Zhvillim

Eksodi rrezikon marrëveshjen e punësimit sezonal të kosovarëve në Finlandë?

Drejtues të Ministrisë thonë se do të bëjnë gjithçka që është e mundur që një marrëveshje e tillë të mos dështojë

 

Migrimi në shkallë të gjerë i kosovarëve mund të sjellë në pikëpyetje realizimin e një plani për punësimin sezonal të kosovarëve në Finlandë. Siç raporton KTV, institucionet e Kosovës janë shumë afër arritjes së një marrëveshjeje me Finlandën për punësimin sezonal të punëkërkuesve.

Drejtues të Ministrisë së Punës dhe të Mirëqenies Sociale thonë se do të bëjnë gjithçka që është e mundur që një marrëveshje e tillë të mos dështojë. Nga ajo, sipas tyre, do të marrin shembull t’i bindin edhe shtetet e tjera.

Ministri i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, A. Abrashi ka pranuar se ka probleme me qendrat e punësimit, por që kjo pritet të ndryshohet pas realizimit të disa reformave, formimit të Agjencisë së Punësimit dhe në blerje të trajnimeve.

Kosova nga 2012-ta ka nisur përpjekjet për të arritur ndonjë marrëveshje për punësim sezonal.

Finlanda, Gjermania dhe Zvicra ka kohë që kanë qenë pikësynim i institucioneve të vendit për të arritur marrëveshje për punësim sezonal, mirëpo gjithnjë ka dalë ndonjë problem, i cili edhe ka ndikuar në mosarritjen e kësaj marrëveshjeje.