Kriza në Ukrainë

Presidenti ukrainas flet për tre faktorë për përfundimin e luftës

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se durimi, mbështetja për Ukrainën dhe presioni diplomatik ndaj Rusisë janë tre faktorët për një fund të drejtë të luftës.

“Durimi, mbështetja dhe presioni diplomatik, janë tre faktorët për një përfundim të drejtë të luftës. Nëse Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane ruajnë unitetin, do të shtohet presioni dhe do t’i tregojë Moskës se nuk ka asnjë shans”, citohet të ketë thënë ai, në një intervistë për transmetuesin japonez NHK, transmeton Ukrinform.

Zelensky ka thënë se ai nuk mund t’u përgjigjet thirrjeve për armëpushim derisa Rusia vazhdon të pushtojë territorin ukrainas teksa zbuloi se gjatë një bisede telefonike ai kishte ftuar ish-presidentin e SHBA-së, Donald Trump, për të vizituar vendin e tij.

“Nëse zoti Trump dëshiron të mësojë diçka për Ukrainën, ai mund të vijë dhe të shohë vetë ose të më pyesë. Ne kemi qenë në kontakt me ekipin e tij. Zoti Trump më tha se ishte i disponueshëm për çdo pyetje dhe se unë e kam numrin e tij të telefonit”, tha Zelensky. /albinfo.ch