gjegjësisht huazimit të rrymës nga Shqipëria gjatë ditëve dimërore, kur te ne shtohet nevoja për rrymë, ndërsa në Shqipëri nga të reshurat të krijohen kushtet e mbushjes së liqeneve akumuluese në kaskadën e Drinit. Mbetet të shihet se çdo të bëhet në dimrin që po ofrohet… /Buletini Ekonomik/
E-Diaspora
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake Edona Bilali është deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ku përfaqëson Qarkun e Shkodrës, që...
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Dardanët presin përkrahjen e bashkatdhetarëve Kombëtarja e Kosovës, në Zvicër...
-
Nga 1 janari do të mund të ndryshohen në çdo moment disa modele të sigurimit shëndetësor
-
Çmimet e pronave zvicerane nuk tregojnë shenja rënie
-
Shtatë gjëra që thjesht nuk mund t’i mbani sekret në Zvicër
-
Ulja e kostos dhe emigracioni: Sfidat me të cilat do të përballet Zvicra në vitin 2025