Kosova

Ambasadori i Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi, i dorëzoi kredencialet Presidentes Amherd

Me këtë rast ekskluzivisht nëpërmjet platformës mediale albinfo.ch, ai u është drejtuar me një letër bashkatdhetarëve të tij, shtetasve të Kosovës që jetojnë në Zvicër

Ambasadori i ri, i emëruar së fundi, i Republikës së Kosovës në Bernë, Shkëlqesia e Tij Mentor Latifi, i ka dorëzuar sot letrat kredenciale presidentes së Federatës Zvicerane, zonjës Viola Amherd, duke zyrtarizuar kështu pozitën e tij të ambasadorit në Konfederatën Helvetike.

Me këtë rast ekskluzivisht nëpërmjet platformës mediale albinfo.ch, ai u është drejtuar me një letër bashkatdhetarëve të tij, shtetasve të Kosovës që jetojnë në Zvicër.

Në vazhdim, albinfo.ch publikon këtë letër në tërësi

Për ndërtimin e urave të reja të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Zvicrës

Të nderuara bashkëkombëse, të nderuar bashkëkombës,

Sot, më 11 qershor 2024, në vigjilje të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, në një ceremoni zyrtare në Bernë i dorëzova letrat kredenciale presidentes së Konfederatës së Zvicrës, zonjës Viola Amherd. Me këtë akt solemn fillova zyrtarisht ushtrimin e funksionit si si ambasador i Republikës së Kosovës në Bern. Gjatë takimit i përcolla presidentes Amherd përshëndetjet më të sinqerta të krerëve të institucioneve më të larta të Republikës së Kosovës dhe gatishmërinë tonë për kultivimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve të shkëlqyeshme mes vendeve tona.

Si ambasador i ri i Republikës së Kosovës në Zvicër e shoh të udhës që në krye të herës të falënderoj të gjithë paraardhësit e mi në këtë post me përgjegjësi për punën e tyre. Synim imi është që gjatë mandatit tim të avancoj edhe më tutje kulturën institucionale dhe përkushtimin për t’i shërbyer Republikës së Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, pa asnjë dallim. Vetëm mbi trashëgiminë e mirë mund të ndërtohen vlera e vepra të qëndrueshme.

Detyrë e imja primare është thellimi dhe zhvillimi i gjithanshëm i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Zvicrës në politikë, ekonomi, kulturë, siguri, shkencë, mbrojtje të ambientit dhe në fusha të tjera me interes të dyanshëm. Zvicra është një shtet miqësor dhe partner i pazëvendësueshëm i Kosovës, që i dha mbështetje të palëkundur vendit tonë në kohët më të vështira. Me dekada ky vend ka qenë një strehë e sigurt për mijëra të përndjekur politikë nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare. Në Zvicër kanë gjetur punë dhe kanë ndjekur e realizuar ëndrrat e tyre shumë kosovarë që nga fillimi i viteve 60-të. Me sakrificat e tyre të mëdha ata kanë ndërtuar themelin për sukseset e gjeneratës së dytë dhe të tretë. Planet e tyre i tejkalonin ambiciet individuale. Kosova është mirënjohëse ndaj mërgatës dhe krenare me mërgatën në Zvicër për sukseset tona të përbashkëta.

Kujtesa jonë do të ishte e shkurtër nëse nuk do të këmbëngulmin për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit dhe ndërveprimit mes Kosovës dhe Zvicrës. Që nga shpallja e pavarësisë, vendi ynë, Republika e Kosovës, ka miratuar ligje, të cilat mundësojnë një klimë të përshtatshme për investime. Duke qenë se një pjesë të konsiderueshme të karrierës sime të deritanishme e kam ndërtuar në sektorin e ekonomisë private, me zemërgjerësi e vetëmohim do të mbështesë çdo nismë nga mërgata për investime në Kosovë. Bazuar në përvojën time si anëtar i Bordit të Fondit Kosovaro-Amerikan për Edukim (KAEF), i cili u ka mundësuar mbi 100 shtetasve kosovarë të kryejnë studimet master në universitetet më të dalluara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të angazhohem në krijimin e urave të bashkëpunimit mes institucioneve arsimore të Kosovës dhe Zvicrës. Sistemi arsimor zviceran u shërben si model shumë shteteve. Jo rastësisht, shteti zviceran renditet vazhdimisht ndër vendet më inovative në botë. Gjithashtu u bëj thirrje të gjithë prindërve me prejardhje nga Kosova, të cilët jetojnë në Zvicër, që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Është shkencërisht e dëshmuar se kush e njeh mirë gjuhën amtare, do të mësojë më lehtë edhe gjuhë të tjera. Gjuha është çelësi i integrimit në shoqërinë zvicerane.

Të prirë nga sinqeriteti, toleranca dhe patriotizmi modern dhe jopërjashtues, të udhëhequr nga dëshira për lojalitet ndaj shtetit dhe shoqërisë, të gjithë ne së bashku mund t’i bëjmë realitet shumë dëshira të paraardhësve tanë.

Për mua Zvicra nuk është vend i panjohur, nuk është një terra incognita. Në moshë shumë të re, në vitin 1991, unë si pjesëtar i një familjeje refugjatësh nga Kosova u gjenda para një ardhmërie të pasigurt. U jam pafund mirënjohës familjes sime, arsimtarëve dhe profesorëve të mi nga gjimnazi në Zofingen deri në Universitetin e Baselit për mbështetjen e madhe që më kanë ofruar duke zgjeruar horizontet e mia të dijes. Kjo përvojë në Zvicër më ka motivuar të kthehem në Kosovë para 20 viteve për të dhënë kontributin tim. Ardhja ose kthimi im në Zvicër si ambasador i Republikës së Kosovës në një mënyrë tregon sa rrugë të gjatë dhe me kthesa të mëdha kemi bërë të gjithë ne në tri dekadat e fundit.

Ndërkohë nuk kemi arritur në fund të rrugës. Kemi shumë punë për të bërë dhe shumë punë na presin. Ndërsa po bëhesha gati për ceremoninë e sotme te presidentja Amherd, më ra ndërmend ky citat nga vepra e shkrimtarit zviceran Max Frisch, të cilin na duhej ta lexonim në shkollë të mesme në Zofingen: “Përditshmëria është e durueshme vetëm falë mrekullive”. Mrekullia jonë është Kosova jonë e bërë shtet. Le të punojmë bashkë për mrekulli të tjera në këto kohëra të vështira gjeopolitike.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Bern, Konsullatat në Gjenevë dhe në Zürich, do të jenë në shërbim të qytetarëve tanë që jetojnë në Zvicër. Po ashtu u gëzohem takimeve në të ardhmen me shumë pjesëtarë të mërgatës sonë dinamike, kreative dhe mendjehapur”.

(Autor i fotografive: Stefan Wermuth)