Integrimi

Dita e Pavarësisë së Kosovës me shijen e poezisë

Orë e madhe letrare, me autorë shqiptarë e austriakë, me rastin e 17 Shkurtit, organizuar nga LSHKSHA "Aleksandër Moisiu", Vjenë

Dita e pavarësisë u ndie më ftohtë se asnjëherë në bashkëndjenjën  e vuajtjeve që sjell rruga e hidhur e migrimit. LSHKSH “Aleksandër Moisiu” urë lidhëse e fuqishme mes krijimtarisë dhe krijuesve të popujve. Afirmimi i fjalës artistike shqiptare asnjëherë nuk ishte më i theksuar. Dy antologji dhe orët letrare në të dy gjuhët janë afirmative mes dy popujve.

 Salla në GalerienArte e Becirkut të parë e njohur si vend i aktiviteteve artistike krijoi një ambient të mrekullueshëm për mbrëmjen letrare me mysafirë të shumtë, dashamirës të artit letrar. Drejtuesit e  galerisë,  Marina Thurnhofer dhe  Hubert Thurnhof e ndihmuan organizimin. Në fjalën e mirëseardhjes, znj.  Thurnhofer mes tjerash tha: “Ndihem me fat që unë bashkë me ju shijoj këso prezantime të mrekullueshme dhe shpresoj se ju do të shijoni sonte këtë mbrëmje “të poezisë së zemrës sonë”  ashtu siç do thoshte Shekspiri, në këtë atmosferë të mrekullueshme si përherë”.
Programin e drejtoi Jehona Muja-Sukaj me shije artistike  në të dy gjuhët.
Kryetari i Lidhjes “Aleksandër Moisiu”  Besim Xhelili e hapi mbrëmjen duke i përshëndetur mysafirët e shumtë nga Austria, Hungaria, në mesin e tyre dhe poetët e njohur austriak, miq të përhershëm të shqiptarëve  Peter Paul Wiplinger, Harald Kolleger, Helmuth A.Niederle, (k i fundit kryetar i P.E.N-Klubit në Austri) dhe ua uroi festën. “Ditët e fundit na ndjekin disa befasi të pakëndshme, ikja masive nga Kosova, por besoj se edhe kjo do të tejkalohet. Populli ynë ka tejkaluar në të kaluarën shumë momente të vështira”.
Promovim i dy romaneve
Pjesëmarrësve ua uroi 17 Shkurtin-Ditën e Pavarësisë së Kosovës  Roland Bimo, ambasador i R. Shqipërisë në Austri. “Ju përshëndes dhe ua uroj 7 vjetorin e pavarësisë së Kosovës! Kam kënaqësinë dhe privilegjin të jem sonte këtu me ju në këtë festë që ju shënoni dhe një falënderim i veçantë shkon për krijuesit, autorët e veprave letrare”.
Ymer Lladrovci, konsull në Ambasadën e R. Kosovës i uroi po ashtu të pranishmit me rastin e 17 Shkurtit.
Mysafirë tjerë ishin: Fitim Nuhi,  Sekretari i dytë në Misionin e Përhershëm të Maqedonisë pranë organizatave ndërkombëtare në Vjenë. Prengë Deda, Atashe Ushtarak i Shqipërisë, Arten Hanku nga ambasada e Shqipërisë, Adhurim Resuli Ministër – Këshilltar i Shqipërisë pranë Organizatave ndërkombëtare në Vjenë dhe Avni Hafuzi- Konsull nderi i ambasadës së Shqipërisë në Budapest.
Ilir Ferra, shkrimtar shqiptar që shkruan në gjuhën gjermane ka promovuar me këtë rast romanin e tij të tretë me titull “Minus”. Ai në fjalën e tij shpjegoi tematikën  -“përshkrimin e sistemit komunist me sytë e një fëmije”, motivet, gjuhën, kohëzgjatjen dhe synimet e tij përmes romanit si autor në gjuhën gjermane. Romanet e tij nuk janë të përkthyer në gjuhën shqipe.
Shkrimtari Driton Smakaj i lindur në Kosovë i cili jeton dhe krijon prej vitesh në Hungari bëri promovimin e romanit të tij me titull “217”. Rreth romanit dhe krijuesit dha një vështrim Anton Marku, poet, kurse autori i librit  Driton Smakaj në fjalën e tij uroj të pranishmit me rastin e 17 Shkurtit ndërsa tha se “për librin me titull anonim le të flasë lexuesi”.
Shkrimtarja Majlinda Nana Rama e lindur në Tepelenë e cila jeton në Fier, promovoi veprën e saj “Kritika Letrare”. Ajo është gazetare pranë gazetës “Panarama” në Shqipëri. Pas romanit të suksesshëm të saj “Perandori” i promovuar po në Vjenë, tani ajo prezantohet me krijimtari nga kritika letrare. “Letërsia është një vlerë shpirtërore e kombit, prandaj të gjithë vendosim nga një gur për të lartësuar këtë vlerë”.
Shkrimtarë të shquar austriakë dhe kryetari i PEN klubit, mysafirë të krijuesve shqiptarë
Shkrimtari i mirënjohur austriak, Peter Pauel Wiplinger përshëndeti dhe uroi të pranishmit me rastin e pavarësisë së Kosovës: “Unë jam njëri nga anëtarët e kryesisë së Lidhjes për Mbrojtjen e Autorëve/eve në Austri ku gravitojnë mbi 3 mijë e pesëqind anëtarë në 80 organizime. Jam gjatë këtyre 25 vjetëve kryetar i tyre dhe kemi arritur tek një platformë që të gjithë autorët që krijojnë në Austri, edhe ata jo në gjuhën gjermane, kanë rastin të jenë pjesë e Lidhjes sonë. Në tubimin e përgjithshëm që do ta mbajmë të shtunën dhe të dielën, Besim Xhelili, poet, do jetë anëtar i ynë”. Ai përmendi simbolikisht librin me poezi “Mein Gedicht ist mein Messer” (Vjersha ime është thika ime) nga autori i njohur gjerman Hans Bender, duke aluduar në bukurinë e fjalës poetike por edhe rrezikun nga e kundërta.  Wiplinger kishte miq Dr.Ibahim Rugovën dhe Ali Podrimen. Ai lexoi poezinë e tij të njohur “Programi letrar” dhe disa të tjera  nga krijimtaria e tij të cilat u pritën mirë nga publiku.
Helmuth A.Niederle, kryetar i P.E.N klubit në Austri i përshëndeti artdashësit. Ai prezantoi sfidat e fjalës së lirë në historinë e diskurseve brenda shoqërive e shtresave.  Niederle lexoi disa poezi mes tyre “Leben und Tod” (Jeta dhe Vdekja) duke nxjerrë mesazhin e saj në turbullirat e realiteti shoqëror.
Poeti dhe aktori Ragip Dragusha tani i njohur për artin e tij recitues, u paraqit me disa poezi.
Vjollca Koni nga Skrapari lexoi disa poezi nga “Poseidon”. Ilirjana Lladrovci lexoi disa poezi të saj ashtu siç lexuan edhe Gjin Morina dhe Mërgim Osmani.
Për të pranishmit këngëtari Hamdi Hyseni luajti një valle të bukur me çifteli, Mysafirë ishin edhe figura të njohura nga sporti, biznesi, arti e kultura, si Vahedin Ajeti, futbollist i njohur; Shpëtim Shala, boksier; Tahir Turkaj e biznesmen, etj.