Lajme

Manifest për një albanologji të re

Bëhet fjalë për një projekt revolucionar për të krijuar diçka krejt të re. Por për realizimin e këtij qëllimi të lartë patriotik duhen njerëz të aftë, të vendosur, të qëndrueshëm, idealist, vetëmohues dhe trima

Kur kam qenë duke punuar gati tridhjetë vite mbi temën e ndërthurjes së shkencës me politikën në bazë të shembullit të albanologjisë austro-hungareze, nuk kam menduar kurrë se unë vetë një ditë do të bëhem në kohën e sotme viktima e këtij fenomeni. Një paralajmërim mund të kishte qenë fakti se as qeveria shqiptare, as qeveria kosovare, as qeveria austriake nuk ka qenë e gatshme të financonte përkthimin e monografisë sime “Kurt Gostentschnigg (2018): Wissenschaft im Spannungsfeld von Politik und Militär. Die österreichisch-ungarische Albanologie 1867-1918. Wiesbaden: Springer VS” (828 faqe; titulli në shqip: „Shkenca në fushën tensionuese të politikës dhe ushtrisë. Albanologjia austro-hungareze 1867-1918“) nga gjermanishtja në shqip. Pse? Për shkak të aktualitetit të tëmës? Apo për shkak të një arsyeje tjetër?

Që kjo temë është shumë aktuale, u vërtetua më së shumti në kohën e plandemisë së koronës. Kudo në botë shkencëtarët dhe akademikët, të cilët kanë guxuar të kritikonin masat e marra –si maskat, testet, lockdown-i dhe vaksinat – kanë humbur vendin e tyre të punës. Në rastin tim: A nuk është një ironi e veçantë e fatit se pikërisht unë, i cili ka hulumtuar në thellësi dhe në hollësi gërshetimin e shkencës me politikën në shembullin e albanologjisë austro-hungareze, jam larguar nga udhëheqësi im i doktoraturës nga koritat akademike për shkak të bindjes sime politike dhe kritike ndaj sistemit? Kolegët dhe miqtë e mi “të dashur” kanë shkuar bile aq larg sa nuk më kanë njoftuar për vdekjen e udhëheqësit tim të doktoraturës, kështu që varrimi i tij më ka shpëtuar. Ky për fat të keq është realiteti, në të cilin po jetojmë. A mund të jetë njerëzore diçka e tillë? Çfarë ka ndodhur me shkencën dhe me shkencëtarët? Pse shumica ia ka shitur shpirtin djallit? Çfarë pasojash sjell kjo për albanologjinë?

Gjithë bota po ndryshon para atyre syve, të cilët duan ta shohin. Bota e vjetër me sistemin e saj skllavërues po zëvendësohet ngadalë nga bota e re me sistemin e saj çlirues. Ky çlirim i përgjithshëm përfshin natyrisht edhe shkencën dhe shkencëtarët. Kur është shkenca vërtet e lirë? Kur mbi drejtimin, temën dhe metodën e kërkimit nuk vendos paradhënësi – qeveria, banka, fondacioni, organizata joqeveritare –, por paramarrësi – instituti kërkimor, kërkuesi. Pyetja e madhe në këtë kontekst është: albanologjia – a do të ndryshojë në mënyrë aktive apo në mënyrë pasive? Aktive do të thotë: nëpërmjet albanologëve shqiptarë dhe/ose joshqiptarë; pasive do të thotë: nëpërmjet ndryshimit të përgjithshëm të sistemit në botë dhe në vendet shqipfolëse. Brezi aktual i albanologëve shqiptarë dhe joshqiptarë – a ka koshiencën e duhur për të përqafuar vizionin e krijimit të një albanologjie të re të çliruar nga ndikimet politike dhe interesat personale? Apo duhet të presim për një brez të ardhshëm me një koshiencë më të lartë, zemra e së cilës rreh për lirinë e shkencës, për kërkimin e së vërtetës dhe për dashurinë patriotike të vendit, popullit dhe kombit? Unë di një nismë për krijimin e një instituti albanologjik jashtë vendeve shqipfolëse, por ky vizion nuk ka gjetur as jehonë as resonancë tek nismëtarët shqipfolës.

Si mund të realizohet ky vizion i krijimit të një albanologjie të re, pa pritur shfaqjen e një brezi të ri më të zhvilluar shpirtërisht? Ne flasim për një periudhë kalimtare, e cila mund të zgjasë disa dekada ose madje më gjatë. Në këtë periudhë koshienca shqiptare duhet të lërë pas skemën mik-armik dhe t’i bashkohet frymës patriotike në të gjitha kombet dhe popujt e botës. Një patriot i vërtetë respekton dhe dashuron patriotët e vendeve të tjera dhe dëshiron vetëm të jetojë në paqe me kombet fqinj. Në këtë frymë, e cila zgjidh çdo mosmarrëveshje ndërkombëtare, duhen rritur fëmijët. Në këtë lidhje edhe shkenca respektivisht albanologjia duhet të luajë rolin e vet, duke u çliruar nga prangat e sistemit të vjetër. Arritja e këtij qëllimi do të lehtësohej nga fitorja e forcave patriotike në zgjedhjet e Bashkimit Evropian dhe në zgjedhjet parlamentare në vendet e Evropës. Atëherë mund të krijohet një Evropë e re jototalitare e atdheve të lirë, ku shkenca nuk sundohet më nga axhendat e fshehta dhe nuk ndikohet më nga interesat politike. Për një zhvillim të tillë ka shpresë, por nuk ka garanci. Prandaj është më mirë të bëhemi vetë aktiv.

