Lajme

Dorëzohet iniciativa për një sektor ushqimor zviceran më të vetë-mjaftueshëm

Qytetarët zviceranë ka gjasa të votojnë për një propozim për një sektor më të bazuar në bimë dhe të vetë-mjaftueshëm të prodhimit të ushqimit, pasi një nismë popullore u dorëzua në Bernë.

Nisma “Për sigurinë ushqimore – duke forcuar prodhimin vendas të qëndrueshëm, më shumë ushqime me bazë bimore dhe ujë të pijshëm të pastër” iu dorëzua Kancelarisë Federale të premten me 113,103 nënshkrime; 100,000 duhen për të detyruar një votim publik, transmeton albinfo.ch.

Franziska Herren nga shoqata “Uji i pastër për të gjithë” dhe gjashtë të tjerë qëndrojnë pas nismës. Herren ishte forca shtytëse pas një nisme për ujin e pijshëm të refuzuar nga votuesit në qershor 2021.

Nisma e re kërkon një nivel të vetë-mjaftueshmërisë në furnizimin me ushqime prej të paktën 70%. Niveli aktual prej 50% i varësisë nga importet nga jashtë është për shkak të prodhimit shumë të subvencionuar të produkteve ushqimore me bazë shtazore në Zvicër, dhe jo për shkak të mungesës së tokës, pohojnë iniciatorët, raporton swissinfo.

Rreth 60% e tokës së punueshme zvicerane përdoret për të rritur ushqimin e kafshëve. Nëse do të vihej më shumë fokus në ushqimet me bazë bimore, shumë më tepër kalori mund të prodhoheshin për hektar, thonë ata.

Nisma kërkon gjithashtu ruajtjen e dy bazave jetike të prodhimit bujqësor: biodiversitetin dhe pjellorinë e tokës. Këto “shërbime falas” të ofruara nga natyra po shkatërrohen nga plehrat dhe pesticidet, shkruan komiteti.

Tutje, sipas deklaratës komiteti pohon gjithashtu se skemat e neglizhuara të mbrojtjes së ujit, puset e ujit të pijshëm që janë mbyllur për shkak të nitrateve dhe pesticideve dhe thatësira e shtuar po rrezikojnë gjithnjë e më shumë furnizimin me ujë të pijshëm të pastër.