Lajme

Elon Musk pretendon se pati dy tentimvrasje ndaj tij muajve të fundit

Pronari i SpaceX e Tesla CEO, Elon Musk, pretendon se dy tentativa kundër jetës së tij kanë ndodhur muajt e fundit. Rrëfimin ai e ka bërë me sa duket i frymëzuar nga plagosja e mistershme e Donald Trump në mitingun e të shtunës në Pennsylvani.

Një sulmues i dyshuar 20-vjeçar kishte qëlluar Trump nga një çati, por më pas u vra nga policia pa dhënë deklarata.

Të dielën Musk shkruante në një postim: “Kohë të rrezikshme na presin”, ndërsa shtonte se “dy njerëz, në dy raste të veçanta kanë tentuar të më vrasin në 8 muajt e fundit”, duke thënë se ata ishin arrestuar të armatosur pranë fabrikës së tij të Tesla HQ në Texas”, transmeton tch, përcjell albinfo.ch.

Nuk ka prova për atentatet e përmendura, por komentuesit në rrjet i sugjeronin atij “të shtonte mbrojtjen e sigurinë”, duke argumentuar se “nëse ata tentuan ndaj Trump, do të vijnë edhe për ty”.

Në lidhje me tentativën ndaj Trump, Musk shkruante me tej: “Unë mbështes Presidentin Trump dhe i uroj shërim të shpejtë”.

Miliarderi ka kritikuar shpesh administratën demokrate, duke thënë më herët se “është kthyer në partinë e përcarjes e urrejtjes, prandaj nuk i mbështes më”.

Në maj ai gjithashtu denonconte verdiktin e fajësisë ndaj Trump për falsifikime të të dhënave të biznesit.

“Nëse një ish-President mund të dënohet për gjëra të tilla të parëndësishme, çdo njeri mund të pësojë të njëjtin fat”, komentonte në rrjetin e X.

Wall Street Journal ka shkruar së fundmi se Trump është afruar shumë me kreun e Tesla dhe nëse fiton, mund ta nominojë si këshilltar në administratën e ardhshme./Albinfo.ch