Lajme
Nën ethet e migrimit, Kosova shënon ditëlindjen
Kosova në mënyrë modeste po e shënon 7-vjetorin e Pavarësisë. Qeveria e Kosovës po përballet me krizën më të madhe sociale që nga paslufta
Kosova sot po shënon 7 vjetorin e pavarësisë, me një festë simbolike që nuk po dallohet shumë nga ditët e vikendit. E gjendur mes dy zjarreve, opozitës së revoltuar dhe eksodit masiv, qeveria e Kosovës po përballet me krizën më të madhe sociale që nga paslufta. Këto dy çështje, kanë ndikuar, që Dita e Pavarësisë të duket e rëndomtë me ditët tjera.
Edhe Institucionet e Kosovës kanë reduktuar shpenzimet për kremtimin e kësaj dite. Nuk pati as parakalim të eshalonëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, e nuk do të ketë as koncerte me yjet e estradës, ndërsa asnjë lider i vendeve të rajonit nuk ka paralajmëruar ardhje në Kosovë.
Njohësit e rrethanave politike në Prishtinë, këtë vit e konsiderojnë më të rëndin që nga përfundimi i luftës 1999.
Ata fajësojnë lidershipin institucional që nuk arritën t’u krijojnë strehë dhe perspektivë qytetarëve të vetë, prandaj nga zhgënjimi, sipas tyre, ilegalisht në BE ikën rreth 230 minë kosovarë.
Sipas analistëve kosovarë, eksodi masiv drejt vendeve evropiane është treguesi më i mirë se Qeveria e Kosovës ka dështuar të krijojnë zhvillim ekonomik, vende të reja pune, të garantojnë sundim të rendit dhe të ligjit dhe të përmirësojnë imazhin e shtetit tek ndërkombëtarët.
Madje ky i fundit (imazhi) ka qenë shkaktari kryesor që në Kosovë nuk po vijnë investitorët e huaj, ndërsa parashikimet se zhvillimi ekonomik do të jetë mbi 4 për qind, dolën të jenë vetëm iluzione. Kurse ngërçi politik 6 mujor i vitit të kaluar, gjithashtu ka qenë grushti më i fortë që i është dhënë Kosovë gjatë këtyre viteve.
Veriu i Kosovës mbetet sfidë për Prishtinën
Po ashtu në shtatë-vjetorin e Pavarësisë, katër komunat e veriut të Kosovës, Leposviq, Zubin-Potok , Zveçan dhe Mitrovicë e veriut, të funksionojnë jashtë juridiksionit të Kosovës.
Për veprimtari dhe ish të burgosurin politik, Adem Demaçi, Kosova akoma nuk është shtet i pavarur, derisa një e katërta e shtetit nuk kontrollohet nga institucionet e Prishtinës.
“Nuk mund të jemi Kosovë e lirë dhe e pavarur derisa një e katërta e territorit na kontrollon dikush tjetër. Ne jemi një shtet i cunguar dhe i penguar me projektin e Ahtisarit. Më shpalljen e pavarësisë jemi distancuar nga Rezoluta 1244 dhe ne duhet të ngulim këmbë që ta forcojmë këtë pavarësi”, ka shtuar Demaçi.
Edhe Besim Baliqi, profesor në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës, thotë se gjatë këtyre shtatë vjetëve Kosova ende nuk ka arritur ta rrumbullakojë plotësisht shtetësinë.
“Nëse e krahasojmë me shtetet e tjera të dala nga ish-Jugosllavia, Kosova është vend i cili kontestohet dhe nuk i njihet pavarësia, si nga shteti fqinj Serbia, por edhe nga Bosnjë e Hercegovina ashtu edhe nga mjaft shtete të tjera të botës. Gjithashtu, në rrafshin socio-ekonomik, por edhe në sundim të ligjit ka ngecje të konsiderueshme”, ka vlerësuar Baliqi.
Njerëzit po ikin nga shteti i tyre
Ndërsa politologu Belul Beqaj, si dëshmi e dështimit të shtetit të Kosovës, e quan emigrimin e qytetarëve drejt BE-së.
“Eksodi masiv i qytetarëve është dëshmia më e fortë e dështimit të shtetit, i cili ishte fetishizuar nga shqiptarët. Derisa nuk e kishin shtetin e vet, qytetarët mendonin se gjendja e tyre ishte e vështirë në bashkësinë jugosllave pse ishin të diskriminuar. Mjerisht, ata po zhgënjehen në shtetin e vet… Ata jo rastësisht sot po ikin përmes shtetit që e kanë urryer më së shumti”, tha ai.
