Lajme
DW: Pse kancelari gjerman mendon se Kamala Harris mund të fitojë në SHBA?
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka besim tek raportet transatlantike dhe mendon se Kamala Harris mund të ketë shanse të mira si kandidate për presidente në SHBA. Në konferencën e shtypit, kancelari foli shumë pak për Donald Trump.
Pyetja e parë drejtuar kancelarit në konferencën e shtypit në Berlin ka të bëjë me temën e zgjedhjeve në SHBA.
Por sigurisht, pyetja nuk është ashtu sikurse mund ta kishte dëshiruar kancelari, sipas raportit nga DW, transmeton albinfo.ch.
Pyetja ishte formuluar në këtë formë: Mos vallë në sfondin e rezultateve të sondazheve mjaft të dobëta për qeverinë e tij, ngjashëm si edhe presidenti i SHBA-së-së, Joe Biden, ai do të dëshironte të hiqte dorë nga një rikandidim në vjeshtën 2025?
Scholz, duke ngurruar përgjigjen e menjëhershme me një buzëqeshje të sforcuar, tha, shkurt: “Faleminderit për këtë pyetje të këndshme dhe miqësore. Jo, Partia Socialdemokrate është një parti shumë unike. Unë do të kandidoj sërish për t’u zgjedhur kancelar”.
Por lidhur me atë se si i konsideron kancelari këto ditë të ngarkuara me zhvillime në SHBA u drejtuan një sërë pyetjesh të tjera nga gazetarët.
E që në përgjigjen pasuese Scholz shkel një ligj të pashkruar në Gjermani: Atë që asnjë kryeministër gjerman asnjëherë nuk është shprehur hapur për zgjedhjet që priten në një vend mik.
Ndërsa Scholz fare prerë e qartazi tha: “Unë e konsideroj si shumë të mundshme që Kamala Harris të fitojë. Por këtë e vendosin zgjedhëset dhe zgjedhësit amerikanë”.
Scholz dhe Biden: Një lidhje e ngushtë
Është një sekret i hapur, se jo vetëm në Berlin, por edhe në shumë kryeqytete të tjera evropiane asgjëje tjetër nuk i tremben më shumë në zgjedhjet e 5 nëntorit se sa një fitoreje të ish-presidentit Donald Trump.
Por ndoshta edhe nuk ndodh kështu, tani që me shumë gjasë nënpresidentja demokrate Kamala Harris do të hyjë në garë kundër Trump.
Sidoqoftë nuk do të jetë më presidenti Joe Biden, me të cilin Scholz ka pasur gjithmonë një lidhje të ngushtë.
Qoftë në pozicionimin për furnizimet e armëve në Ukrainë, në vlerësimet lidhur me luftën në Lindjen e Mesme, gjithmonë të krijohej përshtypja se ashtu si mendon Biden, mendon edhe Scholz.
Deri në fund kancelari e ka mbrojtur presidentin e SHBA-së, reputacioni i të cilit filloi të bjerë pas shumë paraqitjesh që linin përshtypjen si të turbullta e konfuze.
Para pak javësh Scholz tha: “Nuk duhet që dikë, që ecën ngadalë, ta konsiderosh se nuk është në gjendje të drejtojë postin dhe vendin. Joe Biden mund ta bëjë këtë”.
Scholz e njeh Harris nga shumë takime
E tani pra Kamala Harris.
Scholz thotë se ai e njeh mirë atë nga shumë takime në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, nga takimi në konferencën e sigurisë në pranverë në Mynih dhe së fundi në samitin e NATO-s në SHBA.
Scholz tha më tej, se: “Ajo është një politikane kompetente dhe me përvojë, e cila e di mirë se çfarë bën. Ajo ka përfytyrime shumë të qarta për të ardhmen e vendit të saj”.
Asnjë fjalë për Trump
E si qëndron puna me Donald Trump? A ka komunikuar Scholz me të pas atentatit më 11 korrik, kur Trump u plagos në vesh?
Scholz përgjigjet duke u zgjatur se si kancelar detyra e tij është të komunikojë me secilën qeveri të zgjedhur në SHBA dhe të ruajë kontakte të ngushta me të. Të njëjtën gjë do të bëj edhe në të ardhmen.
