Kosova

Kryeministri i Kosovës takohet me mërgatën shqiptare në Izmir

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës së tij zyrtare në Turqi ka takuar pjesëtarë të mërgatës, studentë dhe përfaqësues të shoqatave të ndryshme shqiptare nga Stambolli, Izmiri, Bursa e Manisa.

Sipas njoftimit të kryeministrisë, Kurti në këtë takim foli për indikatorët ekonomikë, që sipas tij, tregojnë rritjen për dyfish të investimeve të huaja dhe eksporteve, rritjen e të hyrave tatimore për 2/3 dhe nivelin e punësimit, transmeton albinfo.ch.

“Kryeministri gjithashtu veçoi arsyet pse Kosova ofron një mjedis të favorshëm për investime, përfshirë këtu çmimin e lirë të energjisë elektrike, fuqinë punëtore profesionale, besimin në institucionet publike, politikat fiskale dhe faktin që Kosova së fundmi ka marrë vlerësimin e saj të parë kreditor sovran nga Fitch Rating. Me këtë rast, ai u bëri thirrje që të vijnë në Kosovë, të hulumtojnë mundësitë që ofron vendi ynë dhe të investojnë, teksa shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e vazhdueshëm e të rëndësishëm të mërgatës sonë në Turqi, sa në ruajtjen e raporteve të mira, aq edhe në krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Turqisë”, thuhet në njoftim.