Maqedonia

Protestë në Shkup, kërkohet lirimi i menjëhershëm i ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani

Mësohet se ish- veteranë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, invalidë të luftës dhe familjarë të dëshmorëve kanë protestuar sot para Gjykatës Themelore – Shkupi 1, me të vetmen kërkesë: lirimin e ish-ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Blerim Ramadani, i cili u arrestua nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut bazuar në një fletarrest të lëshuar nga Serbia, përcjell albinfo.ch.

Veterani Mevludin Bajrami e ka dënuar arrestimin dhe ka kërkuar tërheqjen e urdhërarrestit të lëshuar nga regjimi i Vuçiqit dhe mospërsëritjen e veprimeve të autoriteteve policore dhe gjyqësore nën diktatin e Serbisë.

“Në emrin tim dhe në emrin tuaj i përshëndes të gjithë familjarët e dëshmorëve të luftës, invalidët e luftës dhe ish-ushtarët e UÇK-së. Arrestimi i ish-ushtarit të UÇK-së, Blerim Ramadani, dhe dërgimi në paraburgim ekstradues nga policia e Maqedonisë së Veriut dhe nga gjykata vendore është i papranueshëm. Ne veteranët dhe bashkëluftëtarët e Blerim Ramadanit kërkojmë lirimin e menjëhershëm, tërheqjen e urdhërarrestit të regjimit të Vuçiqit dhe mospërsëritjen e vlerësimit të autoriteteve policore, gjyqësore nën diktatin e Vuçiqit dhe Serbisë nën diktatin e UÇK-së”, tha Bajrami.

Ai theksoi se ky akt, 25 vjet pas luftës së drejtë të shqiptarëve për liri dhe barazi, është i papranueshëm dhe kërkoi lirimin e menjëhershëm të Ramadanit.

“Blerim Ramadanit i kanë caktuar masën 30 ditore të paraburgimit me vendim të Gjykatës Themelore në Shkup. Blerim Ramadani është ndaluar në 17 korrik të 2024 në pikëkalimin kufitar Jazhincë bazuar në një fletarrest të lëshuar nga gjykata e Beogradit përmes interpol Serbia, ky akt 25 vjet pas luftës së drejtë të shqiptarëve për liri dhe barazi, demokraci dhe pavarësi është i papranueshëm dhe ne kërkojmë lirimin e tij të menjëhershëm pa asnjë vonesë dhe kthimin e tij në familjen e tij. Çdo ditë vonesë është tendencë për poshtërimin dhe ofendimin e luftës tonë të drejtë dhe kjo mendësi dhe veprimtari nuk do të tolerohet”, theksoi veterani Mevludin Bajrami.