Kjo nuk qe një përgjigje, ndaj pyetjes nëse ka kontaktuar për t’i uruar shërim të mbarë Trumpit, vlerëson raporti.
Me fjalë të tjera: Scholz nuk i ka telefonuar Trumpit. As nuk ka pasur kontakte me të tjerë nga rrethi i Trumpit.
Por ndryshe nga kancelari ndërkohë ministri gjerman i Punës, socialdemokrati Hubertus Heil ndodhet në SHBA dhe është takuar me guvernatorin republikan të Teksasit, Greg Abbott, duke e këshilluar Gjermaninë që pa drojë të kërkojë kontaktin me rrethin e Trump.
Heil tha në SHBA: “Natyrisht simpatitë e mia janë për demokratët. Por Gjermania duhet të ruajë marrëdhënie edhe me partnerë të vështirë”.
Dislokimi i raketave të SHBA-së në Gjermani?
Scholz u mundua ta relativizojë edhe një temë tjetër të rëndësishme, që ka të bëjë me raportet me SHBA-në.
Në samitin e NATO-s në Uashington, Scholz dhe Biden ranë dakord, që nga viti 2026 sërish të vendosen raketat e SHBA-së me rreze të gjatë veprimi në Gjermani. Këto raketa mund të arrijnë edhe Rusinë.
Kryetari i grupit parlamentar socialdemokrat në Bundestag, politikani me peshë, Rolf Mützenich, së fundi është shprehur hapur, se: “Rreziku i një përshkallëzimi pa dashje ushtarak është i konsiderueshëm”.
Scholz i lë vetes mjaft kohë në vlerësimin e tij, duke shpjeguar, se Rusia me agresionin e saj ndaj Ukrainës i ka hedhur poshtë përpjekjet prej dekadash për çarmatimin. Dislokimi i armëve të rreja amerikane është ndaj kësaj një përgjigje e rëndësishme: “Kjo shërben, që të ketë efekt frenues. E po ashtu shërben, që ne shtetet e NATO-s të mos sulmohemi”.
Një grindje e stërzgjatur: Shpenzimet e Gjermanisë për mbrojtjen
Scholz u ndal në një temë tjetër duke theksuar, se raportet e Gjermanisë me SHBA-në në të ardhmen do të kenë efekt përcaktues, pavarësisht se kush do të qeverisë në Uashington: Kërkesa, që Evropa, veçanërisht Gjermania, duhet të kujdesen vet për sigurinë e vet.
Scholz llogarit duke theksuar, se në vitin 2017 Gjermania ka shpenzuar 37 miliardë euro për mbrojtjen, ndërsa tani (nga buxheti dhe fondi i ri i posaçëm për ushtrinë) shpenzimet janë 76 miliardë euro në vit.
Kancelari Scholz nënvizon: “Gjermania është vendi kryesues kur bëhet fjalë për sigurinë dhe mbrojtjen në Evropë. Ne tani do të shpenzojmë rregullisht dhe në vazhdimësi dy për qind të rendimentit ekonomik për mbrojtjen”.
Një shifër, që NATO e pati përcaktuar si objektiv në vitin 2006 dhe që SHBA e kërkon prej kohësh prej Gjermanisë. /DW
E-Diaspora
-
Vjenë
Virale dhe e suksesshme, Almira nga Austria ka 800 mijë ndjekës në rrjetin “tik-tok” Almira tregon se aktualisht ka mbi 800 mijë ndjekës dhe përveç se është një tik-tok-ere e...
-
Suedi: Diamant Salihu fiton çmimin “Novatorët e vitit”
-
5 orë pritje, anulohet fluturimi nga Bazeli për në Prishtinë
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri?
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Dita e sotme shënon fillimin e javës së ‘Black Friday’ Kjo sepse dita e sotme shënon fillimin e javës së ‘Black Friday’, një zbavitje tradicionale e...
-
Zvicër: Aksident mes mjetit ushtarak dhe autobusit
-
Bora shkaktoi rreth 150 aksidente në kantonin e Cyrihut
-
Mbi 600 thirrje urgjente janë pranuar vetëm në kantonin e Lucernit për shkak të borës
-
Bora e parë në Zvicër bllokon trafikun