Shqipëria

Rama: 200% rritje të pasagjerëve në muajin korrik

Shqipëria kryeson me rritjen e jashtëzakonshme mbi 200% të numrit të pasagjerëve gjatë muajit korrik.

Lajmin e bëri të ditur sot kryeministri Edi Rama, i cili publikoi te dhënat e Këshillit Ndërkombëtar te Aeroporteve për muajin korrik.

Rama vlerësoi se kjo “është pasqyrë shumë e qartë e “boshatisjes” së Shqipërisë nga turistët këtë vit”.

“Është e habitshme po jo edhe aq, që ky sukses i cili po e ngre vazhdimisht imazhin e Shqipërisë në botë, përveçse po sjell të vlera të reja të shtuara për ekonominë, disa shqiptarëve mes nesh u acaron nervat dhe u nxjerr nga goja gjithëfarë çudirash”, tha kryeministri.

“Ka prej tyre që thonë se këta miliona njerëz që kanë udhëtuar drejt Shqipërisë këtë vit gjer më tani, qenkan të tërë shqiptarë të larguar nga qeveria e poshtër, të cilët vijnë për të parë njerëzit e tyre!!!..”, shtoi ai.

Rama theksoi se edhe sikur të ishte e vërtetë kjo çudi dhe 4 mijë japonezët, 20 mijë australianët apo 35 mijë kanadezët që kanë zbritur këta muaj nga avionët në Tiranë të jenë të gjithë shqiptarë, pyetja është pse nuk erdhën më parë dhe çfarë i solli.