Lajme

Dy vëllezër kosovarë në gjyq, akuzohen për shitjen e 561 diplomave false të gjermanishtes

Në aktakuzën e tyre, prokuroria publike konsideron se Kemajl dhe Emir G. në mënyrë të paligjshme kanë fituar pothuajse një milion euro nga ky biznes

Në mënyrë që të fitohet leje qëndrimi në Gjermani, personat duhet t’i nënshtrohen provimeve të integrimit dhe gjuhës. Ky i fundit konsiderohet si më sfidues dhe në raste të caktuara, lindin dyshimet për mashtrime.

Javët e ardhshme, Gjykata e Landit e Stuttgartit do të trajtojë mbi 200 raste të tilla, teksa sipas prokurorëve, dy vëllezër nga Kosova falsifikuan pothuajse të gjitha letrat që klientët e tyre u paraqitën autoriteteve. Këto falsifikime përfshinin leje për makinerinë “pirune”, lejet e qëndrimit dhe gjoja kalimin e provimeve gjuhësore.

Sipas raportimeve, dokumentet e fotokopjuara jepeshin ose në një lokal në qytetin gjerman Backnang, përmes një shkolle gjuhësore në Ellwangen, ose përmes postës, transmeton albinfo.ch. Blerësit më pas i dorëzonin këto letra të falsifikuara, duke shpresuar të fitojnë leje qëndrimi ose natyralizim, raporton aussiedlerbote.

Të dyshuarit, të moshës 37 dhe 31 vjeç, aktualisht janë në gjyq, ndërsa nuk po përballen vetëm me akuza të falsifikimit të dokumenteve, por edhe për kontrabandë të të huajve. Secili klient pagoi deri në 2.300 euro për secilin dokument të falsifikuar dhe si rrjedhojë raportohet që vëllezërit fituan rreth 880,000 euro nga kjo skemë.

“Dokumentet e falsifikuara ofruan mundësinë që pranuesit e tyre të fitonin vendbanim, të natyralizohen ose të gjenin punë të nivelit më të lartë dhe më shumë fitimprurëse. Megjithatë, disa nga të ashtuquajturat shkolla gjuhësore nuk ekzistonin”, thuhet në aktakuzë.

Zyra Federale për Migracionin dhe Refugjatët (BAMF) nuk ka bërë ende një deklaratë në lidhje me mënyrën se si planifikon të adresojë dokumente potencialisht të falsifikuara, të cilat potencialisht mund të çojnë në refuzim të lejeve të banimit.

Diplomat që ofronin ata, dukeshin si origjinale, zyrtare. Por ato në fakt vinin nga një printer privat me ngjyra. Vëllezërit Kemajl (32) dhe Emir G. (37) qëndrojnë para Gjykatës së Landit të Shtutgartit që nga e hëna transmeton albinfo.ch. Dy kosovarët mësohet se kanë falsifikuar 561 certifikata gjermane duke bërë të mundur që të huajt të futeshin kontrabandë në shkallë të gjerë dhe që dy vëllezërit të fitonin para prej tyre.

Në fund të vitit 2023, policia kishte marrë një informacion anonim dhe kishte kontrolluar apartamentet e vëllezërve në rrethin Rems-Murr (Baden-Württemberg), shkruan bild.de. Gjatë hetimeve të mëtejshme, policia ka hasur në 561 të dyshuar të cilët me sa duket kishin blerë certifikata gjuhësore për rreth 3000 euro secili.

Me diplomat në dorë, emigrantët kanë mashtruar zyrat e imigracionit në Baden-Württemberg dhe Bavari dhe kanë marrë leje qëndrimi pavarësisht mungesës së aftësive gjuhësore.

Në aktakuzën e tyre, prokuroria publike konsideron se Kemajl dhe Emir G. në mënyrë të paligjshme kanë fituar pothuajse një milion euro nga ky biznes. Ata mësohet se kanë krijuar një bandë me vëllain e tyre të tretë dhe kanë falsifikuar dokumentet në mënyrë komerciale, transmeton albinfo.ch. Vëllai ndodhet në paraburgim në Mal të Zi, për ekstradim. Tre personat përballen me dënime me burg deri në dhjetë vjet.

Në ditën e parë të gjykimit u lexuan vetëm akuzat. Vëllezërit njoftuan përmes avokatëve të tyre se nuk do të komentonin mbi personin apo çështjen.

Sipas informacionit të BILD, zyra e prokurorit publik i ka akuzuar ata vetëm për rastet në të cilat një dënim duket i mundshëm. Në fakt, kosovarët supozohet se kanë falsifikuar të paktën dyfishin e numrit të përmendur të diplomave, duke fituar rreth 2.2 milionë euro, përcjell albinfo.ch. Pronarët kriminelë të shkollave të gjuhës besohet se kanë marrë pjesë dhe kanë dhënë emrat e tyre për mashtrim.

Po hetohen edhe blerësit e certifikatave false gjermane (niveli B1 dhe B2). Ata duhet të presin që lejet e tyre të qëndrimit dhe vendbanimit t’u revokohen.