Kosova
Shqiptaro-amerikani Istref Haxhosaj, shoqërues i turistëve në Uashington
Uashingtoni pret çdo vit miliona vizitorë amerikanë e të huaj. Në shumë raste turistët angazhojnë një guidë që u shpjegon atyre historikun e kryeqytetit amerikan dhe i shoqëron ata në disa nga pikat më të njohura. Siç njofton gazetari Burim Goxhuli, një nga shoqëruesit e turistëve në Uashington është shqiptaro-amerikani Istref Haxhosaj, i cili e ushtron këtë profesion nga viti 2013. Ai ndau me VOA disa nga pikat e tij të preferuara për të vizituar në Uashington.
Në Memorialin e Luftës së Korpusit të Marinsave në Arlington të Virxhinias ndodhet një nga statujat më të njohura amerikane: marinsat që ngrenë flamurin në ishullin japonez ‘Iwo Jima’ gjatë Luftës së Dytë Botërore, një vepër që nderon të gjithë marinsat amerikanë që dhanë jetën për vendin.
Shqiptaro-amerikani Istref Haxhosaj, shoqërues turistësh në Uashington, thotë se zakonisht i fillon nga këtu takimet e tij me vizitorë.
“Sepse kjo ka një domethënie të madhe për lirinë e Amerikës dhe mbarë botës. Ushtarët amerikanë kanë luftuar për liri. Marinsat amerikanë dhe gjithë ushtarët amerikanë nga degët e tjera kurrë nuk janë ndalur duke luftuar për liri. Është shumë me rëndësi të fillojmë këtu, sepse këtu fillon edhe mirëqenia dhe liria jonë si popull”, thotë zoti Haxhosaj për Zërin e Amerikës.
Zoti Haxhosaj erdhi në Shtetet e Bashkuara pak vite pas përfundimit të luftës në Kosovë, ndërsa u bë pjesë e industrisë së turizmit më 2013.
Për më shumë se një dekadë ai thotë se ka pasur më shumë se 4 mijë grupe private me turistë. Zoti Haxhosaj thotë se në shpjegimet e tij gjithmonë e thekson edhe lidhjen mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.
“Ju tregoj amerikanëve se nga vij dhe kush jam. U tregoj amerikanëve se unë jam këtu sot për shkak të ndërhyrjes së ushtarëve amerikanë më 1999, përndryshe nuk do të isha këtu, apo nuk do të isha gjallë. Ju them se mbijetesa e popullit të Kosovës dhe shqiptarëve në Ballkan është e lidhur drejtpërdrejt me ndërhyrjen amerikane. Kështuqë unë ju tregoj amerikanëve një histori që shumë pak e dinë për ndërhyrjen në Kosovë. Unë kam ardhur nga një vend i vogël me mundësi shumë të vogla. Mezi kam folur gjuhën angleze kur kam ardhur këtu. Kam kuptuar, mund të lexoja dhe shkruaja, por shumë pak. Në Amerikë mundësitë ishin të pakufizuara. Më është dhënë mundësia që të shkoj në kolegj, më është dhënë mundësia të punoj, kam bërë punë të ndryshme derisa fillova këtë profesion. Kjo është gjëja e dytë që ju tregoj amerikanëve, sidomos të rinjve, sepse shumica prej tyre e marrin si të mirëqenë jetën në Amerikë” – thotë zoti Haxhosaj.
Zoti Haxhosaj thotë se njohuritë e tij mbi historinë e Amerikës nuk vijnë vetëm nga shkolla.
“Por edhe duke jetuar këtu. Sepse historia e Amerikës është në çdo rrugë të Uashingtonit, çdo ndërtesë, kështu që pasioni im rritet çdo ditë këtu”, shton ai.
Një nga ndalesat e preferuara të zotit Haxhosaj është Katedralja Kombëtare në Uashington, ndërtimi i së cilës nisi më 1907, ndërsa përurimi i objektit të stilit gotik u bë në fillim të viteve 90.