Në këtë kontekst hapi i parë i krijimit të një albanologjie të re mund të ishte themelimi i një shoqate shkencore, e cila transformohet me kalimin e kohës në një institut të mirëfilltë albanologjik. Le të supozojmë një bashkëpunim austro-shqiptar, në të cilin forcat e mendësive të ndryshme kombinohen për të mirën e çështjes. Austriakët janë mjeshtër të planifikimit strategjik, shqiptarët janë kampionë të improvizimit spontan. Ky ndryshim në mentalitet sjell dashje-padashje keqkuptime. Kjo sfidë mund të kalohet, në qoftë se të dyja palet bashkohen rreth qëllimit të përbashkët, arritja e të cilit peshon më shumë sesa çdo interes personal. Vetëm me besim reciprok mund të realizohet bashkërisht një ide, një vizion i madh për të ardhmen. Në kohën e tranzicionit nga sistemi i vjetër në sistemin e ri mund të jetë e këshillueshme që t’i përmbahet fjalës së urtë gjermane “Vertrauen ist gut, Kontrolle ist besser” (shqip: besimi është i mirë, kontrolli është më i mirë).

Këtu hyjnë statutet e shoqatës shkencore. Qëllimi i përgjithshëm i pandryshueshëm mund t’i ketë këto tri aspekte kryesore: së pari, ndërtimin e një albanologjie të re, e cila është e pavarur nga sistemi sundues akademik dhe politik; së dyti, forcimin e marrëdhënieve austro-shqiptare; së treti fuqizimin e identitetit kombëtar të shqiptarëve. Për të parandaluar shfrytëzimin e pozitës për interesat personale dhe infiltrimin antishqiptar në shoqatë, duhen pandryshueshmëria e qëllimit të përgjithshëm, udhëheqja e dyfishtë me kontroll reciprok dhe e drejta e vetos për të dy drejtorët në çështje me rëndësi strategjike.

Drejtori i institutit është përgjegjës për punët përfaqësuese, organizative, administrative dhe financiare. Drejtori albanologjik është përgjegjës për punët albanologjike. Kjo ndarje e qartë e kompetencave duhet ngulitur në statutet e shoqatës. Drejtori i institutit dhe drejtori albanologjik janë krahu i djathtë i njëri-tjetrit, duke qenë i paaftë njëri për veprim pa tjetrin. Ata nuk mund të veprojnë pa qenë në ujdi me njëri-tjetrin dhe nuk mund t’i shërbejnë qëllimit egoist, por vetëm qëllimit të lartë të përbashkët. Praktika e zakonshme e punës serioze dhe profesionale – qoftë institut, ndërmarrje ose shoqatë – është që në fillim dy drejtorët informojnë njëri-tjetrin, bashkëbisedojnë mbi çështjen, gjejnë konsensusin dhe pastaj ia komunikojnë vendimin e marrë palës së tretë. E drejta e vetos për të dy drejtorët është e domosdoshme, me qëllim që drejtorët të mos mbivotohen në çështje të rëndësishme me shumicë votash në kryesinë e shoqatës dhe në kuvendin e anëtarëve në dëm të qëllimeve të shoqatës. Nuk duhet lëne shteg për infiltrimin antishqiptar të shoqatës.

Për ta përmbledhur: Pandryshueshmëria e qëllimit të përgjithshëm të shoqatës, udhëheqja e dyfishtë dhe e drejta e vetos për të dy drejtorët – drejtorin e institutit dhe drejtorin albanologjik – në disa pika kyçe duhen fiksuar në statute për katër arsye: së pari, kontroll reciprok i të dy drejtorëve; së dyti, parandalim i infiltrimit antishqiptar të shoqatës; së treti, parandalim i ndryshimit të qëllimit të përgjithshëm të shoqatës; së katërti, parandalim i drejtimit të shoqatës në mënyrë diktatoriale. Çdo anëtar i shoqatës duhet ta përbrendësojë qëllimin e lartë të shoqatës, t’i konsiderojë statutet e shoqatës  si kushtetutë dhe t’u përmbahet vetëm statuteve dhe jo interesit vetiak.

Qëllimi afatgjatë i transformimit të shoqatës shkencore në një institut të mirëfilltë albanologjik nuk arrihet me hapa të nxituar dhe të pamatur, por vetëm me hapa të ngadaltë dhe të matur. Avash avash bëhet shelegu dash. Këtu hyn nevoja e hartimit të një plani strategjik për arritjen e qëllimit afatgjatë të ndërtimit të një instituti të pavarur albanologjik. Në lidhje me këtë duhet menduar në vite, dhe jo në muaj ose javë. Kushti i parë për realizimin e suksesshëm të këtij plani strategjik është sigurimi i financimit të projekteve kërkimore si dhe të aktiviteteve shkencore dhe kulturore. Kushti i dytë është gjetja e personelit të duhur dhe të aftë. Pas sigurimit të financimit personeli i aftë afrohet edhe vetvetiu, sepse sheh siguri dhe perspektivë në punët e shoqatës shkencore.

Puna albanologjike nuk duhet të kufizohet nga ndonjë institucion tjetër akademik ose shtetëror ose nga financues privatë. Si mund të krijohet një albanologji e re e pavarur, kur detyrohet të zhvillojë projekte kërkimore në interes të donatorëve? Prandaj varësia financiare e shoqatës nga institucione të tjera akademike, shtetërore ose qeveritare ose nga Bashkimi Evropian duhet shmangur. Sistemi i vjetër akademik dhe politik është i njëjti në Shqipëri, Kosovë dhe Austri. Në qoftë se shoqata shkencore themelohet me nismë shqiptare në Austri për t’u shpëtuar nga sistemi i vjeter në Shqipëri ose Kosovë, duke ia shitur shpirtin e shoqatës sistemit të vjetër në Austri, atëherë kjo është sikur lufton djallin me shejtanin. Të mos harrojmë: sistemi i vjetër shqiptar bashkëpunon me sistemin e vjetër austriak. Prandaj ka vetëm një rrugëdalje: duhet të krijohet një sistem i ri akademik, i cili siguron liri dhe pavarësi për shkencën, duke i bashkuar forcat e albanologëve përparimtar, vizionar dhe patriotik me forcat e biznesmenëve të fuqishëm patriotik dhe me forcën e popullit patriotik. Bashkëpunimi i kësaj tresheje do të jetë garancia e suksesit.

Bashkimi Evropian ka shumë fonde, po, është e vërtetë. Por ai e lidh haptazi ose fshehurazi lëshimin e fondeve me kushte, të cilat ndjekin një axhendë të fshehtë antikombëtare dhe globaliste. Prandaj Bashkimi Evropian aktual antipatriotik nuk është mik as i kombit shqiptar as i kombit austriak. Pas fitores së forcave patriotike në parlamentin evropian dhe pas reformës së Bashkimit Evropian në kuptimin patriotik dhe në favor të sovranitetit të shteteve kombëtare mund t’i drejtohet Brukselit për të kërkuar fonde për kërkime albanologjike.

Mbështetja financiare nuk duhet të lidhet me kushte. Puna albanologjike duhet të jetë krejt e lirë dhe e pavarur. Donatorët e mundshëm informohen mbi projektet albanologjike të shoqatës. Në qoftë se janë dakord me përmbajtjen e tyre, ata do t’i financojnë. I vetmi kusht që ata mund ta vënë, është se ata do ta ndërpresin financimin, në qoftë se nuk realizohen projektet, siç u është premtuar. Shoqata shkencore, e cila do të bëhet një ditë një institut albanologjik, duhet t’i identifikojë milionerët dhe miliaderët shqiptarë patriotik, që janë të gatshëm të financojnë projekte albanologjike, të cilat i shërbejnë çështjes kombëtare dhe zhvillimit të popullit shqiptar. Njëkohësisht shoqata duhet t’i drejtohet edhe popullit patriotik, duke shfrytëzuar rrjetet sociale si Facebook etj., për të kërkuar ndihma të vogla si për shembull 5 Euro nga secili patriot. Në qoftë se 1000 shqiptarë patriotik transferojnë secili nga 5 Euro në llogarinë e shoqatës, atëherë shoqata do të ketë 5000 Euro në dispozicion, për të zhvilluar një konferencë albanologjike.

Themelimi i një shoqate të tillë shkencore do të ishte një shans historik për kombin shqiptar. Një institut i tillë albanologjik i lirë dhe i pavarur nuk ekziston në asnjë vend të botës. Realizimi i tij do të ishte një kontribut unik për lulëzimin e albanologjisë dhe të kombit shqiptar në liri, harmoni dhe dashuri. Kjo kërkon kohë, durim, qëndrueshmëri dhe një strategji afatgjatë, për t’u lënë brezave të ardhshëm një trashëgim frytdhënës.

Pyetja e madhe është nëse ekziston vallë një vullnet i fortë në komunitetin shqiptar për ta realizuar këtë qëllim të lartë, qëllim për krijimin e një albanologjie të re, e cila është e lirë dhe e pavarur dhe vërtet në shërbim të zhvillimit të koshiencës së popullit shqiptar. Këtu bëhet fjalë për një projekt revolucionar për të krijuar diçka krejt të re. Por për realizimin e këtij qëllimi të lartë patriotik duhen njerëz të aftë, të vendosur, të qëndrueshëm, idealist, vetëmohues dhe trima.

 

Autor: Dr. Mag. phil. Kurt Gostentschnigg

Historian dhe albanolog austriak