Të tjera
Në 25-vjetorin e çlirimit, u nderua sakrifica e Agim Ramadanit dhe e të gjithë dëshmorëve të kombit
Në tubimin në Zollikon morën pjesë zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ministri i Bujqësisë, Faton Peci etj.
25-vjetori i rënies së komandantit Agim Ramadani, që përkon edhe me përvjetorin e 25-të të çlirimit të Kosovës, u shënua të dielën në Zollikon të Cyrihut, nën organizimin e Konsullatës së Republikës së Kosovës, në Cyrih.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës ka mbështetur këtë organizim, në të cilin kanë marrë pjesë qindra bashkatdhetarë nga e gjithë Zvicra e më gjerë. Në tubim ka marrë pjesë edhe zëvendëskryeministrja e Kosovës, njëherësh ministre e Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ambasadori i Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi, ai i RMV-së, Rexhep Demiri, përfaqësuesi nga Ambasada e Shqipërisë, Valon Gashi, komandanti i Brigadës 138 “Agim Ramadani”, Rrustem Berisha dhe personalitete të tjera.
Prania e komunitetit të këtushëm shqiptar në këtë manifestim ishte gjithëpërfshirëse dhe përfaqësonte të gjitha trevat dhe të thuash të gjithë spektrin politik të shqiptarëve të Zvicrës. Një prani që flet për identifikimin e të gjithëve me vlerat që përfaqësonte Heroi Agim Ramadani dhe të gjithë dëshmorët e kombit.
Në një fjalë përshëndetjeje publikut i është prezantuar zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla, në cilësinë e ministres së Diasporës. Pasi ka përshëndetur në veçanti familjet e dëshmorëve, ajo ka vlerësuar lart meritat e mërgatës shqiptare në të gjitha fazat e rezistencës dhe shtetndërtimit të Kosovës. Në këtë pikë, Gërvalla është ndalur te dy nga krerët e luftës çlirimtare, Agim Ramadani dhe Sali Çekaj, të cilët kishin lënë rehatinë e tyre në Zvicër, përkatësisht në Gjermani, për të dhënë kontributin e tyre në luftën e Kosovës, ku në fund dhanë edhe më të shtrenjtën, jetën e tyre.
“Komandant Agim Ramadani ishte një strateg i shkëlqyer ushtarak dhe një lider me vizion të qartë për një Kosovë të lirë dhe demokratike. Ai nuk e humbi kurrë besimin tek liria dhe drejtësia. Lufta e tij në Betejën e Koshares do të mbetet përgjithmonë një simbol i lavdisë dhe trimërisë në historinë tonë kombëtare. Në Betejën e Koshares, heroi Agim Ramadani tregoi trimëri të pashoqe dhe strategji të jashtëzakonshme para se më 11 prill 1999 të vritej në ballë të frontit çlirimtar, aty ku përgjithmonë u hoq guri famëkeq i kufirit. Beteja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Koshare ishte dhe mbetet beteja e krenarisë dhe lavdisë, betejë e heronjve që jetësuan ëndrrën shekullore”, ka thënë veç tjerash Donika Gërvalla.
Të pranishmëve u është drejtuar edhe ministri i Mbrojtjes në Qeverinë e Kosovës, Ejup Maqedonci. Ai në fjalën e tij ka evokuar momentet nga takimi me Agim Ramadanin, në kohën kur edhe vetë ishte paraqitur si vullnetar, i ardhur nga Zvicra, për t’u bërë pjesë e luftës në Kosovë. Z. Maqedonci ka theksuar se atëbotë, si i ri pa përvojë ushtarake, mësimet e para nga doktrina ushtarake i ka marrë pikërisht nga Heroi, Agim Ramadani. Ministri më tutje ka folur edhe për gjendjen aktuale në Kosovë, respektivisht ngritjen e lartë të nivelit të aftësisë mbrojtëse të FSK-së, përballë sfidave aktuale politike.
