Futboll

Gjimshiti, Strakosha e Bajrami: Nuk dorëzohemi kurrë

Kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Berat Gjimshiti, është shprehur i kënaqur për formën e kuqezinjve para Evropianit.

“Kam ardhur me vonesë, pasi kemi mbaruar kampionatin në Itali më vonë. Kam gjetur një ekip që është shumë gati dhe që ka ushtruar shumë. Kjo u pa në fushë në këto dy ndeshje. E kemi edhe një javë që të përgatitemi sa më mirë ndaj Italisë. Besoj se do të jemi gati. Nuk ka të bëj me duelet individuale në fushë. Do të mbrohemi të gjithë bashkë kundër Italisë dhe do të sulmojmë të gjithë së bashku”, ka thënë Gjimshiti.

Ndërkohë, Strakosha tha se janë të gatshëm për EURO 2024 dhe se nuk do të dorëzohen.

“Jam mirë me shëndet dhe ndihem shumë mirë. Gjithë lojtarët janë mirë, ushtrojmë mirë dhe kjo vërehet në fushë pastaj. Është vërejtur pak lodhja nga faza e ngarkuar sonte. Por është mirë që përfundojmë miqësoret me fitore. E njohim nivelin e kundërshtarëve. Kam shumë besim në grupin e lojtarëve. E dimë që është e vështirë të kalojmë grupin, por kemi shpirtin shqiptar dhe nuk dorëzohemi kurrë”, ka thënë portieri Strakosha.

Një nga golashënuesit e ndeshjes miqësore, Nedim Bajrami tha se të gjithë janë të motivuar e do të japin maksimumin.

“Të gjithë jemi të motivuar dhe të gjithë duam të japim maksimumin. Në fushë e dimë që i kemi goditjet nga jashtë dhe i provojmë ato. Ndeshjen e kaluar shënoi Asani, sonte ishte radha ime. Evropiani është përvojë e re. Do të luftojmë për çdo pikë, për çdo top. Kemi pasur fazë përgatitore të mirë dhe besoj se jemi gati”, ka thënë Nedim Bajrami.

Shqipëria fitoi 3:1 ndaj Azerbajxhanit.