Lajme

Flet avokatja e të dyshuarit për sulm terrorist në Vjenë, thotë se klienti i saj ‘luajti me ide’

Avokatja e të dyshuarit kryesor për një plan të dështuar për sulm në një koncert të yllit botëror, Taylor Swift në Vjenë, ka tentuar të dielën të ulë seriozitetin e planit, dhe ka thënë se klienti i saj vetëm “ka luajtur me ide”.

Autoritetet austriake kanë thënë më herët gjatë javës se i dyshuari është me origjinë nga Maqedonia e Veriut dhe i kanë kërkuar informacione Shkupit për të, transmeton rel përcjell albinfo.ch.

Tri koncertet e planifikuara të Swiftit këtë javë janë anuluar, pasi autoritetet austriake kanë zbuluar se një 19-vjeçar ka qenë duke planifikuar kryerjen e një sulmi vetëvrasës, i inspiruar prej grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS).

Koncertet ishte planifikuar të mbaheshin në stadium kryesor të futbolli në Vjenë me mijëra njerëz, ndërkohë rreth 20 mijë fansa që kishin mbetur pa bileta, kishin planifikuar të mblidheshin jashtë stadiumit.

Hetuesit austriakë kanë thënë se i riu e ka kryer së fundmi një betim ndaj IS-it dhe është rrëfyer plotësisht pasi policia ia ka bastisur shtëpinë, ku ka gjetur lëndë kimike dhe pajisje që përdorin sulmuesit për të kryer sulm me bombë.

Avokatja Ina-Christin Stiglitz, ka thënë për agjencinë e lajmeve Reuers se, i riu ka pasur kontakt me IS-in vetëm muajin e kaluar.

“I ka interesuar”, ka thënë ajo, duke sugjeruar që klienti i saj nuk ka pasur me të vërtetë synim kryerjen e një sulmi serioz.

“Vetëm ka luajtur me ide për t’u dukur “Cool””, ka thënë ajo.

“Ai thotë se bomba nuk ka qenë e kualitetit të duhur, nuk do të funksiononte”.

Sipas avokates, i dyshuari ka bërë kërkime online se si krijohet një bombë.

Në mesin e tre adoleshentëve të arrestuar prej policisë austriake është edhe një 17-vjeçar, për të cilin Stiglitz ka thënë se klienti i saj e përshkruan si “fqinjin dhe mikun më të mirë”.

Fqinjët e 19-vjeçarit, në qytezën e vogël Ternitz, janë shprehur të tronditur me arrestimin e tij, duke e konsideruar si fëmijë të rezervuar, por të shoqërueshëm.

Ata kanë thënë se njëra prej sinjaleve se ai mund të jetë radikalizuar ka qenë se kohën e fundit e ka rritur mjekrën.

Avokatja Mag Ina-Christin Stiglitz e kishte vizituar të premtën 19-vjeçarin në burgun e Wiener Neustadt. Siç ka thënë ajo,  Berani ishte krejtësisht ndryshe si në fotot e publikuara. Edhe pse Berani ka ende mjekrën e tij të gjatë selefiste, ai shfaqet i frikësuar dhe “pothuajse i dëshpëruar”.

Avokatja Stiglitz ka theksuar se klienti i ka kërkuar që të njoftonte prindërit për atë që ndodhi dhe arrestimin e tij: “Ai dëshiron që ata të vijnë së shpejti për ta vizituar“, ka shtuar ajo.