Kosova

Bebe Rexha në Sunny Hill

Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga festivali Sunny Hill, tashmë është konfirmuar se ylli i radhës është Bebe Rexha.

“Këngëtarja shqiptare me famë botërore vjen në Kosovë. Është në mesin e yjeve kryesore që do të performojnë në edicionin e sivjetmë të Sunny Hill Festival”, shkruhet në krye të komunikatës që kanë dërguar organizatorët të hënën.

Ajo do të jetë artistja e radhës, performuese kryesore në këtë edicion të festivali të muzikës.

“Jemi shumë të lumtur që këtë vit në mesin e shumë artistëve me nam, kemi edhe këngëtaren Bebe Rexha. Talenti i saj i jashtëzakonshëm dhe energjia që Bebe Rexha sjell në skenë, do ta ngjallin edhe më shumë atmosferën e këtij edicionin”, shkruhet në komunikatën e lëshuar nga “Sunny Hill”.

Paraqitja e Bebe Rexhës në festival, sipas komunikatës, është një moment specifik për skenën vendore muzikore, pasi që thekson edhe një herë ngritjen e yjeve shqiptare në skenën globale të muzikës.

Shkruhet se Bebe Rexha, këngëtarja shqiptare e njohur për hitet si “Meant to Be”, “I’m a Mess” dhe “In the Name of Love”, ka marrë zemrat e publikut nga mbarë bota me zërin e saj të fuqishëm dhe stilin unik.

Në mesin e hiteve të saj është edhe “I’m Goog (Blue) në bashkëpunim me David Guetta, i cili ende pa u lansuar u bë viral. Kënga ishte e para në toplistat në Britani, u shpërblye si bashkëpunimi më i mirë në MTV EMA 2022 dhe u nominua si incizimi më i mirë Dance/Electronic në Grammy dhe kënga e vitit në “BRIT Awards”. Në total këngëtarja është nominuar katër herë për çmimet Grammy.