Kosova

Forumi Ekonomik Kosovë-Portugali, prezantohen projekte energjetike

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, mori pjesë në Forumin Ekonomik Kosovë-Portugali, ku prezantoi sektorët kryesorë të kësaj ministrie, me theks energjinë dhe Teknologjinë Informative dhe Komunikuese, përcjell albinfo.ch.
Rizvanolli u shpreh e kënaqur me faktin që më shumë se 40 biznese nga Portugalia erdhën për herë të parë në rajon përmes Forumit Ekonomik Kosovë-Portugali, e kjo tregon një hap të rëndësishëm drejt thellimit të lidhjeve dhe bashkëpunimit në mes të dy vendeve.
Në një forum të tillë pas tre vjet qeverisjeje Rizvanolli prezantoi projektet e mëdha energjetike që kanë filluar, duke shfaqur suksesin e ankandit të parë solar 100 MW dhe ankandet e tjera të radhës që janë pjesë e pakos investive, ku ME-ja synon të ndërtojë 950 MW kapacitete të reja të energjisë së ripërtëritshme, me një investim total prej 1.2 miliardë eurosh.
E përmes kësaj synohet të ofrohet siguri dhe mundësi të mëdha për investitorët ndërkombëtarë.
“Kosova ofron një fuqi punëtore të re dhe shumë të kualifikuar, ndërsa Portugalia sjell ekspertizën e saj në inovacionin digjital. Kjo sinergji ndërmjet talentit të teknologjisë në zhvillim të Kosovës dhe infrastrukturës digjitale të avancuar të Portugalisë, do të ofrojë një partneritet digjital transformues, duke i shtyrë vendet tona drejt bashkëpunimit dhe rritjes ekonomike”, ka theksuar Rizvanolli.
Në këtë ngjarje, përveç Rizvanollit, morën pjesë edhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, nënkryetari i Kuvendit të Portugalisë, Marcos Perestrello, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, afaristë dhe të ftuar të tjerë.