Bota

Problemet që solli nxehtësia në mbarë globin

Kjo verë pritet të jetë përvëluese. Temperaturat mesatare globale kanë thyer rekorde për çdo muaj të vitit të kaluar

Nxehtësia vdekjeprurëse po bëhet gjithnjë e më normale, shkruan The Economist.

Në Japoni, ardhja e verës shoqërohet me zhurmat e insekteve cikada; në Alaskë peshqit salmon fillojnë të notojnë në sipërfaqe të ujërave. Sido që të fillojë, vera në hemisferën veriore, ku jeton më shumë se 85% e popullsisë së botës, po bëhet gjithnjë e më e nxehtë dhe e rrezikshme.

Ky vit nuk është përjashtim. Ai po shkon në të njëjtin drejtim. Në Arabinë Saudite, më shumë se 1300 haxhinj vdiqën gjatë haxhit, pelegrinazhit të myslimanëve në Mekë, pasi temperaturat arritën mbi 50°C.

Kryeqyteti i Indisë, Delhi, kaloi 40 ditë me temperaturë mbi 40°C, midis majit dhe qershorit, shkruan Monitor, transmeton albinfo.ch.

Në Meksikë shumë majmunë kanë rënë të ngordhur nga pemët për shkak të goditjeve të nxehtësisë.

Kjo verë pritet të jetë përvëluese. Temperaturat mesatare globale kanë thyer rekorde për çdo muaj të vitit të kaluar. Dhe faza e nxehtë El Niño e rrymave dhe erërave të Paqësorit përfundoi vetëm kohët e fundit. Por do të ishte gabim po ta quanim këtë verë të pazakontë.

Duke hequr ndryshueshmërinë nga viti në vit, planeti ynë tani është rreth 1.2°C më i ngrohtë se në shekullin XIX. Tashmë, në shumë shtete të botës, numri i ditëve jashtëzakonisht të nxehta që duhet të durojnë njerëzit, është mjaft i lartë.

Verë mizore

Kjo sjell probleme të mëdha. Valët e të nxehtit janë ndër fatkeqësitë më vdekjeprurëse të motit dhe klimës në nivel global, sipas OKB-së dhe Federatës Ndërkombëtare të Kryqit të Kuq.

Një analizë e publikuar nga firma Lancet në vitin 2021, vlerësoi se nxehtësia shkaktoi mesatarisht 489,000 vdekje në botë, midis viteve 2000 dhe 2019.

Pothuajse një e katërta e këtyre vdekjeve, ndodhën vetëm në Azinë Jugore.

Vlerësime të tilla zakonisht mbështeten në shifrën e “vdekjeve të tepërta”, pra sa më shumë njerëz vdiqën gjatë një periudhe sesa vdesin zakonisht.

Kjo mënyrë matjeje ka të meta dhe të dhënat duhen shumë kohë për t’u grumbulluar. Është edhe më e vështirë të konstatohen efektet e nxehtësisë që janë të dëmshme, por jo fatale.

Problemi është i mprehtë në vendet e varfra me shërbime të mangëta shëndetësore, ku nuk dihet saktësisht numri i viktimave nga temperaturat e larta.

Edhe kostot ekonomike janë domethënëse. Nxehtësia ka ndikuar në uljen e produktivitetit, sipas një analize nga firma Lancet të kryer vitin e kaluar, e cila vlerësoi se temperaturat e larta shkaktuan humbjen e 490 miliardë orëve të punës në vitin 2022, në mbarë botën, një rritje prej pothuajse 42% në krahasim me mesataren vjetore për periudhën 1991-2000.

Kjo shkaktoi uljen e të ardhurave në rajonin e Azisë Juglindore, me rreth 5% të PBB-së. Temperaturat e skajshme gjithashtu mund të dëmtojnë rendimentet e të korrave.

Për shembull, një periudhë e nxehtë në pranverën e vitit 2022, mendohet se uli prodhimin kombëtar të grurit në Indi atë vit, me 4.5%.

