Erdhi para disa vitesh nga Gjermania në Kosovë për të investuar në një fabrikë që riciklon plastikën. Fillimisht iu duk se Kosova është një vend i përshtatshëm për investime, mirëpo vetëm pas disa viteve, Gazmend Mustafa do ta lë Kosovën, ndërsa makinerinë e fabrikës “Beli-Eurofol” do ta bartë në shtetin fqinj-Maqedoni.
Atje ai do të investojë rreth 4.5 milionë euro, pasi që shteti maqedonas i ofroi më shumë favore për të bërë biznes, përshirë këtu një hektar tokë dhe 5 vite lirim nga taksat.
“Këtu nuk po me lënë të punoj”, ka thënë Mustafa për mediet lokale në Kosovë. Ai kishte ardhur tetë vjet më parë nga Gjermani për të investuar në vendin e lindjes në Ferizaj. Por, tani po bëhen gati një vit kur i është bllokuar importi i materialit për reciklim nga Gjermania në Doganën e Kosovës.
“Më kanë dënuar 104 mijë euro se kinse paskam bërë dallavere me numrat tariforë për ta shmangur taksën doganore”, pohon Mustafa për gazetën “Fjala”. Por sipas tij, kodin të cilin po e kërkon dogana nuk është i pranueshëm për këtë institucion pasi Kosova nuk është pjesë e Konventës së Bazellit.
“Ata me siguri kanë marrë para prej dikujt me na shkatërruar. Po dyshojnë se i kemi ikur taksës doganore 10 për qind. Materialin e ka vlerësuar për riciklim ndërsa po e konsiderojnë si material të gatshëm për treg”, shpreh shqetësimet e tij ky biznesmen kosovar.
Mbyll biznesin në Kosovë, ikën në Bullgari
Mirëpo nuk është vetëm ky emigrant që është i zhgënjyer nga autoritetet kosovare. Se politikat fiskale nuk janë të kënaqshme e ka vërtetuar edhe një tjetër afarist nga Ferizaj, i cili është detyruar ta shuaj biznesit në Kosovë, për të rinisur një të ngjashëm në Bullgari.
Ky afarist ka nxjerr nga puna rreth 200 punëtorë, ndërsa edhe sot shpreh zhgënjim për largimin e punëtorëve, shumica nga të cilët, kanë migruar ilegalisht në Gjermani, Austria e Francë. Pronari i fabrikës së Vajti tha se rroga e punëtorëve kanë qenë nga 300 euro deri në 600 euro maksimalja.
Ky afarist, thotë se ishte i detyruar ta mbyll fabrikën, pasi që malli që hyn nga Serbia dhe vendet tjera favorizohet më shumë se sa reporomateriali që hyn në Kosovë për përpunim. “I njëjti produkt vaji që prodhohet në Serbi, hyn në Kosovë vetëm me 16 për qind TVSH, por nëse ne e prodhojmë të njëjtin produkt në Kosovë, detyrohemi të paguajmë 27.5 për qind’, deklaroi ai.
Lidhur me monopolin në treg dhe ikjen e bizneseve ka reaguar edhe kryeministri i Kosovë, Isa Mustafa. Ai tha se duhet ta luftohet korrupsioni, monopoli i disa kompanive publike dhe private dhe të krijohet hapësirë e barabartë për çdo biznes.
“Nuk mund të lejojmë që të ngulfaten bizneset e vogla. Atyre do t’u hapim mundësi dhe do të krijojmë kushte të barabarta për konkurrencë, nga licencat, doganat, kontrolli i cilësisë, regjimi i çmimeve, sistemi i prokurimit”, deklaroi kryeministri kosovar.
Për 15 vjet u regjistruan 674 kompani të huaja
Ndryshe, albinfo.ch kontaktoi Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë. Koordinator për çështje juridike & praktike në ARBK, Mehdi Pllashniku thotë se në Kosovë nga 1 janari i viti 2000 e deri me 12. janar 2015m janë regjistruar 674 kompani të huaja.
Sipas këtij zyrtari afati kohor për regjistrimin e një biznesi është tri (3) ditë. Kjo nënkupton se proceduar e regjistrimit janë thjeshtuar.
Mirëpo statistikat tjera flasin se vetëm në vitin e kaluar janë shuar rreth 39 biznese të huaja dhe rreth 20 për qind vendore, të cilat kanë pasur mesatarisht më shumë se 2 punëtorë. Ndërkaq në pesë vjetët e fundit, janë humbur rreth 13 mijë vende të punës nga mbyllja e bizneseve.
