Zhvillim
E lirë, por e varfër, Kosova i bën të ikin në Evropë
“Për një ditë i kam humbur 40 punëtorë”. Me vëllain e tij, Qemajli udhëheq kompaninë ndërtimore “Pozhegu Brothers”, me seli në Prishtinë. “Trembëdhjetë nga ata ishin të punësuar drejtpërdrejt nga ne, të tjerët përmes një firme nënkontraktuese. Të gjithë ishin punëtorë të kualifikuar. Fitonin nga 350 deri në 600 euro në muaj”. Më shumë se paga mesatare, e cila konsiderohet të jetë 290 euro. “Mbi të gjitha, ata kanë shkuar në kërkim të një jete më të mirë për ta dhe familjet e tyre”.
Sipas vlerësimeve të ndryshme, që nga fillimi i vitit Kosova është zbrazur për rreth 50.000 qytetarë, ose 3% të popullatës. Një emigrim masiv, në prag të kremtimit të ditëlindjes së 7-të të pavarësisë, e shpallur më 17 shkurt 2008. Çdo mbrëmje, në stacionet e autobusëve të Ferizajit, Gjilanit, Podujevës apo Vushtrrisë, grupe të kandidatëve potencialë për ikje grumbullohen nëpër autobusë. Shumë të rinj, por edhe familje të shumëta me fëmijë marrin rrugë për Serbi dhe qytetin Suboticë, në veri, te kufiri me Hungarinë. Më të varfërit e kalojnë kufirin këmbë, natën, përmes maleve. Të tjerët me vetura me targa të Gjermanisë apo të Austrisë, të parkuara afër hoteleve në breg të liqenit Paliç.
Eksodi masiv
Shifrat nuk mund të verifikohen. Mirëpo, sipas politologut Fatmir Sheholli, në mes të gushtit dhe dhjetorit 2014 më shumë se 100 000 shqiptarë nga Kosova e kanë lëshuar vendin. Demografi Rifat Blaku, profesor në Universitetin e Prishtines, i cituar nga mediet kosovare, flet për një “termet me pasoja të tmerrshme”. Ekspertë të tjerë flasin për ikjen më të madhe të popullatës që nga pranvera 1999, gjatë bombardimeve ajrore të NATO-s.
“Kufiri, ku është?”
Ismaili sapo ka dalë nga adoleshënca. Ai ka arritur në stacionin e trenit në Suboticë me një çantë në krah si bagazh të vetëm dhe me qëllim arritjen në Gjermani. “Në familjen time jemi dhjetë”, thotë ai. “Por vetëm njëri nga ne është i punësuar dhe kjo nuk është e mjaftueshme për t’i ushqyer të gjithë. Në zgjedhjet e fundit kam votuar për Isa Mustafen (kryeministri i tanishëm) dhe kam gabuar shumë….”
Varfëria ekstreme
Sipas shoqatës “Nëna Terezë”, 18% të popullatës në Kosovë jeton në një varfëri ekstreme, me më pak se 0,90 € në ditë dhe 27% në varfëri me 1.40 € në ditë. Por ankthi ekonomik nuk i arsyeton të gjitha. “Ky eksod i ri është rezultati i politikës së implementuar në Kosovë që nga fundi i luftës nga Bashkimi Evropian, Amerika dhe partnerët lokalë”, analizon Belgzim Kamberi, anëtar i presidencës së lëvizjes Vetëvendosje, fuqia e tretë në parlament. “Papunësia dhe pabarazitë sociale vetëm se janë rritur, ashtu si klientelizmi, korrupsioni dhe krimi i organizuar brenda institucioneve të shtetit të ri”. Dhe shton: “Shqiptarët e Kosovës ishin të njohur si populli më optimist në Evropë. Pas luftës refugjatët donin të ktheheshin në vendin e tyre, edhe pse shteti ishte i shkatërruar. Sot, fëmijët e tyre kanë vetëm një ëndërr: të ikin”.
“Ky eksod është si sëmundje ngjitëse”, konstaton Habib Habibi, koordinator i projekteve në Organizatën ndërkombëtare të migrimeve në Prishtinë. “Njerëzit thonë se nuk ka të ardhme në Kosovë. E kanë humbur besimin. Deri në pavarësi ata kanë pranuar të bëjnë sakrifica të mëdha… Tashmë janë të lodhur. Janë asfiksuar dhe kërkojnë fatin e tyre përmes ikjes. Një ikje përpara dhe e pashpresë.
Megjithatë, këto ditët e fundit fluksi i emigrantëve është zbehur sadopak. Autoritetet hungareze kanë kryer mijëra arrestime. “Përplasja me realitetin e kthimit do të jetë e vështirë”, parashikon Habib Habibi. “Këtë vit 17 shkurti nuk do të festohet si më herët”
Shkrimi i botuar në TDG. Përkthimi, albinfo.ch
Të tjera nga Zhvillim
E-Diaspora
-
Ka mashtruar me baste sportive: Gjykata Federale konfirmon dëbimin e kosovarit Gjykata e Qarkut e kishte dënuar vetëm me burgim me kusht por ai ishte ankuar dhe...
-
Deputeti i Parlamentit të Konfederatës Zvicerane, Islam Alijaj pajiset me pasaportë të Kosovës
-
Qendra “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e Hapur”: “Ne nuk harrojmë!”
-
Rreth katër orë pritje në Merdarë për të dalë nga Kosova
-
Ka shkatërruar Ferrarin e tij, 43 muaj burg dhe 6 vjet dëbim për kosovarin
Jeta në Zvicër
-
Inflacioni: Kush i përcakton çmimet? Çmimet vazhdojnë të rriten, por më pak se në vitet e mëparshme. Këtë e tregojnë shifrat...
-
Më shumë zyra bosh në Zvicër
-
Ushtria zvicerane shkurton shpërndarjen e uniformave për të kursyer miliona
-
2025 sjellë ndryshime lidhur me pensionet, çka duhet të dini?
-
Mashtruesit vodhën miliona subvencione për transportin publik