Ka një sërë mënyrash për t’u përshtatur me këto rreziqe dhe barra të reja: asnjëra nuk është e përsosur dhe shumë pak po tentohen. Në veçanti përpjekjet për t’u përballur më valët e të nxehtit kanë qenë të pamjaftueshme.

Në shumë vende, një verë jashtëzakonisht e nxehtë që mund të pritej një herë në shekull midis viteve 1950 dhe 1980, tani ka të ngjarë të ndodhë një herë në pesë vjet. Shumë shtete nuk kanë plane sistematike për t’u përballur me to. Dhe planet që kanë, mund të jenë joefikase.

Temperaturat e larta në përgjithësi shkaktojnë vdekjen e njerëzve duke përkeqësuar probleme shëndetësore që ata i kanë tashmë, si sëmundjet e zemrës dhe veshkave ose diabeti. Kjo është një nga arsyet pse numri më i madh i të vdekurve janë njerëz të moshuar dhe të varfër.

Temperaturat rriten shumë më tepër në zonat e dyndura me njerëz, që zakonisht janë lagjet më të varfra të qyteteve.

Materialet e lira të ndërtimit, si çatitë metalike, e përkeqësojnë edhe më tepër nxehtësinë, po ashtu edhe mungesa e pemëve, të cilat sigurojnë hije dhe freskim nëpërmjet avullimit të ujit nga gjethet. Të pastrehët janë edhe më të rrezikuar.

Të dhënat themelore janë me rëndësi jetike në planifikimin e përgjigjeve ndaj vapës së skajshme.

“Ka tre grupe të dhënash kryesore: të ardhurat, energjia elektrike dhe furnizimi me ujë. Duhet shqyrtuar se ku ka mangësi më të mëdha”, thotë Aditya Valiathan Pillai, një bashkëpunëtore në institutin kërkimor për klimën, Sustainable Futures Collaborative, në Delhi.

“Këto të dhëna duhen vëzhguar. Për të pakësuar vdekjet në një qytet me 25 milionë banorë”, thotë ajo, “shumica e përpjekjeve duhet të përqendrohen në vetëm 500,000 njerëzit më të cenuar”.

Ndërhyrjet

Në këtë drejtim, do të ndihmonte edhe shpërndarja e burimeve në kohën e duhur. Temperaturat janë relativisht të lehta për t’u parashikuar.

Në pjesë të mëdha të botës, problemi nuk është se parashikimet e motit janë të mjegullta, por se sistemet e paralajmërimit të hershëm janë të papërshtatshme.

Sidoqoftë, përmirësimi i shërbimeve meteorologjike do të ishte i dobishëm në pjesë të mëdha të Afrikës. Edhe në shtetet e pasura, parashikimet më të hollësishme do të ndihmonin që ofruesit e energjisë të shmangin ndërprerjet e saj në periudhat shumë delikate, kur nevojitet patjetër përdorimi i kondicionerëve për të përballuar vapën e madhe.

Ndërhyrje të tjera të dobishme janë jashtë sferës tradicionale të politikave klimatike ose shëndetësore dhe hyjnë në sferën e planifikimit urban ose rregullimit të tregut të punës.

Punëtorët që janë të detyruar të punojnë në kushte të vështira pune, janë veçanërisht të rrezikuar nga sëmundjet ose vdekja.

Kjo është e vërtetë, si për ata që punojnë në mjedisin e jashtëm, si në bujqësi apo ndërtim, por edhe për ata që qëndrojnë në mjedise të brendshme të ajrosura jo mirë.

Këtu mund të ndihmojnë masa si, ofrimi i vendeve me hije, dhe pushimi. Por bizneset shpesh tregohen armiqësore ndaj rritjes së rregulloreve të këtij lloji, nga frika se kjo do t’i kushtonte nga ana financiare.

Kalifornia, një shtet me fuqi punëtore të madhe bujqësore dhe prodhuese, ka luftuar për disa vite për të zgjeruar rregullat e lidhura me ngrohjen.

Një propozim për të kërkuar standarde të ngrohjes për punëtorët në mjediset e brendshme (dhe me dispozita për punëtorët në mjediset e jashtme) do të miratohej në vitin 2019, por u vonua deri në këtë muaj.