Shkaqet, janë politikat fiskale jo adekuate, informaliteti, korrupsioni, normat e larta të interesit, monopoli i krijuar nga korporatat e mëdha, energjia elektrike e lartë dhe vështirësia e lëvizjes së lirë në vendet evropiane.
Njohësi i proceseve ekonomike, profesor Naim Gashi tha për Albinfo.Ch se Kosova ka nevoja të mëdha që të përmirësojë klimën investive në raport me vendet e rajonit. Fusha ku më së tepërmi duhet inkurajuar investimet e jashtme, sipas tij, janë sektori i energjisë, minierat, sektori i bujqësisë, turizmit etj.
“Për të qenë më konkurrent me vendet e rajonit Kosova duhet të luftojë më ashpër korrupsionin dhe të përmirësojë sundimin e ligjit, sepse nuk mund të presim që në Kosovë të vijnë investitorët serioz, derisa ata duhet të presin me vite nëpër gjykata për kontestet më të vogla që mund të kenë eventualisht”, deklaroi ai.
Gashi: Burokracia duhet të luftohet
Burokracia në nivel qendror dhe lokal, siç tha më tej Gashi, është një nga pengesat e tjera për investitorët e jashtëm.
“Burokracia në dhënien e lejeve të ndryshme dhe licencave e vështirësojnë të bërit biznes në Kosovë, prandaj duhet bërë më tepër të këto procedura të shkurtohen dhe të thjeshtësohen, sepse krijimi i monopoleve publike dhe private është një sinjal shumë dekurajues për investimet e jashtme”, konsideron Gashi.
Po ashtu, sipas tij, edhe furnizimi i rregullt me rrymë, është një problem tjetër për investitorë.
“Rrjeti energjetik ende është i vjetruar dhe kompanitë që vijnë për të investuar duhet që me mjetet e tyre të përmirësojnë kualitetin e rrymës. Kjo është punë e kompanisë së shpërndarjes së rrymës dhe ata duhet të jenë në nivelin e detyrës”, shprehet ai.
Edhe përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, për mediet lokale në Kosovë, janë shprehur të shqetësuar me shuarjen e bizneseve dhe ikjen e tyre jaht Kosovës.
Safet Gërxhaliu nga Oda Ekonomike e Kosovës thotë se të dhënat janë shqetësuese dhe sipas tij, nëse nuk stimulohet prodhimi edhe këta investitorë që eksitojnë do të humben.
Zeka: Investitorët nuk po ndihen të sigurt
Ndërkaq, Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane, thotë për Albinfo.Ch, se ata pak investitorë të cilët kanë marrë vendimin që të investojnë në Kosovë përballen me pasiguri të lartë të të bërit biznes, e cila rëndohet më tej me paqartësi dhe dykuptimësi të shumta të dispozitave ligjore.
“Vendimet e investitorëve për të zhvendosur aktivitetin e tyre afarist natyrisht se ndikohet nga politikat e favorshme fiskale dhe stimujt e tjerë monetarë e jomonetarë që ofrohen nëpër vendet fqinje, të cilat tek e fundit janë në distancë relativisht të afërt gjeografike”, deklaroi Zeka.
Në pyetjen se a ka klimë të përshtatshme për investime në Kosovë, Zeka thotë se përkundër reduktimit të barrierave burokratike, mjedisi i të bërit biznes nuk është i favorshëm edhe kjo për shkak të përpjekjeve të mangëta dhe joserioze në përmirësimin e sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit.
“Asnjë investitorë seriozë nuk do të vendosë të investojë kapitalin e tij në një vend për të cilin ka një perceptim të lartë të korrupsionit. Po ashtu duhet të thuhet se megjithëse Kosova ka norma tërheqëse tatimore, ajo çfarë mungon janë lehtësirat e tjera të cilat do të bënin që vendi ynë të ofronte të njëjtat masa tërheqëse që tashmë ofrohen në të gjitha vendet fqinje”, deklaroi Zeka.
Kryetari i OEK-së, thotë se investitorët duhet të ndjejnë një trajtim më të kujdesshëm dhe një mikpritje të sinqertë të zyrtarëve të institucioneve, dhe atë në nivelet më të larta.
“Politikat fiskale duhet të ndryshohen që të mundësojnë rritjen e përparësive konkurruese të ndërmarrjeve të sektorit privat, posaçërisht të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ndërmarrjeve të drejtuara nga të rinjtë dhe nga femrat. Por, ajo çfarë është më e rëndësishme mbeten përpjekjet e shtuara dhe rezultatet konkrete në përmirësimin e sundimit të ligjit, luftimit të korrupsionit dhe ngritjes së efikasitetit të gjyqësorit”, deklaron Zeka.