Futboll

The Guardian: Tri ndeshje larg që Xhaka të jetë kandidat për Topin e Artë

“The Guardian” i thur lavde Granit Xhakës

Nga tifozët e tij, tifozët kundërshtarë apo mediat e huaja: Granit Xhaka ka mahnitur të gjithë në Kampionatin Evropian në Gjermani. Në ishull, kapiteni i Zvicrës po shihet madje si kandidat për çmimin më të vlefshëm, përcjell albinfo.ch.

Lider e dirigjent, janë dy prej termeve që vlejnë për Granit Xhakën. 31-vjeçari është thelbi i asaj që përfaqësuesja e Zvicrës po e bën momentalisht në Gjermani.

Italianët u eliminuan, në radhë janë anglezët.

Në ishull janë të vetëdijshëm se kush po pret për “Tre Luanët”.

“The Sun” ka tërhequr vërejtjen që Anglia tani do të përballet me “Zvicrën shumë të mirë”, me Granit Xhakën si ideator dhe lider.

“Ai është në qendër të ekipit me përvojë”, shkruan gazeta tjetër “The Independent”.

Por këto vlerësime nuk janë të mjaftueshme për tifozërinë.

“The Guardian” ka shkuar tutje dhe ka shkruar: “Xhaka është ende tri ndeshje të mira larg që të jetë kandidat serioz për Topin e Artë”.

Sky po ashtu e ka përmendur Xhakën në lidhje me çmimin për futbollistin më të mirë të vitit.

31-vjeçari tashmë ka fituar dy tituj me Bayer Leverkusenin, Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë. Nëse Zvicra i fiton tri ndeshjet e ardhshme do të shpallet kampione evropiane. Dhe në një rast të tillë organizatorët duhet të mendojnë seriozisht për nominimin e Xhakës.

Në “Euro 2024” Xhaka ka pasur 319 prekje të topit deri më tani. Është i 13-ti në këtë listë. Ai është para Rodrit të Spanjës dhe Jude Bellinghamit të Anglisë.

“Nëse Anglia nuk përmirësohet ndjeshëm atëherë do të gjunjëzohet nga Zvicra”, kanë shkruar gazetarët e “The Sun”.

Dhe çelësi mund të jetë Granit Xhaka.

“Duket që ai ka gjetur kodin e fshehtë të futbollit”, shkruan “Daily Mail”.