Dhe gjithsesi, nga ky rregull, janë përjashtuar me dhjetëra mijë punonjës që punojnë nëpër burgje, për shkak të shqetësimeve të kostos.

Amerika nuk ka ligje federale që mbrojnë të drejtën e punëtorëve për t’u ngrohur dhe shumë shtete republikane nuk duan që ta mundësojnë këtë të drejtë. Një ligj i ri në Florida i ndalon autoritetet komunale që t’i paraqesin ato.

Në vende të tjera të botës, vështirësia qëndron në përshtatjen e infrastrukturës së tanishme, me një klimë më të nxehtë.

Kjo është veçanërisht e dukshme në Evropë, ku infrastruktura e shumë shteteve ishte ndërtuar për një klimë shumë më të ftohtë se kjo e sotmja. Prandaj, vendet që kanë pasur historikisht sezone verore më të nxehta, po e përballojnë më mirë sfidën.

Spanja është një shembull i mirë. Shtëpitë në jug të vendit zakonisht janë të bardha, dhe me oborre me hije.

Në Madrid, dritaret e banesave më modeste zakonisht kanë tenda ose grila.

Edhe pse shumë spanjollë nuk flenë më gjatë drekës, pushimet në mes të ditës janë ende të zakonshme në pjesën më të madhe të vendit, dhe shumë dyqane dhe biznese mbyllen në pikun e vapës. Kjo u jep të gjithëve mundësinë për të pushuar.

Spanja bën përpjekje të përbashkëta për të mposhtur të nxehtin. Në pjesën më të madhe të vendit, ka plane dhe rregullore për të luftuar periudhat e nxehta dhe qeveria ka koordinuar një sistem alarmi për valët e të nxehtit.

Plani i Madridit përfshin masa për të pakësuar ose për të ndryshuar orët e shkollës, për të rritur shpeshtësinë e transportit publik që njerëzit të mos presin jashtë për një kohë të gjatë metronë ose autobusin, dhe për të subvencionuar sistemet e kondicionimit nëpër shtëpia.

Këtë vit, Madridi ka hapur gjithashtu mjedise të brendshme me ajër të kondicionuar për freskim dhe i nxit njerëzit që t’i përdorin ato.

Një studim i kryer nga viti 1980 deri në 2015, doli në përfundimin se rënia e vdekjeve të shkaktuara nga nxehtësia në Spanjë kishte ardhur falë “përshtatjes shoqërore” dhe “zhvillimit socio-ekonomik” të vendit.

Një plan i ngjashëm që ka ndjekur Franca fqinje vlerësohet se ka ulur deri në 90% vdekjet gjatë valëve më të këqija të të nxehtit.

Në kulmin e vapës

Përveç ndërmarrjes së më shumë hapave të tillë, bashkitë dhe rajonet duhet të sigurohen që ato të funksionojnë dhe t’i përshtatin kur kjo nuk ndodh. Në vitin 2013, qyteti Ahmedabad i Indisë, tërhoqi vëmendje si qyteti i parë në Azinë Jugore që zbatoi një plan veprimi për të luftuar ngrohjen.

Masat përfshinin përmirësimin e sistemit të paralajmërimit të hershëm për valët e të nxehtit dhe udhëzimin e autoriteteve lokale se kur të dërgonin staf shtesë në qendrat mjekësore.

Një studim i publikuar në vitin 2018, e vlerësoi planin për shmangien e më shumë se 1,000 vdekjeve në vit, pas fillimit të tij.

Nuk mund të thuhet me siguri nëse ky plan është ende i përshtatshëm tani, një dekadë më vonë. Kjo është e vështirë për t’u matur sepse plani nuk vlerësohet në mënyrë rutinë, një problem i zakonshëm me politikat klimatike.

“Do të kisha dashur të thosha se Ahmedabad bëri një punë të shkëlqyer këtë vit”, thotë zoti Pillai.

“Ndoshta po. Por si mund ta di unë?” Konstatimi se sa mirë kanë ecur politikat, është me rëndësi thelbësore për përballimin e vështirësive në të ardhmen. Dhe e ardhmja do të jetë e vështirë.