Kosova
Publikohet dosja e Prokurorisë: Si u shpërlanë 2 milionë euro me ‘Call Center’?
Dosja e Prokurorisë për 23 të akuzuarit për mashtrim me “Call-Center”, tregon për një skemë të organizuar kriminale për përfitim të kundërligjshëm në formën e të ashtuquajturës “Cybertranding” apo tregtisë kibernetike.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila është ngritur më 6 qershor 2024, të pandehur në këtë rast janë: Andi F., Kushtrim G. Idriz L, Mendim T, Drin H, Visar K, Ardit Z, Leotrim H, Çlrim Q, Mario K, Fatmir K, Florida H, Ilir S, Suana P, Argjent V, Agim N, Ivi Xh, Alen Dh, Erald L, Adem M, Klodina R, Elmedina R, dhe Qamile A.
I akuzuari kryesor për drejtimin e këtij grupi kriminal, 36-vjeçari nga Shqipëria, Andi F. ngarkohet në dy dispozitiva të aktakuzës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, ai akuzohet se si pronar i kompanisë “Future Media”, bashkë me Kushtrim G. dhe Idriz L., si pjesë e menaxhmentit që nga viti 2018 dhe në vazhdimësi deri më 31 mars 2021, kishin vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar me hierarki.
Ndërkaq, për të akuzuarit Mendim T, Drin H, Visar K, Ardit Z, Leotrim H, Çlrim Q, Mario K, Fatmir K, thuhet se ishin në pozitën e operatorëve telefonikë, duke telefonuar qytetarët gjermanë që kanë qenë të interesuar dhe tani janë të dëmtuar. Këta të akuzuar thuhet se janë paraqitur me emra të rrejshëm me qëllim që t’i bindin të bëjnë pagesa në emër të investimit, me premtimin se do të fitojnë shuma të larta parash.
Kurse, Florida H. akuzohet se në pozitën “Back office”, duke vepruar si anëtare e këtij grupi ishte marrë me sigurimin e kontakteve dhe të dhënat e personave të interesuar në Gjermani dhe caktimin e agjentëve me të cilët ata do të bashkëpunonin.
Sipas Dosjes së Prokurorisë, mashtrimi përmes “Cybertranding” ishte kryer përmes platformave që paraqiten si tregtarë në faqet e internetit www.goldsteinvest.com, www.fxcmarkets.com, www.obsbit.com dhe www.swissinv24.com, në të cilat shtetasit gjermanë kishin investuar, por që këto para kishin përfunduar në llogarinë e kompanisë “Future Media LLC”. Dëmi i pretenduar vetëm nga të dëmtuarit nga kjo kompani është afër 4 milionë euro.
Për këtë, Andi F. akuzohet për veprën penale “Pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 277 paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 dhe veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323 par.4 lidhur me par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Andi F, për të cilin në aktakuzë thuhet se ka gjendje të dobët ekonomike, bashkë me Idriz L dhe Kushtrim G, akuzohen edhe për shpëlarje parash në bashkëkryerje nga 2020 deri më 31 mars 2021.
Sipas aktakuzës, në llogaritë e kompanive “Future Media” dhe “Media Data”, në Prishtinë, kanë hyrë para nga shtete si Çekia, Britania e Madhe, Hungaria, Irlanda, Polonia, Latvia, Sllovakia dhe Bullgaria, përmes bankave korrespondente në Gjermani, të cilat ishin fituar përmes “Call Center”.
Kështu, në mënyrë që këto para të fituara kundërligjshëm të duken si pasuri e fituar në mënyrë të rregullt, këto mjete janë deponuar në kompanitë “Idan Color” që merret me riparimin dhe ngjyrosjen e veturave dhe “Fosa Beuty Center”.
Në aktakuzë thuhet se këto kompani kishin lëshuar fatura fiktive në emër të shërbimeve të cilat nuk kishin ndodhur kurrë dhe nuk arsyetonin shumën e transaksioneve që ishin rreth 300 e 50 mijë euro, ku mbi 242 mijë euro me vendim të gjykatës janë ngrirë dhe mbi 107 mijë euro janë paguar në emër të ATK-së.
Të tre, akuzohen për veprën penale “Shpëlarje parave” nga neni 302 i KPRK-së dhe nenit 56-57 të Ligjit mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimit të terrorizmit.