Drejtori Ekzekutiv në institutin “GAP”, Agron Demi, ndërkaq përvjetorin e shtatë të pavarësisë e konsideron të njëjtë, madje edhe më të keq, se në kohën kur u shpall pavarësia.
“Shpallja e Pavarësisë është parë si akt i dyfishtë: si mëvetësi politike shtetërore, por edhe si fazë e re e prosperitetit ekonomik. E në fakt nuk ka ndodhur asnjëra në plotësi. Kosova përballet me të njëjtat probleme ekonomike si ato të para 17 Shkurtit 2008. Madje, në disa raste edhe më keq”, deklaroi Demi për mediet lokale.
Ai thotë se sa i përket investimet e huaja direkte pas vitit 2008 kanë shënuar rënie të dukshme në krahasim me periudhën e para vitit 2008. “Numri i familjeve në asistence sociale thuajse është konstant, kurse buxheti shtetëror për kategoritë sociale është rritur dukshëm përgjatë këtyre shtatë vjetëve”, ka vlerësuar ai.
Ndërsa shtatë vjetët e qeverisjes së shtetit të Kosovës, sipas Demit, karakterizohen me investimet në shtrimin e rrugëve dhe keqmenaxhimi i disa sektorëve të rëndësishëm.
Thaçi, shtatë vjet plotë suksese
Derisa partitë opozitare, Vetëvendosje, AAK dhe Nisma, kanë paralajmëruar protesta të reja e gjithashtu me grevë kanë kërcënuar edhe punëtorët e arsimit e shëndetësisë për mosngritje pagash dhe mospërmbushje të Kontratës Kolektive, zëvendëskryeministri, Hashim Thaçi nuk e sheh Kosovën shumë më mirë.
Ai thotë se për shtatë vjet të pavarësisë, Kosova ka bërë zhvillime të mëdha, ndërsa vazhdon të mbetet “tregim suksesi” në botë.
“7 vjet shtet. 1,500 kilometra rrugë të ndërtuara, 100 shkolla të reja të përfunduara, 108 njohje. Anëtarësi në shumë organizata. Rritje ekonomike mesatare prej 4 për qind. Demokraci e konsoliduar dhe kuvend i zgjedhur demokratik. Shumë punë është bërë për 7 vjet të kompensohet një shekull i tërë okupimi dhe një luftë shkatërrimtare”, thotë Thaçi në facebook.
Ndryshe, shtatë vjet më parë, deputetët e Kuvendit të Kosovës, shpallën Kosovën Shtet të Pavarur dhe Demokratik. Brenda shtatë vjetëve, Kosovën e kanë njohur 108 vende të botës, ndërsa është anëtarësuar edhe disa organizata ndërkombëtare, përfshirë anëtarësimin në Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.
Mirëpo, shteti më i ri në Evropë akoma vazhdon të mos njihet nga pesë shtetet e BE-së, Spanja, Greqia, Qiproja, Rumania e Sllovakia.
Përveç krizës sociale, ekonomike, mungesës së ligjit dhe rritjes së korrupsionit, Kosova gjatë këtyre viteve është përballë edhe me ekstremizmin fetarë. Janë arrestuar dhjetëra klerikë, ndërsa shifrat tregojnë se rreth 250 kosovarë kanë shkuar në Siri e Irak, për t’iu bashkuar ISIS-it.
Kurse suksesi më madh gjatë këtyre vjetëve është ai në sport. Xhudistja Majlinda Kelmendi u shpall kampione e botës, ndërsa Komuniteti Olimpik Botëror pas 20 vjetësh përpjekje, e pranon Kosovën në gjirin e saj. Po ashtu Kosova në sportet luftarak ka korrë suksese të tjera.
E-Diaspora
-
Vlerësim i lartë për kompaninë „Halili + Partner“ të inxhinierit Besnik Halili Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Rexhep Demiri ka vizituar dhe vlerësuar lartë...
-
Rrugës për në Kosovë, mërgimtarët presin mbi 15 orë në kufirin Kroaci-Serbi
-
Iu dha lamtumira e fundit aktorit Adem Muji
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
Jeta në Zvicër
-
Bora krijon kaos në Bernë, pezullohet pjesërisht qarkullimi i autobusëve Reshjet e dendura të borës mëngjesin e së hënës shkaktuan kaos në rrugët e kryeqytetit zviceran....
-
Rritja e taksave turistike e planifikuar për Crans-Montana nxit zemërimin e pronarëve
-
Policia ndalon trafikun në tunelin Gotthard për shkak të borës
-
Bora pengon qarkullimin rrugor në Alpe
-
Çmimet e ndërtimit janë ende në rritje, por jo në Ticino