Lajme

Këmba robotike, shpikja që mund të ndryshojë jetën e njerëzve që kanë humbur gjymtyrën

Një shpikje e re e realizuar në Institutin Italian të Teknologjisë mund të ndryshojë përgjithmonë jetën e personave që kanë humbur gjymtyrët e tyre.

Këmba robotike hodhi hapat e parë drejt përdorimit në masë, pasi kaloi me sukses testet. Këmba është ndërtuar duke kopjuar strukturën anatomike të këmbës së njeriut, për të përballuar çdo terren dhe për të mos lejuar depërtimin e ujit.

Këmba peshon 450 gramë por mund të mbajë deri në 100 kilogramë peshë. Ajo është realizuar e gjitha në titan ndërsa mekanizmat janë të lidhura me zinxhirë plastikë, që simulojnë lëvizjet e këmbës njerëzore.

Kjo bën që pesha të shpërndahet në mënyrë të barabartë në të gjithë këmbën gjatë ecjes, çka e bën lëvizjen shumë më natyrale.

Këmba nuk ka motorë apo pjesë elektrike dhe mund të përdoret në çdo lloj terreni, pa qenë nevoja për ta ndryshuar në varësi të relievit.