Ish-komandanti i Brigadës 138 dhe bashkëluftëtari i ngushtë i Agim Ramadanit, Rrustem Berisha, ka folur për njohjen e tij me Agim Ramadanin dhe për rrjedhat e betejës së Koshares. Në këtë betejë është arritur të realizohet ëndrra shekullore e shqiptarëve, rrëzimi i kufirit ndërshqiptar dhe Agim Ramadani ishte ideatori kryesor i strategjisë që solli këtë arritje.
Berisha ka folur edhe për strukturat organizative të forcave çlirimtare në Betejën e Koshares dhe për hyrjen e tyre fillimisht në vitin 1998 në zonën operative të Dukagjinit. Ai, në përmbyllje të fjalës së tij ka evokuar momentet e fundit të kontaktit (telefonik) me Agim Ramadanin, gjatë aksionit të tij të fundit luftarak, që përfundon me rënien e tij për liri. Pas marrjes së lajmit për rënien e heroit, tregon Berisha, atë e kemi mbajtur të fshehur nga ushtarët. “Nuk donim t`i dëshpëronim sepse ishin të lidhur së tepërmi shpirtërisht me Agimin…”.
Hilmi Asllani, bashkëveprimtar i Agim Ramadanit në kohën kur ky ishte në Zvicër, ka evokuar kujtimet nga themelimi dhe drejtimi i Qendrës Kulturore Shqiptare në Cyrih. Ai me këtë rast ka vënë theksin në shpirtin krijues si, piktor dhe poet, që kishte Agimi dhe për rolin e tij dhe të QKSH në përbashkimin e shqiptarëve drejt një synimi të përbashkët, që ishte çlirimi i Kosovës.
Në këtë akademi përkujtimore ka folur edhe vëllai i Agim Ramadanit, Bekimi, i cili me pak fjalë ka përkujtuar fëmijërinë dhe rininë e tij pranë vëllait hero.
Bashkëshortja e Heroit, Shukrije Ramadani, ka përmbyllur radhën e fjalimeve, duke falënderuar organizatorët për përkushtimin që kanë treguar për nderimin meritor të veprës së Agim Ramadanit dhe të gjithë dëshmorëve të luftës për çlirim. Ajo ka shprehur kënaqësinë që më në fund, 25 vjet pas çlirimit, po organizohet një manifestim i tillë, me mbështetje të institucioneve, gjegjësisht Qeverisë së Kosovës.
Në këtë akademi janë shfaqur disa videoxhirime në të cilat shihet figura e Agim Ramadanit,. Komunikimi i tij impresionues me bashkatdhetarët dhe me bashkëluftëtarët tregon për fuqinë bindëse të mendjes dhe fjalës së tij, fuqi që ka bërë të mobilizohen shumë bashkatdhetarë dhe t`i bashkohen atij në luftën për liri.
Këngëtarja e njohur e xhazit, Elina Duni, ka bartur pothuaj tërë “kolonën artistike” të aktivitetit. Ajo ka kënduar, me kitarë dhe me piano disa këngë nga tradita e muzikës shqiptare si dhe ka recituar poezi të Agim Ramadanit.
Në foajenë e sallës ku u mbajt akademia, ishte hapur një ekspozitë me vepra arti, ku punimet e tyre i kanë ekspozuar: Avdi Hajdari – Kame, Bedrije Hamiti, Dussi Sadriji, Dorina Ukgjini, Kushtrim Sulejmani, Kaltrina Kastrati, Zhakline Bislimi, Apoloniartjack, Rijad Mehmeti – Rijart, Rexhep Leci dhe Hamza Kokalari.
Të ngjashme
Të tjera nga Të tjera
E-Diaspora
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake Edona Bilali është deputete e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ku përfaqëson Qarkun e Shkodrës, që...
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
Jeta në Zvicër
-
Cilat janë kooperativat zvicerane të strehimit dhe a mund t’i aksesoni ato? Disa pjesë të Zvicrës kanë kooperativa banimi që ofrojnë qira më të përballueshme...
-
Zvicër: Dardanët presin përkrahjen e bashkatdhetarëve
-
Nga 1 janari do të mund të ndryshohen në çdo moment disa modele të sigurimit shëndetësor
-
Çmimet e pronave zvicerane nuk tregojnë shenja rënie
-
Shtatë gjëra që thjesht nuk mund t’i mbani sekret në Zvicër