Lajme

Berlin: Mbahet Java e Kulturës së Kosovës

Nga dje me 10 qershor e deri më 14 qershor në Berlin po mbahet Java e Kulturës së Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Ambasada e Republikës së Kosovës në Berlin organizon Javën e Kulturës së Kosovës ne Berlin me rastin e shënimit të vitit jubilar, 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Ambasada e Kosovës i fton të gjithë të interesuarit të bëhen pjesë e aktiviteteve të saj dhe të festojnë së bashku ditët e çlirimit të vendit tonë.

Më 10.06.2024 në Ambasadën e RKS në Berlin hapet ekspozitë e fotografit Arian Mavriqi „Flasim me fotografi“.

Këngëtarja dhe kompozitorja e njohur Vjollca Robelli Mripa dhe grupi i saj “Ajo” do të performojnë më 12.06.2024 në ‚Kesselhaus in Kulturbrauerei.’ Fjala është për një koncert xhazi.

Vjollca ka prejardhje nga Kosova, por jeton e vepron prej vitesh në Londër dhe ka performuar në festivale prestigjioze, duke interpretuar me zërin e saj unik muzikën shqipe për audiencë të gjerë botërore.

DJ Galouchë, me prejardhje po ashtu nga Kosova që jeton në Berlin, do të performojë para dhe pas koncertit, me muzikën e veçantë të saj.

Ndërkohë, më 14 qershor do të shfaqen dy filma të shkurtër të krijuesve kosovarë – „Sans le Kosovo“ të regjisores Dea Gjinovci dhe „Pa vend“ të regjisorit Samir Karahoda. Filmat do të shfaqen në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Berlin.