Për ndihmë në shpëlarjen e këtyre parave, po akuzohen edhe Erald L dhe Adem M, të cilët në cilësinë e punëtorëve të “Idan Color”, me seli në Prishtinë kishin ndihmuar tre të akuzuarit në shpëlarjen e parave duke lëshuar fatura fiktive si dhe kishin bërë pagesa me para në dorë (cash) për kompani tjera të furnizimit në mënyrë që të kishin rritje të qarkullimit për të arsyetuar lëvizjen e parave të kundërligjshme.
Për këtë, ata akuzohen për “Ndihmë në shpëlarjen e parave”, nga neni 302 lidhur me nenin 33 të KPRK-së dhe nenit 56-57 të Ligjit mbi parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimit të terrorizmit.
Sipas Prokurorisë, Klodiana Raçani, Elmedina R dhe Qamie A, akuzohen se në bashkëkryerje kishin ndihmuar Andi F t’i fsheh afër 2 milionë euro, duke i marrë nga banesa e tij dhe dërguar në banesën e tyre, por pas informatave operative të njëjtat ishin gjetur dhe sekuestruar.
Për këtë, ato akuzohen se në bashkëkryerje do të kryenin veprën penale “Dhënia e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprave penale”, nga neni 380, par 3 lidhur me par 1 dhe nenin 31 të KPRK-së.
Për vepra të ngjashme kriminale po akuzohen edhe dy kompani tjera
Në Dosjen e Prokurorisë thuhet se Ilir S. dhe Suana P. që nga 2018 deri më 31 mars 2021 duke vepruar si pjesë e grupit të organizuar dhe strukturuara, ku i akuzuari Fiorin Dervishi si pronar dhe menaxher i kompanisë “Wise Marketing Call SHPK” dhe “Wise Marketing Center SHPK” dhe bashkë edhe me Nexhmedinë Makovcin, kanë qenë pjesë e këtyre kompanive si “team leader”, e që ka pasur edhe pozitën e operatorëve telefonik, me dashje dhe me qellim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm dhe veprimtarisë së përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, përmes platformave të tilla të njëjtit paraqiten në faqet e internetit www.goldsteinvest.com, www.fxcmarkets.com, www.obsbit.com dhe www.swissinv24.com.
Tutje thuhet se të pandehurit të cilët kanë mbajtur ato pozita “Retention” dhe “FTD” në këtë kompani kanë kontaktuar me persona të interesuar në Gjermani, (tani të dëmtuar) përmes telefoni duke u paraqitur me emra të rrejshëm, me të vetmin qellim që të bindin të bëjnë pagesa në llogarit të ndryshme në shtete të ndryshme duke i vë të njëjtit në lajthitje me premtime se kinse për të nxjerr fitime të larta e që ata besonin që këto pagesa kanë përfunduar në llogaritë të kompanisë Wise Marketing Call SHPK” dhe “Wise Marketing Center SHPK”.
Dëmi i shkaktuar nga këto kompani vetëm nga ana e të dëmtuarve që janë paraqitur është mbi 4 milionë euro.
Aty thuhet se udhëheqësi i grupit, Fiorin D ishte ekstraduar në Gjermani. Përveç tij, në Gjermani ishte ekstraduar edhe Nexhmedin M i cili mbante pozitën e operatorit telefonik dhe pas ekstradimit të dy kanë përfunduar procedurat gjyqësore.
E-Diaspora
-
Gjermania e Zvicra prijnë me numrin e të regjistruarve për votim nga diaspora 107,158 votues nga diaspora kanë aplikuar për votim në zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit të...
-
Një neurokirurg akademik shqiptar, në mes të Kolorados dhe Bazelit
-
Florian Haçkaj: Një jetë përtej kufijve dhe një mision për Shqipërinë
-
Valdete Hoti, figurë frymëzuese dhe sinonim i humanizmit
-
43 orë në bllokim trafiku për të arritur në Kosovë nga Zvicra
Jeta në Zvicër
-
Si do të ndikojnë te qytetarët ndryshimet në ekonominë zvicerane në vitin 2025? Lajmi i mirë është se ekonomia e Zvicrës do të mbetet e qëndrueshme në përgjithësi –...
-
Ҫfarë mund të prisni në Zvicër në vitin 2025?
-
Taksat e turizmit shtohen në koston e pushimeve të skive në Alpet zvicerane
-
Aplikimi për patentë shoferë, një hap me rrezik të lartë për të moshuarit
-
Fishekzjarret zvicerane lëshojnë deri në 400 tonë grimca