“Katedralja kombëtare është gjithëpërfshirëse. Ka filluar si episkopale, që është një degë e krishterimit, por tash është gjithëpërfshirëse. Kjo tregon edhe tolerancën fetare dhe lirinë e shprehjes në SHBA. Kur ndodhi 11 shtatori kjo kishë ka qenë e hapur për të gjithë. Kur ndodhi një sulm në Zelandën e Re në xhami, ku u vranë disa mysimanë, kjo ka qenë e hapur për të gjithë myslimanët. Kur pati një sulm në një sinagogë në Pitsburg në Amerikë kjo kjo ka qenë e hapur për të gjithë hebrenjtë”, thotë ciceroni Haxhosaj.
Në këtë katedrale ndodhet edhe varri i presidentit të 28 amerikan.
“Këtu jemi pranë varrit të njërit nga presidentët më të dashur amerikanë, Woodrow Wilson. Ai ka qenë president gjatë viteve të para të 1900-ës, gjatë Luftës së Parë Botërore. Ka qenë një njeri që ka besuar në kombet e vogla demokratike, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Pranë varrit të presidentit Wilson ndodhet edhe vula e presidentit amerikan, e cila ka shqiponjën njëkrenarëshe dhe frazën latine ‘e pluribus unum’ që do të thotë prej 50 shteteve, gjashtë territoreve, dhe njerëzve nga e gjithë bota, shteti amerikan është një komb”, thotë zoti Haxhosaj.
Shtëpia e presidentëve amerikanë është një nga pikat më të njohura turistike në Uashington, me gati 890 mijë vizitorë vitin e kaluar. Zoti Haxhosaj flet mbi përshtypjet e vizitorëve pasi shohin Shtëpinë e Bardhë.
“Zakonisht njerëzit kur vijnë këtu fokusohen në madhësinë e Shtëpisë së Bardhë. Shumë nga ta mendojnë se presidentët duhet të kenë një shtëpi shumë të madhe dhe zhgënjehen në shumë raste, sepse nuk u duket mjaftueshëm e madhe. Por, ideja e demokracisë, ideja e Amerikës, ka qenë që kjo është jo vetëm shtëpia e presidentit por shtëpia e popullit amerikan. Pra fokusi nuk ka qenë tek individi, por institucionet demokratike. Ideja ka qenë që të jetë e thjeshtë e bukur”, thotë zoti Haxhosaj.
Një tjetër ndalesë e rëndësishme në kryeqytet, sipas zotit Haxhosaj, është ndërtesa e Arkivit Kombëtar, vendit ku ruhen dokumentet më të rëndësishme që kanë vendosur themelet e Shteteve të Bashkuara.
“Kjo ndërtesë ka përfunduar më 1935. Çdo dokument i rëndësishëm amerikan përfundon në harkun publik këtu. Këtu ruhen dokumente të rëndësishme. Një prej tyre është dokumenti i NATO-s, brenda atje mund të gjesh një kopje të deklaratës së pavarësisë më 1776, një kopje të ‘bill of rights’ (karta e të drejtave) që ka qenë kushtetuta e parë e Amerikës, po ashtu këtu është edhe vetë kushtetuta e Amerikës”, shpjegon zoti Haxhosaj.
Ndërtesa e Kongresit, Monumenti i Uashingtonit, ai i Linkolnit, Memoriali i Luftës së Dytë Botërore dhe kompleksi i muzeume Smithsonian janë po ashtu në listën e pikave kryesore për vizitorët e kryeqytetit.
Gjatë vitit të kaluar Uashingtoni priti gati 25 milionë vizitorë, 17 për qind më shumë krahasuar me vitin 2022./VOA
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Më shumë se 640,000 fishekë snajperësh zviceranë thuhet se kanë shkuar në Ukrainë Municione snajperi nga kompania zvicerane P Defence thuhet se kanë mbërritur në Ukrainë në korrik 2023...
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero”
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha