Uncategorized

Hovenier: Qëndrojmë me krenari dhe plotësisht përkrah popullit të Kosovës

Sot ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, ka uruar për Ditën e Çlirimit. Ai e ka cilësuar si të jashtëzakonshme atë çka ka arritur Kosova 25 vjet pas çlirimit, përcjell albinfo.ch.

Ai ka përmendur porosinë e ish-presidentit amerikan Bill Clinton.

“25 vjet më parë, forcat e NATO-s mbërritën në Kosovë. Lidershipi i SHBA-së luajti rol jetik për të mundësuar këtë, meqenëse ne, së bashku me aleatët tanë, i dhamë fund njëherë e përgjithmonë fushatës së tmerrshme të spastrimit etnik që regjimi i Millosheviqit kreu këtu në Kosovë. Siç tha presidenti Clinton atëherë, po e citoj: ‘Gjatë katër muajve të fundit, kemi parë disa nga aktet më çnjerëzore të jetës sonë. Por, gjithashtu kemi parë trimërinë e trupave tanë, vendosmërinë e demokracisë sonë, mirësinë e popullit tonë dhe guximin e qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës. Falë të gjitha këtyre veçorive, ne kemi tash një moment shprese dhe duhet të përfundojmë punën dhe të ndërtojmë paqen’”, ka thënë Hovenier në një video-mesazh për 25-vjetorin e Ditës së Çlirimit.

Hovenier ka siguruar se mbështetja e SHBA-së për Kosovën do të vazhdojë, derisa është shprehur krenar për partneritetin e të dyja vendeve.

“Porosia e presidentit Clinton është po aq e rëndësishme sot sa ishte 25 vjet më parë. Tani, 25 vjet më vonë, jemi krenarë për gjithçka që keni arritur. Ju keni ndërtuar shtetin tuaj sovran, demokratik dhe shumëetnik nga themeli. Ajo që keni arritur është e jashtëzakonshme. SHBA-ja është krenare që është partnere e juaj ndërsa shënoni këtë moment historik të rëndësishëm. Dëshiroj të theksoj se përkushtimi i SHBA-së ndaj popullit të Kosovës është po aq i fortë dhe i qëndrueshëm si gjithmonë. Ne qëndrojmë me popullin e Kosovës kundër autoritarizmit, kundër çdo përpjekjeje për të shtypur brutalisht dhe për të ndarë shoqërinë në vija etnike ose fetare, kundër shkatërrimit me dhunë të jetës dhe jetesës së njerëzve dhe kundër vullnetit të tyre. Dhe ne qëndrojmë me krenari dhe plotësisht përkrah popullit të Kosovës. Kemi qenë me ju që nga fillimi. Jemi me ju tash. Dhe mirëpresim të qëndrojmë përkrah jush në vitet në vijim. Urime”, ka thënë Hovenier.