Lajme

Zbulohet punësim i paligjshëm në hotelet e Vjenës

Policia Financiare ka zbuluar shkelje të shumta gjatë inspektimeve në shtatë hotele në Vjenë, duke sjellë gjoba të konsiderueshme.

Operacioni, i kryer më 18 qershor, por i bërë publik sot nga Ministria e Financave, rezultoi me gjoba në shumën totale prej 68,000 €, përveç rikuperimit të menjëhershëm të mbi 43,000 € taksa të prapambetura.

Inspektimet kishin në shënjestër kryesisht stafin e huaj, të cilët zakonisht janë të punësuar në role pastrimi dhe shërbimi, përcjell albinfo.at.

Ndër 96 punonjësit e huaj të inspektuar, u regjistruan 23 kundërvajtje, që tregon se një në katër punonjës të huaj të kontrolluar ishin të punësuar në mënyrë të paligjshme.

Në një hotel në lagjen e 7-të të Vjenës, gjysma e dhjetë punonjësve të pastrimit u zbulua se punonin ilegalisht. Për më tepër, katër arrestime janë bërë në vend nga autoritetet e sigurisë për qëndrim të paligjshëm në Austri. Në një hotel tjetër, tre punonjësve të huaj u sekuestruan pasaportat, shkruan theinternational.at.

Ministri i Financave, Magnus Brunner, deklaroi: “Operacionet e fokusit ndërinstitucional janë një element thelbësor në luftën tonë kundër punës së padeklaruar. Ne po luftojmë me rigorozitet mashtrimin me taksat dhe detyrimet. Policia Financiare ka parandaluar dëme të mëtejshme me këtë operacion dhe do të vazhdojë të marrë masa të synuara kundër këtyre aktiviteteve kriminale në të ardhmen”.

Wilfried Lehner, kreu i Policisë Financiare, theksoi se “kontrollet prioritare në sektorin e pastrimit të hoteleve do të vazhdojnë dhe, nëse është e nevojshme, do të intensifikohen nga Policia Financiare për të mbrojtur ofruesit e ligjshëm”.

Javën e kaluar Policia Financiare zbuloi edhe detajet e bastisjeve të tyre në disa kompani taksi në Vjenë rezultuan me gjoba prej 340,000 eurosh.